Granit Xhaka i ka dërguar një mesazh urimi ish-klubit të tij, Arsenal, pasi londinezët janë shpallur kampionë të Premier League, transmeton albinfo.ch.
“The Gunners” e siguruan titullin pasi Manchester City u ndal me barazim ndaj Bournemouth në stadiumin Vitality të martën mbrëma, rezultat që i hapi rrugë Arsenalit për kurorëzimin kampion.
Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, mesfushori i Sunderland, Granit Xhaka, publikoi në rrjetet sociale një fotografi të tij së bashku me trajnerin Mikel Arteta nga koha kur ishin pjesë e Arsenalit në “Emirates Stadium”.
Xhaka, i cili kaloi shtatë vite në Arsenal, ku fitoi dy herë FA Cup dhe dy herë Community Shield, e vlerësoi suksesin e klubit si rezultat të përkushtimit dhe punës së madhe të trajnerit spanjoll.
Mesazhi i ish-kapitenit u prit pozitivisht nga tifozët, duke treguar se lidhja e tij me Arsenalin mbetet ende e fortë edhe pas largimit nga klubi./Albinfo.ch