Siguruesit shëndetësorë në Zvicër janë duke kundërshtuar rimbursimin e ilaçit anti-mbipeshë Wegovy, duke u shqetësuar për rritjen e kostove shëndetësore që kjo mund të shkaktojë. Sipas një raporti të SRF-së, në vitin 2024 rreth 40 mijë persona kanë përfituar nga rimbursimi i këtij ilaçi përmes sigurimit bazë shëndetësor. Për momentin, trajtimi është i limituar në tre vite dhe ndërprerja e papritur pa mbikëqyrje mjekësore mund të shkaktojë shtim të peshës trupore.
Dominique Durrer, presidente e Eurobesitas, shpjegon se obeziteti nuk është vetëm një çështje e kontrollit të dietës dhe ushtrimeve, por një sëmundje kronike me faktorë të shumtë rreziku. “Të thuash që të mbipeshët duhet vetëm të hanë më pak është një skandal dhe shumë stigmatizuese,” thotë ajo. Në Zvicër, përdorimi i Wegovy është shumë i rregulluar dhe ilaçi përshkruhet vetëm nga specialistë ose endokrinologë, me mbështetjen e një ekipi multidisiplinar që ndihmon në edukimin terapeutik të pacientit, transmeton albinfo.ch.
Kostoja e trajtimit është rreth 180 franga në muaj ose afërsisht 2 100 franga në vit, që nuk konsiderohet e lartë duke pasur parasysh kursimet që mund të arrihen në trajtimin e komplikacioneve të mbipeshës. Trajtimi nuk është për çdo person, por për pacientët me indeks masë trupore mbi 35 ose mbi 30 me komorbiditete.
Durrer shton se ndërprerja e trajtimit pa mbështetje mund të shkaktojë rikthim të peshës, por në kushtet e duhura pacientët mund të stabilizohen. “Dy vitet e para përdoren për humbjen e peshës, ndërsa viti i tretë për zvogëlim gradual të dozës,” shpjegon ajo.
Ndërkohë, sfida e madhe mbetet mungesa e fondeve për parandalimin e mbipeshës, ndërsa Wegovy shikohet si një mjet efektiv për ata që vuajnë nga një varësi hormonale ndaj ushqimeve të yndyrshme dhe të ëmbla.
Në të ardhmen, pritet që generikët e Wegovy të sjellin ulje të kostove duke lehtësuar qasjen për pacientët.