Lajme

Zvicër: Temperaturat rriten me ritëm alarmant, këto janë qytetet më të prekura

Nga malet e Davosit deri në rrugët e ngushta të qyteteve, Zvicra po përjeton një rritje alarmante të temperaturave – dyfish më të shpejtë se mesatarja globale. Shifrat e fundit nga Meteo Switzerland konfirmojnë një përkeqësim të ndjeshëm të klimës në vend, me pasoja që tashmë po ndihen në mënyrë të drejtpërdrejtë

Foto ilustrim

Sipas matjeve të fundit, stacioni në Zurich Kaserne – në zemër të qytetit – ka regjistruar temperatura gjatë natës deri në 5 gradë më të larta se zona rurale e Affoltern, shkruan 20 minuten, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, Davosi ka përjetuar një rritje të temperaturës mesatare vjetore nga 1.2 gradë Celsius në vitin 1864 në 5.4 gradë në vitin 2024 – një ndryshim drastik prej 4.2 gradë.

Të dhënat historike konfirmojnë trendin e qëndrueshëm të ngrohjes: të 25 vitet e fundit kanë qenë më të ngrohta se mesatarja 30-vjeçare e periudhës 1961-1990. Në dekadën e fundit, temperatura është rritur mesatarisht me 2.8 gradë krahasuar me vitet 1960, duke e bërë çdo dekadë më të nxehtë se ajo paraardhëse.

Temperaturat e verës në Zvicër kanë kapërcyer ndjeshëm nivelet historike,  nga një mesatare prej 11.6°C në vitet 1860 në mbi 15°C sot.

Në Cyrih, situata është bërë veçanërisht kritike: nga vetëm një verë me më shumë se 10 ditë mbi 30°C midis viteve 1961-1990, qyteti ka pasur 13 të tilla vetëm që nga viti 1990, transmeton albinfo.ch.

Edhe netët tropikale,  kur temperaturat nuk bien nën 20 gradë,  janë bërë fenomen i zakonshëm. Stacioni i Cyrihut ka regjistruar 11 vite me mbi 10 netë tropikale që nga 1993, ndërsa në vitet 2003, 2006 dhe 2015 ato kaluan edhe 20 netë.

Sipas skenarëve të Meteo Switzerland, deri në fund të shekullit Cyrihu mund të përballet me deri në 48 ditë me nxehtësi ekstreme dhe 45 netë tropikale çdo vit,  nëse emetimet vazhdojnë në nivelet aktuale. Për krahasim, zona rurale e Fluntern pritet të përjetojë rreth 30 ditë të nxehta dhe 20 netë tropikale në të njëjtën periudhë.

Ky ndryshim i thellë ndikohet nga faktorë të shumtë urbanë: ndërtesat ruajnë nxehtësinë gjatë ditës dhe e lëshojnë ngadalë natën; rrugët e ngushta dhe sipërfaqet e errëta e pengojnë qarkullimin e ajrit; mungesa e bimësisë ul efektin natyror ftohës, ndërsa ndotja nga trafiku dhe sistemet teknike kontribuojnë më tej në rritjen e temperaturës, transmeton albinfo.ch.

Zyra Federale për Mbrojtjen Civile ka përfshirë tashmë valët e nxehtësisë në listën e rreziqeve më serioze natyrore, krahas përmbytjeve dhe ortekëve. Aktualisht, në disa rajone të Zvicrës është shpallur niveli 3 i paralajmërimit për nxehtësi , niveli i dytë më i lartë,  i cili aktivizohet kur temperatura mesatare ditore kalon 25 gradë për tre ditë radhazi.

Qytetet zvicerane, dikur simbol i freskisë alpine, po kthehen gjithnjë e më shumë në “ishuj të nxehtësisë”, me pasoja serioze për shëndetin publik, infrastrukturën dhe cilësinë e jetës. Ekspertët theksojnë se pa ndërhyrje të shpejtë dhe të qëndrueshme për reduktimin e emetimeve dhe shtimin e sipërfaqeve të gjelbra, vera e së ardhmes mund të jetë e papërballueshme, transmeton albinfo.ch.