Kosova

Zgjedhja e presidentit në Kosovë: Konjufca ia lë vendimin opozitës

Afati deri më 28 prill po afron, ndërsa mungesa e marrëveshjes politike mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja

Zëvendëskryeministri dhe kandidati i Lëvizja Vetëvendosje për president, Glauk Konjufca, ka deklaruar se zgjedhja e kreut të shtetit varet nga vullneti i opozitës, përcjell albinfo.ch.

Ai tha se është i gatshëm të tërheqë kandidaturën e tij nëse partitë opozitare paraqesin një propozim për president, duke shtuar se në rast të mungesës së marrëveshjes, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.

“Shkojmë në zgjedhje të reja nëse është vullneti i opozitës. Nuk kemi çka të bëjmë”, është shprehur Konjufca.

Kosova ndodhet në një periudhë vendimtare politike, pasi nëse deri më 28 prill nuk arrihet zgjedhja e presidentit në Kuvend, vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje parlamentare – për herë të tretë brenda një viti e gjysmë.

Ndërkohë, partitë politike vazhdojnë të mbeten larg një marrëveshjeje, me opozitën që akuzon Lëvizja Vetëvendosje se nuk po tregon interes për zgjidhjen e çështjes, ndërsa kjo e fundit kritikon opozitën për mungesë propozimesh konkrete./Albinfo.ch