Ndërkohë që vera po afrohet, tenderi për dhënien me qira të plazheve në Mal të Zi mbetet i paqartë dhe i mbushur me tension. Ndonëse miliarderi arab Mohamed Alabar ka paralajmëruar tërheqjen nga menaxhimi i nëntë plazheve në Ulqin, të cilat i fitoi përmes kompanisë së tij Eagle Hills, tërheqja e tij ende nuk është zyrtarizuar, transmeton albinfo.ch.
“Nëse Alabar tërhiqet, siç ka paralajmëruar sërish në mes të majit, atëherë presim që të ftohen ofertuesit e renditur të dytët për nënshkrimin e kontratave,” tha për Radion Evropa e Lirë nënkryetari i Komunës së Ulqinit, Petar Deliq.
Eagle Hills u regjistrua vetëm pak ditë para përfundimit të tenderit dhe arriti të renditet e para për menaxhimin e nëntë prej 19 plazheve për të cilat aplikoi. Oferta e saj ishte mesatarisht 5 mijë euro më e lartë se e ofertuesve të dytë, ndërsa garancia bankare e depozituar kap vlerën prej rreth 600 mijë eurosh.
Sipas burimeve nga sektori i turizmit në Ulqin, kompania po negocion me ofertuesit e renditur të dytë për mundësinë e ndarjes së garancisë në rast të tërheqjes. Por përfaqësues të Eagle Hills nuk i janë përgjigjur kërkesave për koment, transmeton albinfo.ch.
Alabar nuk ka sqaruar pse mori pjesë në tender për t’u tërhequr më pas. Disa analistë, përfshirë ekonomistin Mirza Krniq nga lëvizja “Preokret”, e lidhin këtë me plane më të mëdha për ndërtim në prapavijën e Plazhit të Madh, ku është paralajmëruar një projekt prej 30 miliardë eurosh në kuadër të një marrëveshjeje strategjike mes Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Duket se gjithçka ishte përgatitje për një projekt më të madh: dhënie e tokës shtetërore, sigurim i infrastrukturës dhe përshtatje e ligjeve me interesat e investitorit,” u shpreh Krniq.