Kosova

Rreth 1 milion e 800 mijë fletëvotime do të shtypen për zgjedhjet lokale në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim që për raundin e parë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave të shtypen rreth 1 milion e 800 mijë fletëvotime. Ndërkaq, për raundin e dytë planifikohen të shtypen 1 milion e 250 mijë sosh, përcjell albinfo.ch.

Lidhur me specifikat teknike për shtypjen e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave të votuesve për Zgjedhjet Lokale 2025 foli Arianit Elshani nga Këshilli i Operacioneve Zgjedhore.

Në mbledhjen e KQZ-së më 2 korrik, ai tregoi se lista e votuesve për raundin e dytë është 4 mijë e 420.

“Këshilli për Operacione Zgjedhore ka shqyrtuar kërkesën e sekretariatit për shqyrtimin e specifikave teknike për shtypjen e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave votuese për zgjedhjet lokale. Lidhur me këtë dokument, ne i kemi dhënë komentet tona dhe janë bërë përditësimet e fundit lidhur me numrin e përgjithshëm të përllogaritur se sa do të shtypen për raundin e parë dhe të dytë të fletëvotimeve, listat votuese dhe broshurat. Bëhet fjalë për fletëvotimet për kuvend të komunës, në sasi prej 1 milion e 800 mijë. Broshura e kandidatëve për kuvend të Kosovës është 16 mijë e 980. Fletëvotimet për kryetarët e komunës janë 1 milion e 800 mijë. Ndërsa për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës janë të përllogaritura 1 milion e 250 mijë fletëvotime dhe lista e votuesve është 4 mijë e 420 për raundin e dytë”, tha Elshani.

Lidhur me këtë, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, sugjeroi që si bazë të merret numri maksimal i votuesve që kanë marrë pjesë në dy palët e fundit të zgjedhjeve lokale, ato të vitit 2017 dhe 2021, dhe mbi këtë numër të shtohen edhe 10 deri në 20 për qind më shumë fletëvotime.

Në këtë mënyrë, sipas tij, mund të reduktohet numri i fletëvotimeve.