Lajme
Mashtrim i ri telefonik: mashtruesit pretendojnë se punojnë për OFCOM
Një skemë e re mashtrimi telefonik po qarkullon, kryesisht në Zvicrën frankofone. Persona që paraqiten si punonjës të Zyrës Federale të Komunikimeve (OFCOM) kontaktojnë qytetarët dhe i kërcënojnë me bllokimin e linjës telefonike. OFCOM ka konfirmuar se është në dijeni të këtij mashtrimi dhe këshillon që thirrjet e tilla të injorohen.
Metodat e mashtruesve po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara. Në këtë rast, viktimat telefonohen drejtpërdrejt në celular dhe informohen se numri i tyre është i lidhur me transaksione të dyshimta. Mashtruesi pretendon se është e nevojshme të bëhet një kallëzim dhe kërkon pagesë brenda një afati të caktuar, duke paralajmëruar se në të kundërt numri do të bllokohet, transmeton albinfo.ch.
Përdorimi i numrave zviceranë përmes falsifikimit (spoofing)
Një anëtar i ekipit të emisionit “On en parle” ka përjetuar personalisht këtë mashtrim. Ai është telefonuar nga një numër zviceran që fillonte me 078. Sapo mashtruesi kuptoi se ishte zbuluar, ndërpreu telefonatën. Kur u tentua rikthimi i telefonatës disa ditë më vonë, numri rezultoi i paarritshëm, çka sugjeron përdorimin e teknikës së falsifikimit të numrit (spoofing).
OFCOM, në një reagim për mediat, bëri të ditur se raportimet e para për këtë mashtrim janë marrë rreth dy muaj më parë dhe se të gjitha rastet kanë ardhur nga rajonet frankofone. Institucioni thekson se nuk telefonon qytetarët për të bllokuar numra dhe u bën thirrje të gjithëve që të ndërpresin menjëherë thirrje të tilla, të mos japin informacione personale dhe të mos reagojnë ndaj kërkesave për pagesë. Rastet e dyshimta mund të raportohen në Zyrën Federale për Siguri Kibernetike.
Në Gjenevë, autoritetet policore kanë regjistruar disa raste të ngjashme që nga fillimi i vitit, ku viktimat kanë humbur shuma prej disa mijëra frangash. Policia thekson se nuk kërkon kurrë pagesë për paraqitjen e një kallëzimi. Sipas ekspertëve, në skenarë të tjerë, mashtruesit mund të kërkojnë identifikim përmes videokonferencave, duke rritur rrezikun për hapjen e llogarive online në emër të viktimës.
Çfarë duhet të bëni nëse bini pre e mashtrimit?
Autoritetet këshillojnë që në rast se jeni mashtruar, duhet të kontaktoni menjëherë bankën për të kërkuar kthimin e mundshëm të shumës dhe më pas të njoftoni policinë duke bërë kallëzim zyrtar.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Pianistja shqiptare Fatjona Maliqi interpretoi veprën monumentale të Bach-ut në Gjermani Artistja shqiptare solli para publikut gjerman “Goldberg Variationen”, një nga kryeveprat më të njohura të muzikës... -
Gjermani
Shqiptarja Lindita Nebiu Hyseni ligjëruese në Universitetin SRH në Mynih -
Profesoresha nga Kosova ligjëron në Universitetin e Regensburgut në Gjermani -
Venera prezanton Kosovën në kongresin botëror të endokrinologjisë në SHBA -
KQZ numëron mbi 96 për qind të votave me postë
Jeta në Austri
-
Mbylljet e Transportit Publik të Vjenës në vitin 2026: Ndërprerje të S-Bahn, U3, U4 Tranziti i Vjenës përballet me mbyllje të mëdha deri në vitin 2027 pasi përmirësimet e hekurudhës... -
Austria bie dakord për rregulla të reja për vetëvrasjen e asistuar -
Mbyllet procesi i votimit në Vjenë: Votuan 907 qytetarë -
Përfundon procesi i votimit në qendrat diplomatike të Kosovës në Evropë -
Procesi i votimit në Ambasadën e Kosovës në Austri, i rregullt dhe pa pengesa












