Lajme
Zvicra forcon mbrojtjen kundër sulmeve kibernetike
Përballë rritjes alarmante të sulmeve kibernetike dhe mashtrimeve dixhitale, Zvicra ka themeluar Zyrën Federale të Sigurisë Kibernetike (OFCS), një ent të ri që tashmë është në vijën e parë të mbrojtjes digjitale të vendit. Vetëm gjatë vitit 2024, OFCS ka regjistruar 63,000 sulme dhe mashtrime online, një rritje prej 28 për qind krahasuar me një vit më parë, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.
Zyra ndodhet në zemër të Bernës dhe punon në mënyrë diskrete, por intensive, me 67 punonjës që monitorojnë, analizojnë dhe reagojnë ndaj kërcënimeve kibernetike. Ajo ofron ndihmë emergjente për qytetarët, institucionet dhe kompanitë, duke mbledhur çdo ditë 300 deri në 400 raportime, kryesisht për mashtrime online.
“Rreth 60 për qind e rasteve kanë të bëjnë me faqe mashtruese që nuk dorëzojnë mallrat e paguara,” tha Bibien Limido, anëtare e ekipit të kundërsulmeve. Mashtrimet ndryshojnë sipas sezonit: në fundvit lidhen me ofertat e Black Friday, ndërsa në verë me rezervimet përmes Airbnb dhe platformave të tjera të pushimeve.
Ashtu si vendet e tjera të zhvilluara, Zvicra mbikëqyr me përparësi infrastrukturat kritike si spitalet, termocentralet dhe institucionet financiare. Që nga 1 prilli, këto ente janë të detyruara të raportojnë çdo sulm, për të përmirësuar reagimin dhe kuptimin ndaj kërcënimeve, transmeton albinfo.ch.
Olivier Müller, analist teknik në OFCS, shpjegon se shpesh udhëzon kompanitë të ndërmarrin masa të menjëhershme. “Në rastet e ransomware, rekomandoj shkëputjen e rezervimeve të të dhënave për të parandaluar përhapjen,” thotë ai. Në situata kritike, ekipi i OFCS-it shkon edhe në vendngjarje.
Megjithatë, Zyra kufizohet vetëm në ndihmë emergjente dhe nuk konkurron me sektorin privat të sigurisë kibernetike.
Përveç reagimit, OFCS synon të parandalojë sulmet, duke përdorur sisteme të monitorimit dhe një platformë të dedikuar për identifikimin e dobësive digjitale në administratën publike dhe më gjerë, transmeton albinfo.ch.
Në këtë përpjekje, ajo mbështetet edhe te hakerët etikë, individë që në mënyrë të ligjshme ndihmojnë në zbulimin e cenueshmërive të sistemeve. “Aktualisht kemi 34 pjesëmarrës aktivë, shumica studiues të jashtëm të sigurisë,” konfirmon Lorenzo Pirondini, përgjegjës për menaxhimin e dobësive, i cili edhe vetë ka qenë më parë haker etik.
Në krahasim me vendet fqinje, OFCS është modest në madhësi. Homologu gjerman ka rreth 1,700 punonjës, por kompenson me efikasitet, koordinim dhe teknologji moderne.
Drejtori i OFCS, Florian Schutz, e pranon se kapacitetet aktuale nuk janë të mjaftueshme për sfidat e ardhshme. “Ne mund të bënim më shumë, por është politika ajo që vendos për burimet. Detyra ime është të jap maksimumin me atë që kemi,” transmeton albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Gjermani
Kosova me ligj të ri për shtetësinë, lehtësohen procedurat për diasporën në Gjermani Nga 22 maji kanë hyrë në fuqi rregulla të reja për regjistrimin, ri-fitimin dhe natyralizimin e... -
Vjosa Osmani të dielën në Zvicër, takon mërgatën shqiptare -
Në Vjenë promovohet libri i Zef Mazit për diplomacinë e Kosovës gjatë viteve 1991–1999 -
Baleti Kombëtar i Kosovës shkëlqen në Kolumbi me “Carmina Burana” -
Nju-Jork
Tragjedi në Manhattan: 56-vjeçarja shqiptare humb jetën pasi ra në një pusetë elektrike
Jeta në Austri
-
Ulje e TVSH-së në Austri: Blerje disa cent më lirë Të enjten u vendos ulja e TVSH-së. Qeveria flet për lehtësim - por klientët do të... -
Piktori shqiptar Haxhi Fejzullahu hap ekspozitën “Dheu nuk njeh kufi” në Austri -
Mijëra njerëz protestojnë në Vjenë kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision -
Shqipëria sonte në skenën e Eurovisionit, Alis performon me këngën “Nan” -
Nis sonte Eurovision 2026 në Vjenë











