Bota
Evropa pa ujë, cilat vende janë në alarm?
Në Zvicër temperaturat janë sërish të larta, por deri tani nuk ka probleme serioze me thatësinë. Situata është ndryshe në shumë vende të tjera të Evropës, ku mungesa e ujit është bërë shqetësuese.
Ja si paraqitet gjendja në vendet e Evropës, sipas SRF:
Qipro
Sipas Zyrës së Menaxhimit të Ujit, rezervat e ujit në Qipro kanë rënë në mënyrë dramatike. Aktualisht, digat janë të mbushura vetëm 16.1 %, krahasuar me 34.1 % një vit më parë. Tre vite me radhë ka pasur reshje të pamjaftueshme. Prioritet mbetet që të mos ketë ndërprerje të furnizimit me ujë në sektorin e rëndësishëm të turizmit, raportoi radioja shtetërore qipriote (RIK).
Turqia
Në veçanti në zonat turistike përgjatë Egjeut, furnizimi me ujë ndërpritet shpesh, pasi niveli i digave vazhdon të ulet. Në metropolin e madh Izmir, furnizimi me ujë është kufizuar me orar deri në fund të gushtit e njëjta gjë vlen për qytetin turistik Bodrum. Turqia po përballet këtë verë edhe me nxehtësi ekstreme. Sipas shërbimit meteorologjik, korriku ka qenë muaji më i nxehtë në 55 vitet e fundit. Në rajonin e Egjeut, vitin e kaluar ra 22 % më pak shi se mesatarja.
Greqia
Edhe këtu, digat kanë arritur nivele historikisht të ulëta. Rreth Athinës, rezervat e ujit kanë rënë me 50 % krahasuar me vitin 2022. Qeveria ka në plan të modernizojë rrënjësisht menaxhimin e ujit në vend, duke u fokusuar veçanërisht te teknologjitë e reja, siç është shkripëzimi i ujit të detit. Megjithatë, këto impiante janë të diskutueshme, pasi konsiderohen të kushtueshme, energji-intensive dhe jo shumë miqësore me mjedisin.
Spanja
Kontinenti spanjoll aktualisht nuk po vuan nga mungesa e rëndë e ujit, por ka probleme në ishullin Mallorca. Veçanërisht e prekur është zona Pla në pjesën e brendshme të ishullit, ku autoritetet e Balearëve kanë shpallur alarm thatësie. Sipas autoriteteve, pothuajse i gjithë arkipelagu po përballet me mungesë uji.
Britania e Madhe
Edhe disa pjesë të Anglisë po përballen këto ditë me thatësirë. Sipas Agjencisë Britanike të Mjedisit, ka një mungesë uji “me rëndësi kombëtare”. Pesë rajone vuajnë nga thatësira, ndërsa gjashtë të tjera nga moti vazhdimisht i thatë. Nivelet e ujit në shumë lumenj dhe diga janë nën mesataren për këtë periudhë të vitit. Anglia po përjeton gjysmën e vitit më të thatë që nga viti 1976. Në disa zona, kjo ka çuar tashmë në kufizime në Yorkshire, para pak javësh u ndalua ujitja e kopshteve me zorrë uji.
Italia
Italia po lufton me thatësirën. Vala e të nxehtit gjatë muajve të fundit dhe mungesa e shiut kanë bërë që jo vetëm të thahen arat, por të vuajë edhe bagëtia. Sipas Institutit për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Kërkime (Ispra), mungesa e ujit ndryshon shumë nga rajoni në rajon: ndërsa në veri ka vetëm mungesa të lehta, në qendër dhe jug situata është shumë më e rëndë. Veçanërisht kritike mbetet gjendja në Siçili dhe Sardenjë.
Franca
Në gjithnjë e më shumë zona të jugut të Francës, autoritetet kanë vendosur kufizime për përdorimin e ujit për shkak të thatësirës së vazhdueshme dhe temperaturave të larta. Prioritet është ruajtja e furnizimit me ujë të pijshëm. Për shkak të rënies së rezervave të ujit nëntokësor dhe niveleve të lumenjve, po aplikohen kufizime për bujqësinë. Gjithashtu, nuk lejohet më mbushja e pishinave, larja e makinave, ujitja e hapësirave të gjelbra publike dhe e kopshteve private me përjashtim të kopshteve të perimeve.
Të ngjashme
Të tjera nga Bota
E-Diaspora
-
Paradoksi i kohës sonë: Arritjet e grave rriten, por edhe dhuna në familje Zadi Balassi është udhëheqës projektesh në ndërtim të lartë dhe të ulët pranë Qytetit të Cyrihut.... -
AlphaTECH sjell zgjidhje të integruara të kallëpimit për projektet e ndërtimit -
Vjenë
Studentët nga Kosova shkëlqejnë në kampin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike në Vjenë -
Sunny Hill po kthehet në pikën kryesore të takimit të diasporës shqiptare -
“Sot me 200 mijë euro blini një apartament ëndrrash në Shqipëri, pas disa vitesh vetëm gjysmën”
Jeta në Austri
-
Vjenë
Studentët nga Kosova shkëlqejnë në kampin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike në Vjenë Lorik Kelmendi zuri vendin e parë në garën “AI Mini CTF”, Senad Mehmeti u rendit i... -
ÖBB rrit çmimet e biletave për shkak të kostove të larta të energjisë -
Gjykata austriake shpall të paligjshme tarifat e check-in dhe të imbarkimit në Ryanair -
20,000 persona kanë nënshkruar peticion për të hequr karrocat e kuajve nga Vjena -
Austri
Fejton Sylejmani diplomon me sukses në Universitetin e Salzburgut, fiton titullin Master i Arteve














