Shqipëria

Shqipëri: Dëmet e vërshimeve në bujqësi kapin vlerën e 300 milionë eurove

Me rreth 12 mijë hektarë tokë të përmbytur, vlera e dëmit në bujqësi nga prodhimi me shumicë te çmimet e tregut varion nga 14 deri në 30 miliardë lekë (300 milionë euro), sipas vlerësimeve paraprake të ekspertëve

Dy hektarë serra të shkatërruara. Rreth 40 mijë euro investime të humbura dhe mbi 100 mijë euro mall që nuk do të dalë kurrë në treg është fatura e fermës me serra perimesh të Mirlind Saraçit në Kosovë të Vogël të Lushnjës.

Përmbytjet e ditëve të fundit i kanë shkaktuar dëme rreth 150 mijë euro, për rikuperimin e të cilave duhen vite punë, pasi uji dhe llumi kanë prishur edhe cilësinë tokës dhe ndikojnë negativisht për mbjelljet e ardhshme.

Zhgënjimi i tij shkon përtej dëmit material. Pas 15 vitesh emigracion në Itali, ai u kthye në Shqipëri rreth 12 vite më parë, me bindjen se përvoja dhe kursimet do të mjaftonin për të ndërtuar një fermë funksionale. Sot, kthimin e quan “gabimin e jetës”, jo sepse bujqësia nuk funksionon, por sepse rreziku mbetet i pambuluar dhe përgjegjësia shpesh mbetet pa adresë, raporton Monitor, transmeton albinfo.ch.

Shqetësimi i Mirlindit nuk është vetëm me motin ekstrem, por edhe me funksionimin e shtetit. “Askush nuk njofton? As për reshjet e pritshme, as për hapjen e portave të HEC-eve”. Mirlindi thotë se nuk pati asnjë paralajmërim për hapjen e portave të digës.

Humbja nuk erdhi nga mungesa e informacionit dhe e koordinimit, që në zona të tilla shpesh rezulton po aq shkatërruese sa vetë përmbytja.

Historia e Mirlindit është e qindra fermerëve në zonë. Gentian Ziu, fermer nga Samatica e Beratit, thotë se dëmet janë përhapur në disa fshatra dhe përfshijnë serra, kultura në fushë dhe pemëtore, ndërsa një bilanc i saktë financiar mbetet ende i pamundur.

Në Samaticë, sipas tij, janë dëmtuar rreth 8 hektarë serra të sapombjella, ndërsa 3.5 hektarë lakër, gati për treg, janë shkatërruar plotësisht. Krahas tyre, dëme të konsiderueshme janë raportuar edhe në pemëtore, ku pjeshka, ulliri, mandarinat dhe portokajtë janë prekur në shkallë të ndryshme, pa mundësi për të dhënë ende një shifër përfundimtare. “Janë shumë”, thotë ai, duke theksuar se situata në terren ndryshon nga dita në ditë.

Në të gjithë Beratin, panorama është po aq e rëndë. “Dëmet në serra janë të pallogaritshme”, shprehet z. Ziu, duke shtuar se fermerët janë përballur jo vetëm me përmbytjet, por edhe me ngrica, me temperatura që kanë zbritur deri në minus 5 gradë. “Problem me ngricat, problem me përmbytjet”, përmbledh ai situatën, duke e cilësuar si një goditje të dyfishtë për prodhimin bujqësor.

Ilir Pilku, analist i të dhënave mbi bujqësinë, tha së dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e fundit në bujqësi janë rreth 150 milionë euro vetëm për prodhuesit. Ai e ka bërë këtë përllogaritje bazuar në sipërfaqen e përmbytur dhe llojet e kulturave të mbjella me çmimet e tyre të prodhimit.

Duke përllogaritur vlerën në tregun me pakicë dhe eksport, humbjet dyfishohen në 30 miliardë lekë dhe shpërndahen në të gjithë zinxhirin e bujqësisë nga fermeri, qendra e grumbullimit, eksporti dhe konsumatorët, të cilët do të paguajnë çmime më të larta dhe të investimeve të humbura në serra.

Ruzhdi Koni, i cili eksporton fruta dhe perime të freskëta nga serrat, me kompaninë e tij “Agrokoni”, tha se, përmbytjet kanë dëmtuar rëndë fermat e specializuara për eksport që janë të përqendruara në zonën e Beratit, Lushnjës dhe Fierit. Zoti Koni parashikon se këto dëme kanë efekte të gjëra në ekonomi dhe pritet të ndikojnë në uljen e eksporteve deri në 30%.

Përveç të mbjellave, dëme janë krijuar edhe në blegtori, në ushqimin e kafshëve, shpendë dhe pemëtari, banesa, rrugë dhe infrastruktura të tjera.

Fondet që qeveria ka në dispozicion nëpërmjet emergjencave civile nuk plotësojnë as 5% të dëmeve të deklaruara deri më tani në bazë të sipërfaqes së përmbytur.

Kryeministri Edi Rama tha se fermerët do të dëmshpërblehen nga përmbytjet e fundit, por Ministria e Bujqësisë ende nuk e ka një faturë finale rreth dëmeve, kostove, pasi të dhënat janë në përditësim.

Në Shqipëri, humbjet për shkak të klimës përballohen tërësisht nga fermerët pasi nuk funksionojnë skemat e sigurimeve, teksa qeveria jonë ofron mbështetje shumë të ulët për prodhuesit e cila nuk mjafton as në kohë normale për kostot e larta që përballet sektori.

Kulturat e dëmtuara në 12 mijë ha sipas qarqeve, 5791 fermerë të prekur

Për momentin nuk ka një vlerësim zyrtar kombëtar total për humbjet monetare, por sipas të dhënave nga operativë nga dikasteri i Bujqësisë, deri më datë 16 janar reshjet, përmbytjet dhe ngricat e janarit kanë prekur rreth 5,791 fermerë dhe rreth 12,172 hektarë sipërfaqe bujqësore, si dhe 5,551 krerë bagëti dhe 147 koshere bletësh. Të dhënat janë provizore dhe pritet të përditësohen.

Në Fier janë dëmtuar gjerësisht perimet 151 ha, drithërat 1,250 ha dhe foragjeret 1,700 ha. Janë raportuar edhe dëme shumë të mëdha në pemë frutore (rreth 300,000 rrënjë), si dhe sipërfaqe me vreshta dhe ullinj. Fieri është një nga qarqet me goditjen më të fortë në bujqësi.

Qarku i Beratit ka dëme të shpërndara në disa kultura – 247 ha drithëra, 368 ha foragjere, 270 ha kultura të tjera dhe 192 ha pemë frutore.

Korça ka një nga sipërfaqet më të mëdha të prekura me drithëra 1,360 ha dhe foragjere 415 ha, duke u renditur ndër qarqet më të goditura për këto kultura.

Në Gjirokastër, dëmet janë më të kufizuara me rreth 85 ha drithëra, 9 ha foragjere, si dhe dëme në pemë frutore 5,700 rrënjë dhe vreshta 24,000 rrënjë.

Në Vlorë janë prekur kryesisht drithërat 80 ha, foragjeret (25 ha) dhe një sipërfaqe e vogël me perime 2 ha, si dhe pemë frutore 12,000 rrënjë.

Në Elbasan janë raportuar dëme më të kufizuara 36 ha drithëra, 23 ha foragjere, si dhe dëme në pemë frutore 1,600 rrënjë dhe vreshta 280 rrënjë.

Në Shkodër dhe Lezhë dëmet janë përqendruar kryesisht në drithëra, foragjere dhe perime dimërore, për shkak të përmbytjeve. Shumë sipërfaqe kanë qenë nën ujë për disa ditë, duke rritur rrezikun e humbjes së prodhimit.

Në Tiranë dhe Durrës janë dëmtuar drithëra, foragjere dhe perime, si dhe pemë frutore dhe vreshta.

Në disa zona të Durrësit, dëmi ka arritur deri në 96% për disa kultura.

Një nivel kombëtar, drithërat janë dëmtuar në rreth 3,598 ha, foragjeret rreth 3,148 ha, kultura të tjera bujqësore rreth 4,151 ha, perime dhe luleshtrydhe rreth 480 hektarë, kryesisht në serra, ndërsa pemë frutore, vreshta dhe ullinj, rreth 790 hektarë.