Lajme

Kamerat e shpejtësisë në Zvicër, nga kamuflimi me bar, te gjobat milionëshe

Kamerat e shpejtësisë në Zvicër, të njohura për saktësinë e tyre, po shkaktojnë gjithnjë e më shumë diskutime dhe pakënaqësi. Nga pajisjet e kamufluara deri te matjet rekorde dhe dënimet me burg, Blick ka përzgjedhur dhjetë kamerat më të debatueshme në vend, që po kthehen në temë politike, sociale dhe mediatike, transmeton albinfo.ch.

Radar që gjeneron miliona – Baden, Aargau

E vendosur që nga viti 2020 në qytetin Baden, kjo kamerë fikse është kthyer në makth për shoferët dhe temë për betejë ligjore. Vetëm në vitin 2023, nga kjo pajisje janë mbledhur gjoba me vlerë 1.6 milionë franga, duke e bërë atë kamerën më “fitimprurëse” në Zvicër. Ndërkohë, nisma “Stop Speed Camera Scams” kërkon të rikthejë kontrollin kantonal mbi përdorimin e këtyre pajisjeve.

Rekord shpejtësie – 268 km/h në Bernë

Në maj të këtij viti, një 26-vjeçar u kap në afërsi të Münchenbuchsee duke vozitur me 268 kilometra në orë. Ai u arrestua menjëherë dhe makina iu konfiskua, pasi kishte tejkaluar kufirin me 143 kilometra për orë, duke regjistruar shkeljen më të rëndë të vitit.

Kamerë e stërngarkuar – Tuneli Gubrist, Cyrih

Kamera në tunelin Gubrist mbikëqyr të gjitha korsitë dhe regjistron deri në 19,000 shkelje në vit. Ajo nuk ndalon vetëm shpejtësinë e lartë, por edhe kalimet gjatë dritës së kuqe në tunel, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga shoferët.

E kamufluara me bar artificial – Horgen, Cyrih

Një tjetër kamerë në Cyrih ka nxitur reagime për shkak se ishte mbuluar me bar artificial. Banorët e cilësuan si mashtrim, ndërsa komuna argumenton se qëllimi është matja e sjelljes reale të drejtimit, jo mbledhja e gjobave.

Radar inteligjent në Langstrasse, Cyrih

Në këtë zonë të frekuentuar të qytetit, një kamerë e fshehur ndalon automjetet që nuk kanë të drejtë hyrjeje gjatë ditës. Çdo shkelje dënohet me 100 franga. Pajisja njeh dhe përjashton automatikisht autobusët, biçikletat dhe taksitë.

Kurthi ndërkufitar – Lucelle, Jura

Në dhjetor 2024, në një zonë pranë kufirit me Francën, një radar kapi 211 shoferë që tejkalonin një kufizim të panjohur shpejtësie prej 20 km/h. Shoferët u ankuan për “pritë të planifikuar mirë”, ndërsa policia theksoi se veprimi ishte ligjor, transmeton albinfo.ch.

Kamera pa bazë ligjore – Valais

Policia kantonale e Valais bleu një radar gjysmë të lëvizshëm për 300,000 franga, që më vonë u zbulua se regjistronte edhe hapësirat publike pa bazë ligjore. Pas ndërhyrjes së autoriteteve të privatësisë, përdorimi i saj u pezullua.

“Blicimi” pa kontroll – Grenchen, Solothurn

Në prill, një kamerë në Grenchen nisi të shkrepte blicin pa dallim, shkaktuar nga një defekt teknik. Policia siguroi se pamjet nuk u analizuan gjatë kohës së problemit.

Hakmarrje me BMW – Winterthur

Në vitin 2019, një shofer që ishte kapur më herët me 100 km/h në zonë me kufi 40 km/h, vendosi t’ia kthejë sistemit duke përplasur makinën e tij BMW mbi kamerën. Dëmi arriti 100,000 franga dhe ai u dënua me 22 muaj burg.

Kamerat false të banorëve – Bennau, Schwyz

Në një rrugë të zhurmshme, banorët vendosën dy kamera të rreme për të frenuar trafikun, përveç një origjinaleje. Policia ndërhyri dhe shoferët e revoltuar i njollosën ato me mbishkrimin “e rreme”, transmeton albinfo.ch.