Lajme

Ngjarjet që morën më shumë vëmendje në Zvicër këtë javë

Një iniciativë për frenimin e imigracionit ka shanse të miratohet, ‘taksa e imigracionit’ nuk do të kishte vlerë për Zvicrën, dhe perimet në dyqanet zvicerane janë të ndotura me PFAS.

Në këtë përmbledhje javore janë lajmet kryesore të kësaj jave.

Një sondazh i ri tregon se iniciativa e krahut të djathtë për frenimin e imigracionit ka shanse të miratohet

Megjithëse me një diferencë të ngushtë, një përpjekje e krahut të djathtë për të frenuar imigracionin në Zvicër duket se ka të ngjarë të pranohet në referendumin e 14 qershorit.

Sondazhi i fundit i kryer midis 16,000 personave tregon se masa do të miratohet nga 52 përqind e votuesve.

Mbështetësit sugjerojnë se rreziqet që lidhen me imigracionin – duke përfshirë sigurinë, krimin, si dhe një barrë të vendosur mbi strehimin dhe infrastrukturën tjetër kyçe – janë ndër shqetësimet e tyre kryesore.

Taksa e imigracionit nuk do të kishte vlerë për Zvicrën, thotë qeveria

Ministrat zviceranë kanë analizuar një raport parlamentar në lidhje me qëndrueshmërinë e taksës së propozuar të imigracionit – një ‘tarifë hyrjeje’ që shtetasit e huaj do të duhet të paguajnë nëse vendosen në Zvicër.

Këshilli Federal arriti në përfundimin se raporti jo vetëm që “nuk identifikon asnjë përfitim të demonstrueshëm ekonomik për Zvicrën”, por edhe se “futja e një takse mbi imigracionin do të përballej me pengesa të shumta ligjore”.

Gjithnjë e më shumë qytetarë amerikanë heqin dorë nga pasaportat e tyre sepse nuk e pëlqejnë Trumpin

Amerikanët kanë hequr dorë nga shtetësitë e tyre për vite me radhë, për arsye tatimore dhe kufizime të tjera financiare të vendosura nga Shtetet e Bashkuara.

Por është shfaqur një trend i ri: një numër gjithnjë e në rritje i emigrantëve amerikanë, përfshirë ata që jetojnë në Zvicër, po heqin dorë nga pasaportat e tyre për shkak të mënyrës se si ndihen për Presidentin Trump.

Shumë prej tyre po përmendin polarizimin në Shtetet e Bashkuara si arsyen kryesore për vendimin e tyre për t’u hequr dorë.

Shumica e perimeve në dyqanet zvicerane u gjetën të kontaminuara me PFAS

Një analizë e kryer nga një revistë konsumatori zbuloi se nga 25 produktet e testuara, 16 ishin të kontaminuara me substanca të rrezikshme për shëndetin e njeriut – konkretisht, kimikate PFAS, të quajtura shpesh ‘kimikate të përjetshme’.

Niveli më i lartë i toksinave u gjet në karrota dhe patate, me kastraveca, sallatë jeshile dhe domate pak më pak të kontaminuara, por që megjithatë përmbanin sasi të dallueshme.

Perimet organike në mostër ishin përgjithësisht më pak të kontaminuara se produktet konvencionale.

SVP: Zviceranët duhet të kenë më shumë fëmijë, të punojnë më gjatë

Nëse propozimi për të ulur imigracionin pranohet nga votuesit zviceranë, ndryshimi demografik pasues do të ndikojë në mungesën e fuqisë punëtore në vend dhe rezervat e fondit të pensioneve, raporton thelocal, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, Partia Popullore Zvicerane (SVP), e cila nxiti referendumin ‘Jo 10 milionëve’ (që do të mbahet më 14 qershor), thotë se ekzistojnë disa zgjidhje.

Konkretisht, ajo i nxit banorët të kundërshtojnë trendin e ulët të lindjeve duke pasur më shumë fëmijë dhe propozon një shtyrje të moshës së daljes në pension nga 65 në 66 vjeç.

Zviceranët do të votojnë për një ndryshim të ri në ligjin e Shërbimit Civil

Vota për numrin e emigrantëve ka qenë në qendër të vëmendjes, por ka një çështje tjetër në lojë në referendumin e 14 qershorit të Zvicrës – një ndryshim i propozuar në Aktin e Shërbimit Civil.

Në thelb, qeveria dëshiron të shtrëngojë kërkesat për Shërbimin Civil, me qëllim që ta bëjë këtë opsion më pak tërheqës sesa shërbimi ushtarak ose i Mbrojtjes Civile.

Këshilli Federal dhe Parlamenti dëshirojnë të “sigurojnë që shërbimi civil të mbetet një përjashtim” dhe amendamenti i propozuar “synon të zvogëlojë numrin e njerëzve që zgjedhin shërbimin civil”.