Lajme

Shtëpi të mëdha, pak banorë: Zvicra kërkon t’i lëvizë “baby boomers”

Sipas të dhënave, rreth 300 mijë shtëpi njëfamiljare në Zvicër janë të nënshfrytëzuara, kryesisht të banuara nga persona të moshuar që jetojnë vetëm ose në çifte, edhe pse hapësira është shumë më e madhe se nevojat e tyre

Qeveria zvicerane po shqyrton mënyra për të nxitur gjeneratën “baby boomers” të zhvendoset nga shtëpitë e mëdha, në një përpjekje për të lehtësuar krizën e banesave në vend.

Sipas të dhënave, rreth 300 mijë shtëpi njëfamiljare në Zvicër janë të nënshfrytëzuara, kryesisht të banuara nga persona të moshuar që jetojnë vetëm ose në çifte, edhe pse hapësira është shumë më e madhe se nevojat e tyre .

Megjithatë, statistikat tregojnë se kjo kategori e popullsisë rrallëherë vendos të zhvendoset: norma e lëvizjes për pronarët në moshë pensioni është vetëm rreth 1.5%, ndërsa shumë prej tyre largohen nga shtëpitë vetëm pas moshës 85-vjeçare, transmeton albinfo.ch.

Për këtë arsye, autoritetet federale planifikojnë një studim kombëtar për të analizuar potencialin e këtyre zonave dhe për të gjetur mënyra më efikase për përdorimin e hapësirave ekzistuese. Qëllimi është që këto prona të mund të shfrytëzohen më mirë, sidomos nga familjet që përballen me mungesë banesash .

Megjithatë, qeveria nuk pritet të ndërhyjë me masa të detyrueshme. Në vend të kësaj, po shqyrtohen stimuj vullnetarë, si ndarja e shtëpive në njësi më të vogla apo krijimi i kushteve më të përshtatshme për të moshuarit që të zhvendosen.

Ekspertët theksojnë se një zhvendosje më e madhe e kësaj grupmoshe do të ndihmonte në shpërndarjen më efikase të banesave, duke rritur ndjeshëm disponueshmërinë për familjet e reja.

Në një kohë kur mungesa e banesave po bëhet gjithnjë e më problematike në Zvicër, kjo çështje pritet të mbetet në qendër të debatit publik, mes nevojës për politika të reja dhe respektimit të pronës private.