Kosova
Alarm për fruthin në Kosovë: 14 raste të konfirmuara, rritet interesimi për vaksinim
Të gjitha rastet janë tek fëmijët e pavaksinuar, ndërsa vetëm në dy javët e para të majit janë vaksinuar mbi 500 fëmijë
Në Kosovë është shënuar rritje e rasteve me fruth, ku deri më tani janë konfirmuar 14 raste aktive, të gjitha tek fëmijë të pavaksinuar. Si pasojë, institucionet shëndetësore kanë intensifikuar thirrjet për vaksinim, ndërsa është vërejtur edhe rritje e interesimit të prindërve, përcjell albinfo.ch.
Shefja e vaksinimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Xhevrije Canolli, ka deklaruar se sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, rastet janë regjistruar nga 16 prilli, dhe theksoi se vaksina është mënyra e vetme për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundjeje shumë ngjitëse.
Ajo u bëri thirrje prindërve që të kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve dhe të paraqiten në qendrat e mjekësisë familjare në rast se fëmijët nuk janë vaksinuar. Sipas saj, ekipet shëndetësore kanë identifikuar fëmijët e paimunizuar dhe po kontaktojnë prindërit përmes telefonit për t’i ftuar në vaksinim.
Canolli sqaroi se mbrojtja e plotë kundër fruthit arrihet vetëm përmes marrjes së dy dozave të vaksinës – doza e parë në moshën njëvjeçare dhe doza e dytë në moshën gjashtëvjeçare, ndërsa aktualisht po vaksinohen edhe nxënësit e klasave të para dhe të gjashta përmes ekipeve mobile.
Vetëm gjatë dy javëve të para të muajit maj, në Prishtinë janë vaksinuar mbi 500 fëmijë, ndërsa nga janari deri në prill ishin vaksinuar 686, çka sipas Canollit tregon se interesimi është pothuajse dyfishuar.
Ajo paralajmëroi se më të rrezikuar nga fruthi janë fëmijët e paimunizuar nën pesë vjeç, gratë shtatzëna dhe personat me imunitet të dobësuar. Komplikimet më të shpeshta përfshijnë pneumoninë, inflamacionin e veshit, humbjen e dëgjimit dhe në raste të rënda edhe encefalitin, i cili mund të jetë fatal.
Duke folur për shqetësimet e disa prindërve, Canolli mohoi pretendimet se vaksina shkakton autizëm, duke theksuar se studimet shkencore ndërkombëtare kanë konfirmuar se nuk ekziston asnjë lidhje mes vaksinës kundër fruthit dhe çrregullimeve të spektrit të autizmit./Albinfo.ch
E-Diaspora
-
Mes shqiponjës në qafë dhe golit në fushë Një shqiponjë në qafë nuk e bën dikë më pak të integruar. Ashtu si një gol... -
Piktori shqiptar Haxhi Fejzullahu hap ekspozitën “Dheu nuk njeh kufi” në Austri -
Turneu i mundjes së duarve “Gjergji i Pamposhtur” -
Gjermani
Në Gjermani u mbajt ekspozita “Helmimet në Kosovë 1990–1992”, u rikujtuan krimet ndaj shqiptarëve -
Sabahet Meta: “Kino Kosova” është një hapësirë dialogu përmes filmit
Jeta në Austri
-
Piktori shqiptar Haxhi Fejzullahu hap ekspozitën “Dheu nuk njeh kufi” në Austri Përmes pikturave, artisti Fejzullahi paraqet ndërthurjen e dy kulturave, asaj shqiptare dhe austriake, duke sjellë një... -
Mijëra njerëz protestojnë në Vjenë kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision -
Shqipëria sonte në skenën e Eurovisionit, Alis performon me këngën “Nan” -
Nis sonte Eurovision 2026 në Vjenë -
Çka pritet nga Eurovision 2026: Favoritët dhe gjysmëfinalet













