Raportohet se një burrë në Prizren ka therur për vdekje vajzën e tij 15-vjeçare, ndërsa ka lënduar rëndë të bijën tjetër, ka njoftuar Policia e Kosovës. Siç bëhet e ditur, lëndime ka pësuar edhe gruaja 35-vjeçare, përcjell albinfo.ch.
I dyshuari është arrestuar, thonë autoritetet e Policisë së Kosovës.
Në njoftimin e Policisë sqarohet se emergjenca mjekësore nuk ka arritur t’i japë ndihmë në vendin e ngjarjes viktimës, për shkak se aty ndodhej i dyshuari me thikë në dorë. Pas kësaj janë nisur katër patrulla policore. Kjo ka ndodhur para orës 06:00 të mëngjesit të së martës.
“Në vendngjarje është kuptuar se një i dyshuar, M.G., viti i lindjes 1981, mashkull, ka therur me thikë dy vajzat e tij: njëra, 15-vjeçare, e cila ka mbetur e vdekur në vendngjarjes, dhe tjetra, e lënduar rëndë, e cila, për momentin, ndodhet në gjendje të rëndë në QKUK në Prishtinë. I dyshuari ka lënduar veten gjithashtu dhe gjendet në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Lëndime ka pësuar edhe e shoqja e tij, 35-vjeçare”, thuhet në njoftim të Policisë rajonale.
Të gjithë këta janë shtetas turq me banim të përkohshëm në Prizren.