Muzikë
“Kino Kosova”, një festë për filmin dhe integrimin me vlera
Drejtori artistik, Sabahet Meta: Festivali po bëhet një tregues serioz jo vetëm i nivelit të filmit në Kosovë por edhe i integrimit me vlera, të komunitetit kosovar në Zvicër
Mbrëmë, më 10 shtator, u hap edicioni i gjashtë i festivalit të filmit “Kino Kosova”, në Bernë. Në një sallë të mbushur plot, me një prani artdashësish zviceranë, shqiptarë dhe të tjerë, mbrëmja u karakterizua nga një frymë festive dhe pune, njëherësh.
Hapjes i ka paraprirë një apero e pasur që u ka mundësuar mysafirëve që një atmosferë të këndshme të shkëmbejnë me njëri tjetrin dhe të identifikohen me frymën e festivalit.
Në emrin e stafit, festivalin e prezantuan Aleksandra Hiltmann dhe Sabahet Meta, të cilët shpalosën veçantitë e këtij edicioni.
Programi i “Kino Kosova” vazhdon edhe katër ditë të tjera, deri të dielën, më 14 shtator, me një përmbajtje të pasur që përfshin jo vetëm shfaqje filmash por edhe panele debati, koncerte dhe ekspozitë artesh pamore. Albinfo.ch është partner medial i festivalit.
Duke hapur programin, zonja Hiltmann ka folur për rrugën e ndjekur deri më tani të festivalit “Kino Kosova”, rrugë të cilën e karakterizon rritja e vazhdueshme në cilësi dhe në numra filmash. Ajo ka nënvizuar karakterin e festivalit si një platformë e hapur për të gjithë, pa kufizime etnie, gjuhe, orientimi, përkatësie etj.
Si e tillë, “Kino Kosova” ka arritur të gjejë mbështetje, jo vetëm financiare, tek institucione dhe subjekte të ndryshme, zvicerane, kosovare etj.
Këtë vit jemi përcaktuar të ftojmë Portugalinë si mysafire të festivalit. Dhe ky përcaktim nuk është i rastit, ka thënë Hiltmann. Komunitetet nga Kosova dhe Portugalia kanë një numër, rol dhe peshë të përafërt sa i përket ndikimit në shoqërinë zvicerane. Dihet se sipas statistikave më të fundit, komuniteti portugez dhe ai shqiptar janë me numër pothuaj të barabartë në Zvicër.
Fjalën e ka marrë në vazhdim drejtori artistik dhe themeluesi i festivalit “Kino Kosova”, Sabahet Meta. Ai ka konfirmuar fjalët e parafolëses dhe ka shtuar se festivali po bëhet një tregues serioz jo vetëm i nivelit të filmit në Kosovë por edhe i integrimit me vlera, të komunitetit kosovar në Zvicër.
Meta ka përmendur si risi paraqitjen me ekspozitë të artistit nga Kosova, Yll Xhaferi, i cili ndodhet në Bernë si “artist në rezidencë”. Ai ka përshëndetur edhe kontributin e “Doku festit”, festivalit tashmë me emër, të filmit, nga Prizreni, si frymëzim për themelimin dhe mbajtjen e “Kino Kosovës”; në Bernë.
Në Bernë, zërat e rinj të kinemasë kosovare janë ndeshur me realizmin poetik të kinemasë portugeze. Programi i vendit mysafir, Portugalisë është kuruar nga Cíntia Gil, e njohur për punën e saj në festivalin prestigjioz Doclisboa. Ajo me këtë rast ka bërë një portretizim të kinematografisë së vendit të saj, gjegjësisht zhvillimit dhe kaheve të filmit portugez.
Vazhdimi i ka takuar shfaqjes së 4 filmave të shkurtër, artistikë, dy nga Kosova, një nga Portugalia dhe një nga Zvicra. Filmi “Rrugës”, i Samir Karahodës dhe ai “Si e sëmurë, e verdhë” i Norika Sefës, kishin në fokus realitetin kosovar në dy kohë të ndryshme dhe të shikuar nga aspekte të ndryshme. Përderisa filmi i Norika Sefës, me një vështrim të estetizuar përpunon pasojat e luftës përmes një xhirimi familjar, filmi “Rrugës” i Karahodës me një ton realist dhe me fabule të qartë merret me zymtësinë dhe mungesën e perspektivës për shumë njerëz, në Kosovën e pas luftës.
Filmi zviceran “1:10” i regjisorit Sinan Tarik me prejardhje turke vë në pah një situatë absurde dhe me tone komike të shpërthimit të dhunës në një shoqëri multikulturore si kjo e Zvicrës. Ndërsa filmi “The moving Garden” , i regjisores portugeze Ines Lima është një dedikim ëndrrave për dashurinë në rrethana jo të zakonshme.
Në mbrëmjen e hapjes së festivalit kanë qenë i pranishëm ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi me stafin diplomatik si dhe zëvendës ambasdori i Portugalisë.
Ditëve në vijim do të ketë shfaqje filmash të kinematografive pjesëmarrëse dhe debate si dhe programe shoqëruese, për të cilat Albinfo.ch do të ju mbajë në rrjedhë.
Autor i fotografive: Rromir Imami
E-Diaspora
-
Rama në Michigan: Do të hapim konsullatën shqiptare, Shqipëria nuk është më vend mbijetese Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi një takim me komunitetin shqiptar në Michigan, gjatë vizitës së... -
Në një shkollë të Bronx-it, shqipja mësohet krahas anglishtes -
Brajan Gruda e zgjedh Gjermaninë, përpara Shqipërisë -
Diaspora nga Zvicra, Gjermania e Austria në protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Edhe në Vjenë protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
Jeta në Austri
-
Diaspora nga Zvicra, Gjermania e Austria në protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së Pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, tubime janë paralajmëruar në Gjermani, Zvicër, Austri dhe... -
Edhe në Vjenë protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Zbulohen mbi 18 kilogramë drogë: Arrestohen një shqiptar dhe një austriak -
Austri
Shqiptari dënohet me gjashtë vjet burg në Austri për nëntë vjedhje -
Një person nga Salzburgu fiton 111,5 milionë euro në EuroMillions



















