Një pjesë e madhe e shtëpive në Zvicër do të bëhen të pabanuara në dekadat e ardhshme, për shkak të nxehtësisë së lartë gjatë verës. Kjo paralajmërohet nga “SonntagsZeitung”, duke iu referuar Zyrës Federale të Energjisë së Zvicrës (SFOE).
SFOE kërkon përmirësime arkitekturore, por edhe masa individuale, si përdorimi i mbulesave ftohëse për shtratin, sistemeve të ftohjes portative, apo tekstileve speciale që ndihmojnë në ftohje.
Zyra gjithashtu kujton se sistemet e kondicionimit të ajrit, të cilat konsumojnë shumë energji, duhet të shmangen, ndërsa sistemet e centralizuara si “gjeoftohja” konsiderohen miqësore me mjedisin dhe ekonomike. Ky sistem kanalizon nxehtësinë në tokë përmes një rrjeti termik ose pompash gjeotermale. Gjatë dimrit funksionon në mënyrë të kundërt për të ngrohur shtëpinë.