Deputetja e zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deklaroi se subjekti i saj tashmë i ka siguruar numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë Kurti 3. Ajo ftoi partitë tjera që ta sfidojnë Vetëvendosjen në Kuvend, duke theksuar se disa parti që deri tani kanë qenë në opozitë po e pengojnë me qëllim konstituimin e Kuvendit, sepse, siç tha ajo, e dinë se Vetëvendosja e ka shumicën për qeverisje.
Pas dështimit për herë të njëzet e tetë të seancës konstituive që Haxhiu të votohet për kryeparlamentare, ajo tha se janë të hapur që të marrin pjesë në takime të tjera të ftuara nga presidentja e vendit.
Haxhiu iu bëri thirrje deputetëve të partive të tjera që të reflektojnë dhe të dalin nga kjo situatë, sepse, sipas saj, është e pakuptimtë të shkosh në Kuvend dhe të mos bësh asgjë.
Haxhiu: Është e pakuptimtë të vish në Kuvend e mos të bësh asgjë
“Sa i përket ftesës së presidentes, tashmë ka ndodhur një takim i përbashkët me kryetarët e partive politike. Sipas informacioneve që i kemi, aty është diskutuar edhe për takime të ndara, veç e veç me liderë. Ne jemi shumë të hapur që të marrim pjesë edhe në këtë takim, ndonëse ftesa nuk është dërguar ende… Ndërsa, kur vjen puna te qeveria, siç e kemi thënë, mbetet përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje dhe partnerëve siç janë Guxo dhe Alternativa. Prandaj, në atë pjesë e marrim përsipër ne përgjegjësinë dhe punën dhe angazhimin në këtë drejtim. Urojmë që të kemi reflektim, sepse mendoj që është shumë e rëndësishme që secili deputet të jetë në krye të detyrës. Është e pakuptimtë thjesht të vish në Kuvend dhe të mos bësh asgjë,” tha Haxhiu.
E propozuara e LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ritheksoi kundërshtimin e subjektit të saj karshi propozimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për një qeveri të tranzicionit.
Krahas kësaj, Haxhiu përmendi deklarimin e deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, se “Qeveria Kurti është më e dëmshme sesa bllokimi i Kuvendit”. Sipas saj, kjo e konfirmon se partitë e tjera me qëllim po e pengojnë konstituimin e Kuvendit, sepse e dinë që LVV-ja i ka numrat për krijimin e qeverisë së re.
Haxhiu: I kemi numrat për qeverinë Kurti 3, le të na sfidojnë
“Nuk e kam të qartë se çfarë ka thënë zoti Gashi. Duhet ta theksoj që nuk e kam dëgjuar se si e ka theksuar. Ajo që ne e kundërshtojmë është kjo ideja e kryetarit të LDK-së për qeveri të tranzicionit. Shtrohet pyetja se pse duhet të kemi qeveri të tranzicionit kur qytetarët e Kosovës më 9 shkurt kanë folur… Ne kemi thënë që i kemi numrat për qeverinë dhe le të na matin, le të na sfidojnë. Këta e dinë që ne i kemi votat për qeverinë dhe e mbajnë peng Kuvendin e Republikës së Kosovës… Këtë e konfirmon një deklaratë e ish-ministrit të Drejtësisë, deputetit aktual, z. Tahiri, i cili thotë që më e dëmshme është qeveria Kurti se bllokimi i Kuvendit. Me këtë deklaratë, ata thonë që po e bllokojnë Kuvendin sepse më e dëmshme se bllokimi është qeveria Kurti. Për qytetarët e Kosovës kjo qasje nuk është e mirë,” tha Haxhiu.