Lajme
“Pse jemi të ndarë?” – Një thirrje e fuqishme për vetëdijesim
Në një kohë kur ritmi i jetës shpesh na largon nga rrënjët dhe reflektimi i thellë, janë pikërisht fëmijët ata që, me sinqeritetin dhe pastërtinë e tyre, arrijnë të prekin telat më të ndjeshëm të ndërgjegjes sonë kolektive. Kështu ndodhi edhe në manifestimin kombëtar të organizuar në Uster, me datë 3 maj 2026, në takimin me veprimtarin Marin Mema, në një sallë të mbushur plot me të rijë e te reja, me mërgimtarë nga mbarë Zvicra, ku nxënësit e Shkollës Shqipe nuk sollën vetëm një interpretim artistik, por një thirrje të fuqishme për vetëdijesim.
Interpretimi i këngës “Pse jemi të ndarë?” nuk ishte thjesht një paraqitje muzikore. Ishte një akt i vetëdijshëm, një pyetje e drejtpërdrejtë që sfidon secilin prej nesh. Në zërat e këtyre nxënësve nuk kishte vetëm melodi – kishte histori, kishte mall, kishte një kërkesë të heshtur për bashkim. Ata nuk recituan thjesht vargje; ata artikuluan një shqetësim që ka shoqëruar kombin shqiptar ndër dekada.
Nën drejtimin e mësueses Qefsere Sejdiu, kjo paraqitje mori dimension të veçantë artistik dhe edukativ. Ajo çka u pa në skenë ishte fryt i një pune të përkushtuar, por mbi të gjitha, i një misioni të qartë: ruajtja dhe kultivimi i identitetit kombëtar përmes brezit të ri.
Pyetja “Pse jemi të ndarë?” erdhi si një jehonë që nuk mbeti brenda sallës. Ajo u kthye në një moment reflektimi për të gjithë të pranishmit, duke nxitur diskutim të brendshëm mbi përçarjet, sfidat dhe nevojën e domosdoshme për unitet. Në një diasporë ku ruajtja e gjuhës dhe kulturës kërkon përpjekje të vazhdueshme, kjo thirrje merr një peshë edhe më të madhe.
Ky interpretim dëshmoi se shkolla shqipe nuk është vetëm një vend ku mësohet gjuha, por një vatër ku formësohet ndërgjegjja kombëtare. Nxënësit, me zërin e tyre të pastër, u bënë ambasadorë të një mesazhi që shpesh ne të rriturit e harrojmë ta artikulojmë me kaq forcë dhe qartësi. Dhe në fund, ajo që mbeti nuk ishte vetëm duartrokitja, por edhe një pyetje që vazhdon të kumbojë: a do të dimë t’i përgjigjemi kësaj thirrjeje?
Sepse ndonjëherë, përgjigjet më të rëndësishme na vijnë pikërisht nga ata që ende janë duke mësuar të pyesin.
Dhe në përmbyllje, një falënderim i veçantë për të gjithë prindërit, të cilët, të edukuar mirë shpirtërisht dhe kombëtarisht, i mësojnë dhe i këshillojnë fëmijët e tyre ta mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën amtare.
Të gjithë flasin për gjuhën shqipe, por vetëm ata që i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat shqipe e përmbushin këtë obligim moral dhe kombëtar. Gjuha ruhet aty ku shkruhet dhe aty ku mësohet rregullisht, nga klasa e parë deri në klasën e tetë apo të nëntë.
Dhe prindër të tillë ka mjaft. Për ta, një FALEMINDERIT e shkruar me shkronja të mëdha është mirënjohja më e lartë.
Shkruan: Vaxhid Sejdiu
E-Diaspora
-
Zvicër–Kosovë, tregtia arrin 175 milionë franga: Marrëveshja e re heq barrierat doganore Shkëmbimet tregtare mes Zvicrës dhe Kosovës kanë shënuar zhvillim dinamik gjatë viteve të fundit. Vetëm në... -
Kosovë–EFTA: Marrëveshja e Tregtisë së Lirë hyn në fuqi më 1 tetor -
Qarkullim i qetë në kufijtë e Kosovës, pritje deri në 20 minuta në Dheu i Bardhë -
Albanian Engineering of Switzerland: Tre të nominuar për Çmimin e Ekselencës Akademike 2026 -
“Re:Connect” bashkoi 16 të rinj nga Zvicra dhe Kosova në Prizren
Jeta në Austri
-
Çdo i dyti nxënës në shkollat vjeneze nuk flet gjermanisht Në Vjenë, nevoja për mbështetje në gjuhën gjermane është e lartë. Në të gjithë Austrinë, kjo... -
Austri: Bëhet thirrje për shkurtim prej disa miliardë eurosh në buxhetin e BE-së -
Austria e Poshtme do të mbyllë tre qendra të tjera azili -
Vjenë
Gurët e Adriatikut bëhen art: Luan Bajraktari me ekspozitën “Beneath the Tongue, a Pebble” në Kroaci -
Sa orë punohet në Zvicër dhe Evropë?












