Lajme

Ҫka duhet të keni parasysh kur udhëtoni drejt SHBA-së?

Raste të shumta të udhëtarëve të ndaluar, kontrolluar apo edhe refuzuar në kufirin amerikan kanë ngjallur shqetësime në rritje në Zvicër dhe më gjerë. Një prej tyre është ai i një mësueseje nga Cyrihu, e cila në prill u ndalua për 24 orë në aeroportin e Nju Jorkut, iu kontrollua telefoni dhe më pas iu refuzua hyrja në SHBA, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Në emisionin “On en parle” të RTS-së, eksperti i sigurisë digjitale Stéphane Koch dha disa këshilla kyçe për të shmangur probleme të tilla gjatë udhëtimeve në Shtetet e Bashkuara.

“Nëse nuk jeni shtetas amerikan, autoritetet kufitare në SHBA mund të kontrollojnë telefonin, kompjuterin dhe të dhënat tuaja pa pasur nevojë për një arsye specifike,” shpjegon Koch. “Ju mund të detyroheni të dorëzoni fjalëkalime apo qasje në pajisjet tuaja.”

Eksperti krahason të dhënat digjitale me bagazhin: “Kur udhëtoni, nuk merrni gjithë shtëpinë me vete, po ashtu nuk duhet të merrni gjithë të dhënat.”

Stéphane Koch rekomandon masa paraprake për të minimizuar rrezikun e abuzimeve:

  • Përdorni pajisje të ndara vetëm për udhëtim, me sa më pak të dhëna personale.

  • Bëni kopje rezervë të të dhënave përpara udhëtimit.

  • Vendosni telefonin në flight mode gjatë kontrolleve kufitare.

  • Çinstaloni përkohësisht aplikacione apo përmbajtje të ndjeshme, përfshirë kritika politike.

  • Përdorni softuerë enkriptimi si Veracrypt për të mbrojtur dokumentet konfidenciale.

Ai gjithashtu sugjeron që udhëtarët të përdorin opsionin e mohimit të besueshëm, një dhomë virtuale me të dhëna të parrezikshme për të cilat mund të jepet qasje, ndërsa të dhënat më delikate ruhen të fshehura, transmeton albinfo.ch.

Sipas rregullave të vizës, udhëtarët duhet të deklarojnë llogaritë e rrjeteve sociale që kanë përdorur në pesë vitet e fundit. “Përdorimi i pseudonimeve nuk ndihmon,” shpjegon Koch. “Monitorimi është intensiv dhe disa postime mund të ndikojnë në vendimin për lejimin e hyrjes.”

Ai rekomandon që të fshihen përmbajtjet kritike ndaj SHBA-së, sidomos ndaj administratës së mëparshme të Trumpit, për të shmangur keqkuptimet.

Stéphane Koch këshillon që familjarët të informohen për kohën e mbërritjes, të instalohet aplikacioni zyrtar Travel Admin dhe të caktohet një kontakt emergjence. “Në rast ndalimi, ata mund të kontaktojnë Ambasadën ose Departamentin Federal të Punëve të Jashtme,” thekson ai.

“Kontrolli kufitar nuk është vetëm një formalitet. Është një zonë ku privatësia juaj digjitale është realisht në rrezik,” përfundon Koch, transmeton albinfo.ch.