Kosova

Antonov në Kosovë: Çfarë dihet për fluturimin e avionit gjigant An-124 në Prishtinë

Mbërritja e avionit transportues më 6 maj ngjalli interes të madh, por arsyeja e fluturimit mbetet e paqartë

Mbërritja e një avioni të tipit Antonov An-124 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, më 6 maj, ka nxitur kureshtje të madhe në Kosovë. Aeroplani, i njohur si një nga më të mëdhenjtë në botë për transport mallrash, përfshirë edhe pajisje ushtarake, u pa duke u ulur në aeroportin që ndodhet rreth 17 kilometra larg Prishtinës, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, arsyeja e këtij fluturimi mbetet ende e panjohur. Fluturimi i avionit me regjistrimin UR-82008 nuk është shfaqur në regjistrat e fluturimeve komerciale online, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka deklaruar se nuk ka informacione zyrtare lidhur me këtë mbërritje.

Uljen e avionit e ka dokumentuar edhe fotografi i njohur kosovar Arian Mavriqi, i cili ka publikuar pamje nga momenti i aterrimit. Po ashtu, entuziastë të aviacionit, vendorë dhe të huaj, kanë shpërndarë fotografi e video, duke aluduar se aeroplani është nisur nga një bazë ajrore në Gjermani.

Sipas tyre, ekziston mundësia që Antonov An-124 të ketë sjellë pajisje ushtarake për misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, por ky mision nuk ka kthyer përgjigje ndaj pyetjeve të Radio Evropa e Lirë lidhur me këtë çështje.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë i ka thënë REL-it se, si parim, nuk komenton transportet ushtarake dhe se deklarata e saj nuk përbën as konfirmim e as mohim për këtë fluturim. Megjithatë, ajo ka bërë të ditur se forcat e armatosura gjermane përdorin shërbimet e transportit të kompanisë Antonov.

“…Kapacitetet e Antonov Logistics SALIS GmbH përdoren për dërgimin dhe furnizimin e forcave gjermane në kontekstin e mbrojtjes kombëtare dhe mbrojtjes së aleancës, menaxhimit të krizave ndërkombëtare dhe menaxhimit të rreziqeve dhe krizave kombëtare”, ka deklaruar një zëdhënës i Ministrisë gjermane.

Për çfarë përdoren avionët Antonov?

Sipas të dhënave të publikuara nga kompania, Antonov Airlines është degë e Antonov Company me seli në Kiev të Ukrainës. Kjo ndërmarrje shtetërore operon një flotë të gjerë avionësh transportues, përfshirë pesë avionë të tipit An-124 Ruslan, të cilët mund të bartin ngarkesa deri në 150 tonë.

Dy prej këtyre avionëve përdoren përmes kompanisë Antonov Logistics SALIS GmbH, e cila ofron shërbime transporti për NATO-n dhe vendet e Bashkimit Evropian, kryesisht për dërgimin e “mallrave emergjente në situata krize”.

Për shkak të luftës në Ukrainë, kompania ka bërë të ditur se shërbimet e planifikimit të transportit dhe mirëmbajtjes janë zhvendosur përkohësisht në Lajpcig të Gjermanisë.

Fluturime të mëparshme në Kosovë

Kjo nuk është hera e parë që një avion i tillë zbarkon në Kosovë. Aeroporti i Prishtinës kishte publikuar fotografi të një avioni Antonov kur kishte mbërritur në vitin 2016, ndërsa grupi BBKRspotters kishte publikuar pamje të uljes së tij edhe në janar 2024./Albinfo.ch