Lajme
Zvicra synon finalen e Eurovisionit me Veronica Fusaro
Këngëtarja zvicerane Veronica Fusaro do të ngjitet sonte në skenën e gjysmëfinales së dytë të Eurovision Song Contest 2026, që po mbahet në Vjenë, me synimin për të siguruar një vend në finalen e madhe të së shtunës.
Pas triumfit të Nemo dy vite më parë dhe vendit të dhjetë të Zoë Më vitin e kaluar, këtë herë është radha e artistes nga Berna, Veronica Fusaro, të përfaqësojë Zvicrën në edicionin e 70-të të festivalit evropian të muzikës.
Me këngën “Alice”, një kombinim alternativ pop-rock, artistja 29-vjeçare trajton temën e dhunës ndaj grave në një performancë treminutëshe me ngarkesë emocionale dhe energji skenike, transmeton albinfo.ch.
Skenografia është realizuar nga suedezi Fredrik “Benke” Rydman, i njohur edhe për krijimin e skenës rrotulluese të Nemo-s. Performanca e Fusaro pritet të jetë vizualisht spektakolare, ku ajo interpreton brenda një kubi të formuar me litarë të kuq, përpara se të shpërthejë me një solo elektrizuese në kitarë elektrike.
Në aspektin muzikor, “Alice” ndërthur kontraste të forta: ritmi fillestar i valsit krijon një ndjesi të lehtë dhe mashtruese, e cila më pas thyhet nga riff-et intensive rock që e bëjnë atmosferën gjithnjë e më dramatike.
Danimarka dhe Australia konsiderohen favorite
Në gjysmëfinalen e dytë do të garojnë 15 shtete: Zvicra, Armenia, Azerbajxhani, Bullgaria, Luksemburgu, Rumania, Republika Çeke, Shqipëria, Australia, Qiproja, Danimarka, Letonia, Malta, Norvegjia dhe Ukraina.
Sipas kompanive të basteve online, Zvicra nuk renditet ndër favoritët kryesorë për kualifikim. Ndërkohë, Danimarka dhe Australia konsiderohen si pretendente serioze për finalen, së bashku me Finlandën, Greqinë dhe Izraelin, të cilat siguruan kualifikimin në gjysmëfinalen e parë.
Këngëtari danez Søren Torpegaard Lund prezantohet me këngën “Før vi går hjem” (“Para se të kthehemi në shtëpi”), një këngë pop me elemente elektro dhe vizuale të frymëzuara nga klubet moderne.
Australia, e cila merr pjesë në Eurovision me ftesë që nga viti 2015, këtë herë përfaqësohet nga Delta Goodrem. Artistja 41-vjeçare, e cila ka shitur mbi nëntë milionë albume, konkurron me baladën “Eclipse”, një këngë romantike që flet për harmoninë dhe “rreshtimin e planetëve”.
Sipas analistëve të festivalit, edhe Rumania, Malta, Ukraina, Qiproja dhe Republika Çeke kanë gjasa të mira për të siguruar një vend në finale, ndërsa Armenia dhe Azerbajxhani konsiderohen më pak konkurrues.
Si përcaktohen finalistët?
Rezultatet e jurisë profesionale kombinohen me votat e publikut për të përcaktuar 10 këngët fituese nga secila gjysmëfinale. Këto 20 vende do t’u bashkohen finalistëve të kualifikuar automatikisht.
Përveç Austrisë, si vend organizator dhe fitues i vitit të kaluar, automatikisht në finale janë edhe Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, për shkak të kontributit të tyre financiar në organizimin e festivalit.
E-Diaspora
-
Kumbaro u bën thirrje prindërve në diasporë: Regjistroni fëmijët në shkollat shqipe Ministrja shqiptare Mirela Kumbaro Furxhi u ka bërë thirrje prindërve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit që... -
Zvicër–Kosovë, tregtia arrin 175 milionë franga: Marrëveshja e re heq barrierat doganore -
Kosovë–EFTA: Marrëveshja e Tregtisë së Lirë hyn në fuqi më 1 tetor -
Qarkullim i qetë në kufijtë e Kosovës, pritje deri në 20 minuta në Dheu i Bardhë -
Albanian Engineering of Switzerland: Tre të nominuar për Çmimin e Ekselencës Akademike 2026
Jeta në Austri
-
Çdo i dyti nxënës në shkollat vjeneze nuk flet gjermanisht Në Vjenë, nevoja për mbështetje në gjuhën gjermane është e lartë. Në të gjithë Austrinë, kjo... -
Austri: Bëhet thirrje për shkurtim prej disa miliardë eurosh në buxhetin e BE-së -
Austria e Poshtme do të mbyllë tre qendra të tjera azili -
Vjenë
Gurët e Adriatikut bëhen art: Luan Bajraktari me ekspozitën “Beneath the Tongue, a Pebble” në Kroaci -
Sa orë punohet në Zvicër dhe Evropë?














