Kosova
Afro 8 milionë euro fatura e zgjedhjeve të reja
Kosova pritet të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme vetëm pak muaj pas procesit të fundit, ndërsa kostoja për buxhetin e shtetit parashikohet të arrijë afro 8 milionë euro.
Pas një cikli të përsëritur zgjedhjesh brenda vetëm 16 muajve, Kosova pritet të përballet edhe me një proces të ri elektoral, i cili do t’i kushtojë buxhetit të shtetit afro 8 milionë euro. Zgjedhjet e reja vijnë pas dështimit për zgjedhjen e presidentit dhe shpërndarjes automatike të Kuvendit, duke krijuar edhe një barrë të re financiare për taksapaguesit, përcjell albinfo.ch.
Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pritet të ketë një kosto të konsiderueshme, në një kohë kur vendi tashmë ka kaluar disa procese zgjedhore në një periudhë të shkurtër.
Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 i kushtuan buxhetit të Kosovës rreth 7.1 milionë euro, ndërsa ato të 28 dhjetorit rreth 7.4 milionë euro, duke e shndërruar procesin zgjedhor në një faturë të përsëritur miliona euroshe.
Këtyre shpenzimeve u shtohen edhe 8.8 milionë euro të shpenzuara për dy raundet e zgjedhjeve lokale, të mbajtura në tetor të vitit të kaluar.
Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) thonë se pas caktimit të datës së zgjedhjeve, do të miratohet edhe planifikimi i buxhetit të nevojshëm për organizimin e tyre.
“Viti 2026 nuk është një vit zgjedhor dhe kjo do të thotë se në buxhetin vjetor të KQZ-së të ndarë me ligjin e buxhetit, nuk ka mjete të planifikuara për zgjedhje të parakohshme. Në rrethana të tilla, ashtu siç është vepruar në të kaluarën, KQZ-ja i drejtohet Qeverisë së Kosovës me kërkesë për mjetet që janë të nevojshme për mbulimin e shpenzimeve”, ka deklaruar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Sipas të dhënave të KQZ-së, shpenzimet reale në zgjedhjet e fundit kanë qenë më të ulëta sesa planifikimet fillestare. Për zgjedhjet e 9 shkurtit ishte paraparë buxheti prej 8.7 milionë euro, por sipas raporteve financiare janë shpenzuar 7.1 milionë euro. Ndërsa për zgjedhjet e 28 dhjetorit ishte planifikuar shuma prej 11.5 milionë euro, por shpenzimet reale, sipas raporteve jopërfundimtare, kanë qenë rreth 7.4 milionë euro.
Drejtori i Institutit GAP, Blendi Hasaj, vlerëson se mbajtja e zgjedhjeve të reja vetëm disa muaj pas atyre të fundit është shpenzim i panevojshëm.
“Ka raste kur zgjedhjet e jashtëzakonshme shërbejnë për t’u dhënë epilog disa proceseve, që i bën ato të kuptimta dhe në funksion të demokracisë. Por këto të ardhshmet, që po mbahen veç 3-4 muaj pasi i përfunduam një palë të tilla, nuk i shërbejnë asgjëje përmbajtjesore, e paratë e përdorura për mbajtjen e tyre janë para të çuara dëm. Para publike që po paguajnë për egon, pamaturinë e mungesën e lidershipit të liderëve politikë”, ka theksuar Hasaj.
Ai ka përmendur edhe alternativa se ku mund të investoheshin këto mjete nëse nuk do të shpenzoheshin për zgjedhje, duke përfshirë projekte për rritjen e efiçiencës së energjisë, ndërtimin e mbi 20 çerdheve brenda një viti, riciklimin, si dhe investime në inteligjencë artificiale.
Me dështimin e zgjedhjes së presidentit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës është shpërndarë automatikisht, duke hapur rrugë për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme./Albinfo.ch
E-Diaspora
-
Kumbaro u bën thirrje prindërve në diasporë: Regjistroni fëmijët në shkollat shqipe Ministrja shqiptare Mirela Kumbaro Furxhi u ka bërë thirrje prindërve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit që... -
Zvicër–Kosovë, tregtia arrin 175 milionë franga: Marrëveshja e re heq barrierat doganore -
Kosovë–EFTA: Marrëveshja e Tregtisë së Lirë hyn në fuqi më 1 tetor -
Qarkullim i qetë në kufijtë e Kosovës, pritje deri në 20 minuta në Dheu i Bardhë -
Albanian Engineering of Switzerland: Tre të nominuar për Çmimin e Ekselencës Akademike 2026
Jeta në Austri
-
Çdo i dyti nxënës në shkollat vjeneze nuk flet gjermanisht Në Vjenë, nevoja për mbështetje në gjuhën gjermane është e lartë. Në të gjithë Austrinë, kjo... -
Austri: Bëhet thirrje për shkurtim prej disa miliardë eurosh në buxhetin e BE-së -
Austria e Poshtme do të mbyllë tre qendra të tjera azili -
Vjenë
Gurët e Adriatikut bëhen art: Luan Bajraktari me ekspozitën “Beneath the Tongue, a Pebble” në Kroaci -
Sa orë punohet në Zvicër dhe Evropë?












