Portrete të firmave
MESH, agjencia e teknologjisë digjitale që po bën dallimin në Austri dhe Kosovë
Pas 33 vjetësh në Austri, Meriton Shurdhani u kthye në Kosovë. Tashmë me gruan dhe tre fëmijët. Në vitin 2020, Meritoni hapi një degë të MESH në Kosovë. Fillimisht kishte vetëm një punonjës, Endrit Kryeziun, i cili tashmë është edhe partneri i tij në kompani. Sot, kompania MESH ka 15 të punësuar në Kosovë

Kur Meriton Shurdhani u shpërngul nga Kosova në Austri në moshën trevjeçare, askush nuk mund ta parashikonte se pas 33 vjetësh do të kthehej në vendlindje për të ndërtuar një prej agjencive më premtuese digjitale në rajon. I rritur me vlera të forta pune dhe me një pasion të trashëguar për teknologjinë nga babai i tij, ai nisi të eksperimentonte me kompjuterë që në fëmijëri. Ecuria e tij profesionale kaloi përmes sfidave të shumta në Austri, nga dështimet financiare në biznesin e parë, te certifikimi si konsulent digjital dhe ndërtimi i një klientele të gjerë ndërkombëtare.
MESH, agjencia e themeluar fillimisht në Austri, gjeti terren të përshtatshëm për rritje në Kosovë, ku sot punëson një ekip të ri, energjik dhe tërësisht shqiptar. Meritoni, e ndërtoi kompaninë mbi parimin e zhvillimit të brendshëm dhe refuzimit të “outsourcing”-ut, duke u fokusuar në edukim praktik, cilësi të lartë dhe shërbime të përshtatura për klientët në Austri, Gjermani, Zvicër e më gjerë. Ai, është shembulli i një suksesi që lidhet ngushtë me kthimin në vendlindje jo nga romantizmi, por nga vendime të menduara mirë, që tashme po japin rezultate konkrete.
Si nisi për Meritonin karriera në teknologjinë digjitale
Meriton Shurdhani pasionin për teknologjinë e mori nga babai i tij, i cili rregullonte satelitë dhe televizorë. Si i vogël, ishte i apasionuar pas faktit se si me gjuhë programuese mund të përmirësoheshin shumë procese.
“Mbaj mend si sot: kemi blerë një kompjuter me “Windows 95” nga një koleg i babait dhe ai kompjuter ishte gjithçka për ne. Ishte vendosur në dhomën e prindërve dhe unë me babain nuk ndaleshim së punuari aty net të tëra në kurriz të gjumit të nënës sime, që nuk kishte qetësi me javë të tëra. Më ka mahnitur gjithmonë ideja që proceset mund të përmirësohen përmes zgjidhjeve digjitale. Kam parë shumë kompani që kishin faqe interneti apo mjete softuerike që nuk u sillnin asnjë vlerë reale. Unë doja ta bëja ndryshe të ndërtoja një agjenci që nuk “programon për sy e faqe”, por që i kupton realisht nevojat e klientëve dhe ndërton zgjidhje që funksionojnë në praktikë”, për albinfo.at, flet Meritoni me pasion për punën që e bën.
Kur ishte vetëm tre vjeç, Meritoni u shpërngul me familjen në Austri, ku edhe u shkollua dhe nisi karrierën e tij profesionale. Në vitin 2016, Meritoni vendosi të ndalojë së punuari për kompani të tjera, dhe doli si i vetëpunësuar. Kjo i mësoi si të udhëheqë projekte, të kujdeset për klientët, e t´i kushtojë rëndësi të madhe cilësisë. Meritoni thotë se, duke bashkëpunuar me biznese të vogla, ka mësuar për strukturën, disiplinën dhe qasjen sistematike që i ka sjellë edhe në MESH.
“Në moshën 18-vjeçare hapa biznesin tim të parë si shumë të rinj në Austri, në fushën e financave. Financiarisht, ishte dështim total: komisionet që i merrje sot, duhej t’i ktheje nesër nëse klienti anulonte kontratën. Por ishte “shkollë” e mirë. Pas kësaj, shërbeva në ushtri dhe punova në disa vende, përfshirë një trajnim profesional në “Austrian Research Center”, punë në OVB, Leiner dhe Kremsmüller”, tregon ai për albinfo.at, sfidat e para në fillimet e karrierës.
Pas 33 vjetësh në Austri, ai u kthye në Kosovë, tashmë me gruan dhe tre fëmijët. Në vitin 2020, Meritoni hapi një degë të MESH në Kosovë. Fillimisht kishte vetëm një punonjës, Endrit Kryeziun, i cili sot është edhe partneri i tij në kompani.
Çka ofron MESH, dhe si funksionon mes Kosovës dhe Austrisë?
MESH fillimisht u themelua në Austri në vitin 2016, atëherë vetëm nga Meritoni. Kur projektet filluan të shtoheshin, në vitin 2020, ai nisi ndërtimin e një ekipi. Sot kompania ka 15 të punësuar në Kosovë, më kushte optimale të punës dhe pagë shumë të mirë për tregun e Kosovës, ndërsa në Austri aktualisht punon vetëm ai. Qendra operative është plotësisht në Kosovë, gjë që ia lehtëson menaxhimin Meritonit.
Kur flet për shërbimet e MESH, Meritoni thotë se kompania funksionon në dy drejtime:
- https://www.web-austria.at – ofrohen shërbime për biznese të vogla dhe të mesme që kanë nevojë për një prezencë të fortë dhe profesionale në internet: krijim faqesh web të personalizuara, optimizim për motorë kërkimi (SEO), menaxhim të fushatave në Google Ads dhe strategji të plota marketingu digjital.
- https://mesh-web.com – fokusi teknik: zhvillim softueri, digjitalizim dhe automatizim i proceseve të brendshme të kompanive. Qoftë aplikacione mobile, module ERP të personalizuara apo integrime të sistemeve ekzistuese, MESH i zhvillon të gjitha nga zero, në mënyrë të përshtatur sipas kërkesave të çdo klienti.
Meritoni tregon se ai është i certifikuar si Digital Consultant dhe Online Marketing & E-Commerce Consultant dhe kjo i jep të drejtën të këshillojë dhe të udhëheqë aplikimet për subvencione zyrtare shtetërore në Austri, që mund të arrijnë deri në 9.000 € për projekte digjitalizimi, dhe në disa raste të veçanta edhe deri në 18.000 €.
“Këto janë subvencione direkte nuk janë kredi dhe nuk ka kthim. Janë para që kompania i merr për të përmirësuar proceset dhe prezencën digjitale dhe ky është një shans real që nuk duhet humbur, veçanërisht nga kompanitë që udhëhiqen nga shqiptarë në Austri. Përveç kësaj, ekziston edhe një formë tjetër subvencioni për marketing ndërkombëtar, ku bizneset që janë të regjistruara në Austri, por që duan të depërtojnë në tregje të huaja përmes marketingut online, mund të përfitojnë deri në 50 % të kostove të reklamimit si subvencion. Edhe kjo është një mbështetje financiare pa kthim, që mund të shfrytëzohet për Google Ads, fushata në rrjete sociale dhe forma të tjera marketingu digjital për eksportin e shërbimeve ose produkteve“, sqaron tutje ai.
Dallimi mes MESH dhe agjencive tjera digjitale
Fokusi i MESH në Kosovë është në edukim dhe zhvillim.
“Besoj se në këtë fushë më së shumti mësohet në praktikë“, thotë Meritoni, teksa sqaron se MESH nuk bën out-soarcing, por produktet zhvillohen nga zero. Kjo gjë mirëpritet nga klientët austriakë, për të cilët e vlerësojnë stilin e kompanisë si shumë praktik dhe të drejtpërdrejtë.
MESH bashkëpunon me kompani nga Austria, Gjermania dhe Zvicra nga bizneset e vogla deri te ndërmarrjet industriale.
“Dy projekte më bëjnë veçanërisht krenar: E para është Mesh App, që e kemi zhvilluar brenda kompanisë. U mundëson bizneseve të menaxhojnë procese të brendshme si oraret e punës dhe kontabilitetin në mënyrë të centralizuar. Kjo do të lansohet së shpejti veçanërisht për tregun gjermanofolës. E dyta është një sistem për Mobile Device Management (MDM). Ka shumë pak kompani në botë që ofrojnë zgjidhje të tilla dhe zakonisht janë korporata shumëkombëshe. Por, edhe Mesh WEB nga Kosova ka ndërtuar një sistem funksional, që tashmë përdoret nga disa ndërmarrje në Austri.E kemi zhvilluar së bashku me partnerin tonë, Cardseven (https://www.cardseven.at) Në maj, do ta prezantojmë këtë projekt në Aeroportin e Vjenës, përballë disa prej kompanive më të mëdha logjistike në Evropë“, thotë Meritoni.
Mesazh për investitorët e huaj dhe diasporën
Meritoni ka dy mesazhe, një për investitorët e huaj, dhe tjetrën për diasporën.
“Për investitorët ndërkombëtarë që nuk kanë ndonjë lidhje personale me Kosovën: ju them shkurt ejani dhe shikoni me sytë tuaj. Kosova ka një gjeneratë të re, të motivuar, të gatshme për të mësuar dhe punuar. Mjafton një shtytje, pak mbështetje dhe këta të rinj bëjnë mrekulli. Klima ekonomike është atraktive, dhe njerëzit janë të hapur për ide të reja. Ka potencial të vërtetë nëse investimi bëhet me vizion dhe seriozitet.
Për diasporën kam një mesazh tjetër: sjellni projekte, sjellni ide! Është koha të bëjmë dallimin mes investimeve që kanë vlerë për vendin dhe atyre që janë vetëm për përdorim personal. Të ndërtosh një shtëpi për vete është e kuptueshme por nuk krijon zhvillim për askënd tjetër. Ajo që na duhet janë kompani që krijojnë vende pune, që i trajtojnë njerëzit me dinjitet dhe që paguajnë sipas standardeve evropiane. Aty fillon ndryshimi i vërtetë“, thotë Meritoni në një bisedë për albinfo.at.
MESH nuk ofron vetëm shërbime për klientë, por krijon edhe produkte të veta digjitale. Qëllimi i kompanisë është të ndërtojnë lokalisht, të ndikojnë globalisht dhe t’i tregojnë botës se Kosova nuk është vetëm “potencial”, por realisht ka njerëz që munden.
E-Diaspora
-
Me helikopterë privatë nga Zvicra në Shqipëri dhe Kosovë Pas muajsh përgatitje filloi aventura unike me tre helikopterë privatë, me një synim të veçantë: të...
-
AES fuqizon rolin e diasporës në teknologji dhe siguri
-
Gati 1 milion pasagjerë vetëm në muajin qershor, në Aeroportin e Tiranës
-
VLEN: Deklarata e Ali Ahmetit për regjistrimin është skandal, mërgata meriton përgjigje
-
Gjermani: Mërgimtari keqtrajton 17 vjeçaren nga Kosova
Jeta në Austri
-
Austria pritet të përballet me një valë të nxehti Pasi pjesa më e madhe e Evropës ka qenë në vapë të madhe, Austria është gati...
-
Austri: Prej 1 korrikut, kosto më të larta për këto shërbime
-
Austria do dyfishojë fondet për shëndetin mendor në shkolla pas tragjedisë në Graz
-
Rritje e interesimit për studimet mjekësore në Austri
-
Zjarr i madh në impiantin e riciklimit në Tirolin Lindor