Kosova

Kosovë: Sot përfundon afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë

Subjektet politike në Kosovë kanë kohë deri në mesnatë për të dorëzuar kandidatët për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Subjektet politike në Kosovë kanë afat edhe sot për të dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor, përcjell albinfo.ch.

Zëdhënësi i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës (KQZ), Valmir Elezi, bëri të ditur se afati 11-ditor për dorëzimin e listave përfundon të martën në mesnatë.

“Sot, në orën 24:00, përmbyllet afati 11-ditor për subjektet politike – partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur – për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit”, ka deklaruar Elezi.

Ai ka bërë të ditur se dorëzimi i listave duhet të bëhet përmes platformës elektronike të KQZ-së, ndërsa procedura është e njëjtë me atë të përdorur në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në dhjetor të vitit të kaluar.

Sipas KQZ-së, gjithsej 27 subjekte politike janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit. Prej tyre 22 janë parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

KQZ u ka bërë thirrje subjekteve politike që listat e kandidatëve t’i dorëzojnë sa më shpejt, në mënyrë që të sigurohet certifikimi dhe përgatitja në kohë e procesit zgjedhor./Albinfo.ch