Kosova

Zjarr i madh në fabrikën e stiropolit në Kosovë, dëmet mbi 400 mijë euro

Një incident i rëndë ka ndodhur në një fshat të Kosovës i qujatur Mushnikove, ku zjarri ka përfshirë fabrikën “Sat Styro”, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Mediat e Kosovës raportojnë se një fabrikë e stiropolit në shtetin e Kosovës, në Prizren u përfshi nga flakët më 7 prill 2026, duke shkaktuar dëme materiale që vlerësohen mbi 400 mijë euro.

Thuhet se rasti ndodhi në fshatin Mushnikove, ku zjarrfikësit dhe njësitet policore reaguan menjëherë për të vënë situatën nën kontroll.

Referuar informatave paraprake, dyshohet se zjarri mund të ketë nisur nga një makineri për thithjen e pluhurit brenda fabrikës. Ekipet e zjarrfikësve arritën të lokalizonin dhe të shuanin flakët, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit e Stacionit Policor në Prizren dhe njësia e krimteknikës, të cilët po kryejnë ekzaminime për zbardhjen e rrethanave.

Si pasojë e tymit, një punonjës i fabrikës ka pësuar probleme me frymëmarrjen dhe është dërguar për trajtim në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren. Sipas mjekut kujdestar, ai nuk ka lëndime të dukshme dhe ndodhet nën kujdesin mjekësor.

Pronari i fabrikës dhe punonjësi i prekur nuk kanë qenë në gjendje të japin deklarata për momentin. Strukturat përkatëse hetimore, përfshirë prokurorin e shtetit, janë njoftuar dhe hetimet për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit janë në vazhdim./Albinfo.ch