Lajme
Ukraina dhe SHBA-ja nënshkruajnë marrëveshje për mineralet, krijojnë Fond Investimesh për Rindërtim
                                                                        Mësohet se Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë nënshkruar një marrëveshje që i jep ShBA-së qasje në mineralet e rralla me vlerë të lartë të Ukrainës – një marrëveshje që Kievi shpreson se do të sigurojë vazhdimësinë e mbështetjes amerikane në luftën kundër Rusisë, përcjell albinfo.ch.
Vlen të theksohet se marrëveshja krijon Fondin e Investime për Rindërtim ShBA-Ukrainë, për të cilin Departamenti i Thesarit të ShBA-së tha se do t’u mundësojë të dyja vendeve të “punojnë bashkërisht dhe të investojnë së bashku për të siguruar që asetet, talentet dhe kapacitetet tona të përbashkëta të përshpejtojnë rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës”.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi në një komunikatë për media se marrëveshja “është një sinjal i qartë për Rusinë se administrata Trump është e përkushtuar ndaj një procesi paqeje të bazuar në një Ukrainë të lirë, sovrane dhe të begatë në afat të gjatë”.
Bessent e quajti themelimin e Fondit për Investime një partneritet ekonomik historik, dhe ia atribuoi presidentit amerikan, Donald Trump, nxitjen për nënshkrimin e marrëveshjes si pjesë e përpjekjeve të tij për t’i dhënë fund luftës.
“Siç ka thënë presidenti, Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të ndihmojnë në ndërmjetësimin për përfundimin e kësaj lufte mizore dhe të pakupimtë”, shtoi Bessent.
Trump është shprehur i pakënaqur me ritmin e ngadaltë të bisedimeve. Më 29 prill, Departamenti i Shtetit i SHBA-së bëri një tjetër përpjekje për të nxitur përparim, duke paralajmëruar se SHBA-ja mund të tërhiqet nga negociatat në mungesë të progresit.
Ministrja e Ekonomisë dhe zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, e nënshkroi marrëveshjen së bashku me Bessentin, sipas Departamentit të Thesarit. Në një postim në Facebook, ajo tha se marrëveshja “mund të sjellë sukses për të dyja vendet tona” dhe “do të tërheqë investime globale në shtetin tonë”.
Svyrydenko theksoi se fondi do të financohet ekskluzivisht nga të ardhurat e licencave të reja – përkatësisht 50 për qind nga licencat për materiale kritike dhe projekte të naftës dhe gazit – që do të hyjnë në buxhetin e Ukrainës sapo të themelohet fondi.
Ndihmë ushtarake?
Përtej aspektit financiar, Ukraina e sheh këtë marrëveshje si çelës për sigurimin e ndihmës së mëtejshme ushtarake nga SHBA-ja.
“Përveç kontributeve financiare direkte, kjo mund të sjellë edhe ndihmë të re – për shembull sisteme mbrojtjeje ajrore për Ukrainën”, shkroi ajo në platformën X (ish-Twitter).
Ajo shtoi se marrëveshja është në përputhje me Kushtetutën e Ukrainës, dhe nuk ndryshon kursin e integrimit evropian të Ukrainës. Po ashtu, theksohet se të gjitha burimet natyrore në territorin dhe ujërat territoriale të Ukrainës i përkasin Ukrainës, dhe se vetëm Kievi do të vendosë se çfarë dhe ku do të nxirret.
Qeveria ukrainase e miratoi marrëveshjen më 30 prill, duke i dhënë autorizimin Svyrydenkës për ta nënshkruar atë në Uashington. Marrëveshja duhet ende të ratifikohet nga Parlamenti ukrainas për të hyrë në fuqi.
Departamenti amerikan i Thesarit deklaroi se do të punojë me Korporatën Amerikane për Financimin e Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC) dhe me Qeverinë e Ukrainës për të finalizuar zbatimin e programit dhe për të avancuar partneritetin.
Duke folur më herët, më 30 prill, për televizionin ukrainas, kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, e quajti marrëveshjen “me të vërtetë një marrëveshje të mirë, të barabartë dhe të favorshme për investime të përbashkëta në zhvillimin dhe rindërtimin e Ukrainës”.
Në platformën Telegram, Shmyhal sqaroi se secila palë do të ketë të drejtë vote prej 50 për qind në Fondin e Rindërtimit, dhe fitimet e fondit do të riinvestohen ekskluzivisht në Ukrainë.
Për të adresuar një shqetësim kyç të Kievit, ai theksoi se Ukraina nuk do të detyrohet të paguajë asnjë “borxh” për miliardat e dollarëve ndihmë që ka marrë nga SHBA-ja që nga fillimi i pushtimit rus, në shkurt të vitit 2022.
Trump pati deklaruar në shkurt se dëshiron qasje në mineralet e rralla të Ukrainës si kusht për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-sl, duke e përshkruar këtë si një mënyrë kompensimi për ndihmën financiare që SHBA-ja i ka dhënë Kievit.
Por, bisedimet ngecën pas një takimi të tensionuar në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë në Uashington, që përfundoi me përplasje verbale midis presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, Trumpit dhe nënpresidentit JD Vance.
SHBA-ja kërkon qasje në më shumë se 20 lëndë të para që i konsideron me rëndësi strategjike, përfshirë depozitat e titanit (që përdoret për krahët e aeroplanëve dhe prodhim të pajisjeve ajrore) dhe uraniumit (që përdoret për energji bërthamore, pajisje mjekësore dhe armë). Ukraina gjithashtu ka rezerva të litiumit, grafitit dhe manganit – përbërës kyç për bateritë e makinave elektrike.
Trump tha se marrëveshja “në teori” nënkupton se SHBA-ja do të përfitojë më shumë nga Ukraina sesa ka dhënë.
“Desha të jem i mbrojtur”, tha ai në një intervistë për NewsNation, duke shtuar se nuk donte të dukej “naiv” pa marrë kompensim për investimin.
Më herët, në një mbledhje të kabinetit, Trump pati deklaruar se prania amerikane “do të mbajë jashtë vendit shumë aktorë të këqij – ose të paktën larg zonës ku do të bëhet nxjerrja”
E-Diaspora
- 
                        USA                        
                            
                            Kur ëndrrat nuk njohin kufij, rrugëtimi akademik i Albulena Ukës Albulena Uka ka bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm nga Mitrovica në qendrat më prestigjioze të dijes... - 
                                                
                            
                            Në Stokholm, Lea Ypi sjell rrëfimin e ri mbi lirinë dhe identitetin shqiptar - 
                                                
                            
                            Në Berlin u prezantua romani “ë” i autores Jehona Kicaj - 
                                                
                            
                            Marigona nis postdoktoraturën si Fulbright Visiting Scholar në Los Angeles - 
                                                
                            
                            Eksodi i bardhë: Mjekët po i kthejnë shpinën Kosovës 
Jeta në Austri
- 
                                                
                            
                            Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë Studimi i EY: 90% e familjeve austriake përpiqen të kursejnë energji, 17% nuk mund t'i paguajnë... - 
                                                
                            
                            Austri: Debatohet zgjatja e limitit prej 200 eurosh për orët shtesë pa taksa - 
                                                
                            
                            Çmimet e shtëpive familjare në Austri rriten me 2.2% në fillim të vitit 2025 - 
                                                
                            
                            Kërkesat për azil në Austri bien me 32% në vitin 2025 - 
                                                
                            
                            Vjenë: 200 ankesa të paraqitura kundër supermarketeve për zbritje mashtruese 


                        







