Lajme

Teatri “Mërgimtari” nga Kroacia sjell në Shqipëri shfaqjen “Kukulla”

Turneu do të mbahet nga 9 deri më 12 prill 2026 në Fier, Tiranë dhe Shkodër, me regji të Naser Shatrollit dhe tekst të dramaturgut kroat Miro Gavran.

Teatri Shqiptar “Mërgimtari” nga Kroacia do të sjellë në Shqipëri shfaqjen teatrore “Kukulla”, në kuadër të një turneu që do të zhvillohet nga data 9 deri më 12 prill 2026, me ndalesa në Fier, Tiranë dhe Shkodër, transmeton albinfo.ch.

Vepra është shkruar nga dramaturgu kroat Miro Gavran, ndërsa përshtatja dhe regjia janë realizuar nga Naser Shatrolli. Shfaqja trajton në mënyrë të thellë dimensione psikologjike dhe sociale të marrëdhënieve njerëzore në kohët moderne, duke sjellë një histori që synon të prekë ndjeshmëritë më të thella të publikut.

Në këtë produksion skenik interpretojnë aktorët Leonard Hamitaj dhe Qendresa Jashari, të cilët sjellin në skenë një rrëfim emocional dhe reflektues.

Turneu nis në Teatrin Bylis në Fier më 9 prill, në orën 18:00, vazhdon në Teatrin Metropol në Tiranë më 10 prill, në orën 20:00, dhe përmbyllet në Teatrin Migjeni në Shkodër më 12 prill, në orën 19:00.

Shfaqjet do të realizohen në bashkëpunim me institucionet kulturore lokale të këtyre qyteteve./Albinfo.ch

 

Facebook