Lajme
Çka dihet deri më tani për sulmin në Magdeburg
Dhjetëra njerëz u plagosën dhe të paktën dy persona, duke përfshirë një fëmijë të vogël, u vranë të premten pasi një makinë përplasi një turmë njerëzish në një treg Krishtlindjesh në qytetin lindor të Gjermanisë, Magdeburg, në atë që zyrtarët lokalë po e përshkruajnë si një sulm terrorist.
Të paktën 68 persona të tjerë u plagosën, duke përfshirë 15 të cilët janë në gjendje kritike, sipas udhëheqjes së qytetit.
Në sulm, një BMW e zezë hyri drejt e në turmë në tregun e Krishtlindjeve, duke ecur me shpejtësi për 400 metra në drejtim të bashkisë, sipas dëshmitarëve okularë, shkruan The Guardian.
Videot e postuara në rrjetet sociale shfaqën një veturë me ngjyrë të errët, duke ecur në turmë me shpejtësi të madhe. Disa media i shfaqën videot në raportimet e tyre, por autenticiteti i pamjeve ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Punonjësit e urgjencës u panë duke trajtuar viktimat në terren në treg, të rrethuar me gjak. Në vend u ngritën tenda të improvizuara. Dëshmitarët raportuan se kishin dëgjuar të qara dhe britma. Operatori i një tezge ushqimore në treg i përshkroi skenat si “të kujtojnë luftë”.
“Kjo është një ngjarje e tmerrshme, veçanërisht tani në ditët para Krishtlindjeve”, tha udhëheqësi i Saksoni-Anhalt, Reiner Haseloff, i cili ishte rrugës për në Magdeburg.
Drejtuesi i makinës u arrestua menjëherë dhe më vonë u identifikua si Taleb A., një mjek 50-vjeçar nga Arabia Saudite. Haseloff tha se burri kishte jetuar në Gjermani që nga viti 2006. I dyshuari, një konsulent për psikiatri dhe psikoterapi, u njoh si refugjat në vitin 2016.
Disa media gjermane vunë në dukje postimet e kaluara të të dyshuarit në mediat sociale, në të cilat ai thuhet se shprehte pikëpamje kritike ndaj Islamit dhe madje kishte paralajmëruar për “rreziqet” e një islamizimi të Gjermanisë.
Pamjet nga vendi i ngjarjes shfaqën autorin e dyshuar të shtrirë në tokë, me kokën ngritur, pranë një makine të zezë të dëmtuar rëndë. Një polic disa metra larg tij po drejtonte një armë të tërhequr në drejtim të tij ndërsa kalimtarët shohin të tronditur.
“Siç qëndrojnë gjërat, ai është autori i vetëm, kështu që me sa dimë nuk ka asnjë rrezik të mëtejshëm për qytetin”, tha Haseloff.
I dyshuari e mori me qira makinën pak para sulmit, sipas raporteve që citojnë një burim sigurie dhe nuk njihej për autoritetet se kishte një ‘sfond islamik’.
Një grua që foli për gazetën rajonale, Mitteldeutsche Zeitung, tha se autori “kishte futur qëllimisht në pjesën e tregut të Krishtlindjeve të zbukuruar me skena nga përrallat”, ku ishin mbledhur shumë familje me fëmijë të vegjël. Ajo i tha gazetës se sapo kishte arritur të largonte veten dhe fëmijën e saj nga rruga kah po vinte vetura.
Pas incidentit, policia pastroi një zonë përreth automjetit për të hetuar ndonjë pajisje të mundshme shpërthyese, raportoi transmetuesi lokal MDR. Më vonë citoi policinë të thoshte se një pajisje e tillë nuk ishte gjetur.
Një operacion policor ishte gjithashtu duke u zhvilluar në qytetin e Bernburgut, në jug të Magdeburgut, ku i dyshuari besohet të ketë jetuar, raportoi gazeta lokale Mitteldeutsche Zeitung.
Policia nuk ishte menjëherë e disponueshme për të komentuar raportet për një artikull të dyshimtë ose operacionin në Bernburg.
“Raportet nga Magdeburg ngrenë frikën më të keqe”, tha kancelari gjerman, Olaf Scholz, në platformën e mediave sociale X. Ai do të udhëtojë në Magdeburg të shtunën së bashku me ministren e brendshme, Nancy Faeser, sipas zëdhënësve të tyre.
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, shkroi se “pritja e një Krishtlindjeje paqësore u ndërpre papritmas” në sulm, por paralajmëroi se “sfondi i veprës së tmerrshme ende është sqaruar”.
Alice Weidel, udhëheqësja e AfD, e cila është fokusuar në sulmet xhihadiste në fushatën e saj kundër emigrantëve, shkroi në X: “Kur do të ndalojë kjo çmenduri?”.
E-Diaspora
-
Nga Zvicra në Kosovë: Historia e Vali Ranch në fokus te televizioneve shqiptare Nga Zvicra në Kosovë, historia e Vali Ranch prezantohet në “Pushime on Top” të Top Channel... -
Kino Kosova rikthehet në Bernë: Edicioni i shtatë mbahet më 9–13 shtator 2026 -
Baleti Kombëtar i Kosovës prezanton “Bolero” dhe “Correr o Fado” në Festivalin Ndërkombëtar të Baletit në Bodrum -
Itali
Romë: Arbenita Ibrahimi shkëlqen në skenën e “Notti Romane” -
Zvicër
Dr. Zana Spahija Taturi, gjinekologia shqiptare që po kontribuon në luftën kundër FGM/C
Jeta në Austri
-
Austri: Deri në 17 për qind më shumë natyralizime në gjysmën e parë të vitit Në gjysmën e parë të këtij viti, 17 për qind më shumë njerëz u natyralizuan në... -
Shkollat e Policisë në Vjenë përballen me vende të zbrazëta pavarësisht 900 aplikantëve -
Trenat e Aeroportit të Vjenës devijohen pas zjarrit në kabllon Praterstern -
Austri: Ka shtënë me armë mbi policët, burg i përjetshëm për kosovarin -
Vetëm 3 nga 30 kafenetë e Vjenës shërbejnë ujë falas











