Lajme

Zvicër: Krijohet platformë e re për ruajtjen e dialekteve frëngjishtfolëse

Kantonet Valais, Fribourg, Vaud dhe Jura kanë prezantuar në Sion platformën “Patoisromands.ch”, një nismë ndërkantonale që synon ruajtjen dhe promovimin e dialekteve të Zvicrës frëngjishtfolëse.

Platforma është krijuar si përgjigje ndaj rrezikut të zhdukjes së këtyre dialekteve, të cilat sot fliten gjithnjë e më pak për shkak të mungesës së transmetimit nga një brez në tjetrin. Ato janë njohur zyrtarisht si gjuhë rajonale ose minoritare në vitin 2018 dhe përbëjnë një trashëgimi të rëndësishme kulturore.

“Patoisromands.ch” ofron një hapësirë digjitale të përbashkët që synon të rrisë dukshmërinë e dialekteve, të mbledhë burime ekzistuese dhe të lehtësojë qasjen për përdoruesit. Platforma përfshin materiale informuese, arkiva audio dhe tekstuale, si dhe module mësimi online.

Po ashtu, ajo prezanton edhe përdorimet bashkëkohore të dialekteve përmes projekteve kulturore dhe artistike.

Projekti është zhvilluar nga një grup ndërkantonal dhe mbështetet nga Zyra Federale e Kulturës, kantonet pjesëmarrëse, si dhe institucione akademike dhe të trashëgimisë kulturore.