Lajme
Rritja e çmimit të karburantit: Linjat ajrore reduktojnë shërbimet
Industria globale e aviacionit po përballet me një valë të re sfidash për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimit të karburantit për avionë, duke detyruar kompanitë ajrore të rrisin tarifat, të shkurtojnë shërbimet dhe të reduktojnë kapacitetet e fluturimeve.
Sipas të dhënave zyrtare të Departamentit Amerikan të Transportit, çmimi i një galoni karburanti për avionë arriti në 3.13 dollarë gjatë muajit mars, një rritje prej 31 për qind krahasuar me muajin shkurt.
Kjo ka sjellë një rritje të konsiderueshme të kostove operative për kompanitë ajrore. Vetëm në SHBA, shpenzimet për karburant të aviacionit arritën në mbi 5 miliardë dollarë në mars 2026, nga 3.88 miliardë dollarë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, kompanitë evropiane paralajmërojnë se po përballen me sfidën më të madhe që nga pandemia Covid-19.
Bileta më të shtrenjta dhe tarifa shtesë
Për shkak se karburanti përbën rreth një të katërtën e shpenzimeve të sektorit, shumë kompani kanë nisur të aplikojnë tarifa shtesë për pasagjerët, transmeton albinfo.ch.
Kompani si Air France dhe disa linja amerikane kanë filluar të rrisin çmimet e biletave, ndërsa të tjera po vendosin tarifa shtesë për bagazhet. Megjithatë, kompani si Swiss ende nuk kanë marrë vendim për masa të tilla.
Federata Franceze e Aviacionit deklaroi se rritjet e çmimeve do të jenë “shumë të moderuara”, pasi kompanitë synojnë të ruajnë një sezon veror të suksesshëm dhe shmangien e humbjes së pasagjerëve.
Reduktim fluturimesh dhe avionësh më të vegjël
Një tjetër strategji për uljen e kostove është reduktimi i fluturimeve dhe përdorimi i avionëve me kapacitet më të vogël.
Sipas kompanisë analitike Cirium, linjat ajrore kanë hequr mbi 9 milionë vende nga oraret verore të fluturimeve për periudhën qershor-shtator. Vetëm gjatë muajit maj janë reduktuar rreth 2 milionë vende.
Kompani si Lufthansa, Turkish Airlines, Air China, United Airlines dhe American Airlines kanë anuluar disa fluturime lidhëse ose kanë zëvendësuar avionët me modele më të vogla.
Swiss zhvendos fokusin drejt Azisë
Kompania zvicerane Swiss deklaroi se është përshtatur shpejt me bllokimet e trafikut ajror në Lindjen e Mesme, duke rritur fitimet në tremujorin e parë të vitit.
Për shkak të pezullimit të shumicës së fluturimeve drejt Dubait, kompania ridrejtoi një avion të liruar drejt New Delhit. Drejtori ekzekutiv i Swiss, Jens Fehlinger, tha se kërkesa e lartë për fluturime drejt Azisë po krijon mundësi të reja për kompaninë.
Megjithatë, Swiss mbetet e kujdesshme për muajt në vijim, duke e konsideruar këtë strategji si të përkohshme, por me potencial zgjerimi në Indi dhe tregje të tjera aziatike.
Shërbime më të kufizuara në bord
Përveç reduktimit të fluturimeve, disa kompani po shkurtojnë edhe shërbimet për pasagjerët.
Delta Airlines njoftoi se nga 19 maji do të eliminojë shërbimin e pijeve dhe ushqimeve në fluturimet e shkurtra, një vendim që ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale. Politika e “shërbimit zero” tashmë zbatohet edhe nga kompani të tjera si United Airlines.
Frikë për mungesë karburanti në Evropë
Ekspertët paralajmërojnë se tensionet në Lindjen e Mesme dhe bllokimi i Ngushticës së Hormuzit mund të krijojnë probleme serioze në furnizimin me karburant.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Evropa kishte në mesin e muajit prill rezerva karburanti vetëm për gjashtë javë.
Eksperti financiar John Plassard paralajmëroi se periudha më kritike pritet të jetë nga fundi i majit deri në mesin e qershorit, kur shumica e ngarkesave të nisura para bllokadës së Hormuzit do të kenë mbërritur tashmë në Evropë.
Ai shtoi se edhe në rast të një marrëveshjeje të menjëhershme mes Uashingtonit dhe Teheranit, rikthimi në normalitet nuk do të jetë i shpejtë për shkak të problemeve me sigurimet detare, rrugët tregtare dhe kapacitetet e rafinimit.
Zvicra me rezerva më të ulëta se parashikimet
Autoritetet zvicerane kanë konfirmuar se rezervat aktuale të karburantit janë më të ulëta se nivelet e kërkuara. Aktualisht, Zvicra ka rezerva për 72 ditë furnizim, në vend të 90 ditëve të parashikuara.
Ndërkohë, Australia ka njoftuar krijimin e një rezerve strategjike prej një miliard litrash karburant për t’u mbrojtur nga krizat energjetike në të ardhmen.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Kumbaro u bën thirrje prindërve në diasporë: Regjistroni fëmijët në shkollat shqipe Ministrja shqiptare Mirela Kumbaro Furxhi u ka bërë thirrje prindërve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit që... -
Zvicër–Kosovë, tregtia arrin 175 milionë franga: Marrëveshja e re heq barrierat doganore -
Kosovë–EFTA: Marrëveshja e Tregtisë së Lirë hyn në fuqi më 1 tetor -
Qarkullim i qetë në kufijtë e Kosovës, pritje deri në 20 minuta në Dheu i Bardhë -
Albanian Engineering of Switzerland: Tre të nominuar për Çmimin e Ekselencës Akademike 2026
Jeta në Austri
-
Çdo i dyti nxënës në shkollat vjeneze nuk flet gjermanisht Në Vjenë, nevoja për mbështetje në gjuhën gjermane është e lartë. Në të gjithë Austrinë, kjo... -
Austri: Bëhet thirrje për shkurtim prej disa miliardë eurosh në buxhetin e BE-së -
Austria e Poshtme do të mbyllë tre qendra të tjera azili -
Vjenë
Gurët e Adriatikut bëhen art: Luan Bajraktari me ekspozitën “Beneath the Tongue, a Pebble” në Kroaci -
Sa orë punohet në Zvicër dhe Evropë?











