Maqedonia

“Portreti i Nënë Terezës është pasqyra ku shohim nënën, shtëpinë dhe njeriun në nevojë”

Në 9 vjetorin e shenjtërimit të saj, albinfo.ch sjell një intervistë ekskluzive me piktorin dhe pedagogun Miftar Mehmeti, autor i veprave monumentale kushtuar Nënë Terezës

Në 9-vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, Albinfo.ch sjell rrëfimin e piktorit dhe pedagogut të njohur shqiptar, Miftar Mehmeti, autor i veprave monumentale kushtuar humanistes së madhe shqiptare. Z. Mehmeti njihet si ish-dekan i Fakultetit të Arteve në Universitetin Shtetëror të Tetovës, piktor, muzikant dhe bjeshkatar.

Albinfo.ch: Profesor Mehmeti, si lindi ideja për ta sjellë Nënë Terezën në artin tuaj?
Miftar Mehmeti: Fillimi ishte i thjeshtë. Teksa ilustroja një revistë rinore, disa punime të vogla u shndërruan në piktura të plota. Aty më lindi krahasimi i Nënë Terezës me nënat tona. E vendosa figurën e saj në oborrin tim, me rrobat e nënës sime. Kjo pikturë u bë një nga veprat e mia më të dashura dhe më të polemizuara, sepse tregonte se Nënë Tereza është pjesë e çdo shtëpie shqiptare.

Albinfo.ch: Çfarë vendi zë portreti i famshëm me njëqind fytyra që formojnë një portret të vetëm?
Miftar Mehmeti: Ky projekt u punua për 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës. Njëqind portrete të saj u bashkuan në një të vetëm. Zonja Liri Berisha e quajti “gjetje e zgjuar”. Vepra u ekspozua në Tiranë, Shkup, Tetovë, Prishtinë dhe Bruksel. Udhëtimi i portretit tregoi se figura e saj flet me të njëjtën forcë në çdo qytet, përtej feve e kufijve.

Albinfo.ch: Një moment i veçantë ishte edhe ekspozimi në Romë. Si e përjetuat?
Miftar Mehmeti: Në një kishë baroke të Romës, gjatë një konference për gratë e shenjta, portreti i Nënë Terezës u vendos para një audience të përbërë nga kardinalë, ambasadorë dhe personalitete ndërkombëtare. M’u dha fjala dhe përshëndeta në gjuhën shqipe, gjuhën e Nënë Terezës. Ishte një emocion i jashtëzakonshëm, një rikthim i zërit të saj në gjuhën amtare.

 

Albinfo.ch: Me rastin e shenjtërimit, keni realizuar një projekt të dytë, këtë herë me tetëdhjetë e shtatë piktura. Si ndryshon ky nga i pari?
Miftar Mehmeti: Për shenjtërimin nuk doja të përsërisja formën e parë. Angazhova kolegë dhe ish-studentë. Tetëdhjetë e shtatë piktura, secila duke trajtuar një element të figurës së saj, u bashkuan në një portret të vetëm. Ishte si një simfoni vizuale, ku secili kontribuonte me notën e vet. Ekspozita në Rektorat u shoqërua nga një ceremoni e veçantë me Don Lush Gjergjin dhe përfaqësues të kishës nga Shkupi e Prishtina.

Albinfo.ch: Çfarë përfaqëson për ju Nënë Tereza, sot, në 9-vjetorin e shenjtërimit të saj?
Miftar Mehmeti: Ajo na kujton përjetësisht detyrimin ndaj më të varfërve dhe të braktisurve. Artistikisht është figurë që kërkon rikrijim të vazhdueshëm. Moralisht është busull që e kthen penelin dhe mendimin drejt njeriut. Për mua, ajo është pasqyra ku shohim nënën, shtëpinë dhe njeriun në nevojë.

Albinfo.ch: Përtej Nënë Terezës, ju keni realizuar edhe cikle të tjera monumentale, si ai i Pavarësisë dhe Skënderbeut. Si lidhen ato me punën tuaj për humanisten shqiptare?
Miftar Mehmeti: Të gjitha këto projekte janë pjesë e së njëjtës përpjekje: ta përkthejmë historinë dhe figurat tona kombëtare në gjuhën e artit. Ashtu si Skënderbeu përfaqëson lirinë dhe Pavarësia identitetin, Nënë Tereza përfaqëson dashurinë dhe përkujdesjen.

Albinfo.ch: Çfarë mesazhi do t’u jepnit të rinjve artistë sot?
Miftar Mehmeti: Mos e shihni artin si një garë shpejtësie. Talenti mbrohet me punë të përditshme dhe me përkushtim. Nëse do të doni vërtet artin, do të mësoni ta doni edhe njeriun. Sepse arti është udhëtim, jo stacion.

Albinfo.ch: Faleminderit profesor!
Miftar Mehmeti: Faleminderit juve. Uroj shëndet dhe punë të ndershme për këdo që e do artin. Të takoheni me dritën, në mal dhe para një portreti të ri të Nënë Terezës.

Mini-biografi

Miftar Mehmeti ka lindur në fshatin Rakovec. Është piktor, muzikant, alpinist dhe pedagog i njohur shqiptar. Si profesor dhe ish-dekan i Fakultetit të Arteve në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ai ka ndikuar breza të tërë studentësh. Vepra e tij lidhet ngushtë me figurën e Nënë Terezës, të cilës i ka kushtuar projekte monumentale që janë ekspozuar në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Bruksel e Romë. Krahas artit, Mehmeti është koleksionist librash, pasionant i muzikës dhe i alpinizmit, duke mbetur një figurë e rëndësishme e kulturës shqiptare bashkëkohore.

Intervistën për Albinfo.ch e realizoi: Luljeta Ademi