Kosova
BE: Serbia e shkeli Marrëveshjen e Ohrit
Bashkimi Evropian konsideron se Serbia e ka shkelur Marrëveshjen e Ohrit me qasjen ndaj procesit të marrjes së statusit të mysafirit special të Kosovës në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, përcjell albinfo.ch.
“Sjellja e Serbisë në Këshillin e Evropës është në kundërshtim të qartë me detyrimet e Marrëveshjes së Ohrit nga Serbia”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga selia e BE-së.
Bashkimi Evropian (BE) ka thënë të premten se Serbia, me sjelljen e saj në Këshillin e Evropës, është duke e shkelur Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023, në të cilën, mes tjerash, Beogradit i kërkohet të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Kosova hasi edhe në një pengesë tjetër gjatë kësaj jave në Këshillin e Evropës (KiE), pasi kërkesa e saj për të qenë mysafire speciale në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, u hoq nga rendi i ditës të mërkurën.
Serbia, përmes delegacionit të vet në këtë Komitet, por edhe përmes kryetares së Kuvendit, Ana Brnabiq, u krenua për këtë arritje, duke e quajtur si fitore të madhe të Serbisë në mbrojtjen e interesave kombëtare.
I pyetur për këtë, një zëdhënës i BE-së tha të premten se Serbia qartazi po i shkel detyrimet e saj nga Marrëveshja e Ohrit, e arritur mes saj dhe Kosovës më 2023.
“Sjellja e Serbisë në Këshillin e Evropës është një shkelje e qartë e obligimeve të Serbisë nga Marrëveshja e Ohrit”, thotë zëdhënësi i BE-së, duke nënvizuar se ky obligim përmendet në nenin 4 të Marrëveshjes, ku flitet për moskundërshtimin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.
Serbia, në disa raste në të kaluarën, ka lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, ndonëse Marrëveshja e arritur me lehtësimin e Bashkimit Evropian qartë thotë se ajo nuk mund ta bëj një gjë të tillë.
Marrëveshja nuk është nënshkruar, por BE-ja ngul këmbë se ajo është ligjërisht e detyrueshme për palët dhe duhet të zbatohet në tërësi.
Kosova dështoi të anëtarësohet në Këshillin e Evropës në fillim të vitit 2024, për shkak se u kushtëzua me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Edhe Asociacioni është obligim për Kosovën nga kjo Marrëveshje.
Vitin e kaluar, Serbia kishte formuar grup punues për koordinimin e aktiviteteve të autoriteteve shtetërore kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Këshilli i Evropës është organizatë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Anëtarësimi eventual do t’i ndihmonte Kosovës, mes tjerash, në fushën e sundimit të ligjit, dhe luftimin e korrupsionit.
E-Diaspora
-
Vendimi në Hagë, protestohet edhe në Nju Jork Hajdari thekson se diaspora shqiptare u mblodh mbrëmë në Times Square si një trup i vetëm... -
Kusari-Lila diskuton me përfaqësues nga Gjermania për investime në Kosovë -
“Tri Net Film Fest” nis sot në Winterthur, tre net me film, art dhe kulturë -
Zvicër
Argenita Fetahu sjell në Luzern ekspozitën personale “Beyond Silence” -
Policia holandeze jep detaje për protestën në Hagë: Dy të arrestuar, një polic i lënduar
Jeta në Austri
-
Zbulohen mbi 18 kilogramë drogë: Arrestohen një shqiptar dhe një austriak U sekuestruan gjithsej 1.496,7 gramë kokainë, 16.952,4 gramë marihuanë, 58,8 gramë metamfetaminë kristalore, 160 euro para... -
Austri
Shqiptari dënohet me gjashtë vjet burg në Austri për nëntë vjedhje -
Një person nga Salzburgu fiton 111,5 milionë euro në EuroMillions -
Austri: Rregulli i ri i pensioneve duhet të sjellë më shumë para për të gjithë në të ardhmen -
Çdo i dyti nxënës në shkollat vjeneze nuk flet gjermanisht











