Integrimi

Arianit Preçi, shkencëtari shqiptar i teknikave të udhëtimit kozmik

Arianit Preçi është një emër i ri shqiptari nga Gjermania që ka arritur rezultate të dalluara në një fushë pothuaj të pashkelur më parë nga shqiptarët: ai është diplomuar dhe së fundi edhe ka doktoruar në lëmin e studimeve të Hapësirës Ajrore dhe Teknikës së Udhëtimit Kozmik

Arianiti, i lindur në Kosovë, i është bashkuar familjes në Gjermani si nxënës i fillores. Pasi e ka kryer gjimnazin dhe maturën në Bailingen në vitin 1997, ai vazhdon studimet  për Hapësirën Ajrore dhe Teknikat e Udhëtimit Kozmik, në Universitetin e Stutgartit. Nga viti 2002-2003, ishte në ushtar në Bundeswerin gjerman dhe pjesëtar i NATO-s me vendqëndrim në  Maqedoni. Pasi e kreu shërbimin ushtarak, në vitin 2004, iu kthye përsëri studimeve, me ç’rast e kishte  në prioritet aspektin praktik, duke e absolvuar atë jashtë vendit, në Izrael, (Technion-Israel Institut of Technology). Dhe pas një pune sistematike dhe studimi të mirëfilltë, në vitin 2005, e merr Diplomën- Inxhinier për Hapësirën Ajrore dhe Teknika të Udhëtimit Kozmik.

Që nga viti 2005-2012, Arianiti bëhet bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Udhëtimeve Kozmike në Universitetin e Shtutgartit, ku ishte dhe menaxher i studimeve. Dhe nga viti 2013, ai merret me shkencën e këtij profili. Konkretisht ai punon në Deutschezentrum für Luft und Raumfahrt (DLR) Institut für Aerodynamik und Strömungstechnik, Abteilung für Über- und Hyperschaltechnologien, Köln.

Arianiti  i qaset  me vullnet studimit dhe punës shkencore. Ambicia e tij  që një ditë të bëhet shkencëtar ishte e kamotshme. Dhe, një ditë ai ia doli. Me shumë sukses më  30.06.2014, e  mori titullin doktor shkencash në temën: VARIABLE  MODELLIERUNG  HOCHEN THALPER  GASSTRÖMUNGEN  IM  THERMOCHEMISCHEN  NICHTLGEICHGEWICHT MI T ANWENDUNG AUF  DEN  MARSEINTRITT (Modelimi Variabil  i Rrymimeve me Eutalpi të fortë në dezekuilibrin Termokimik me Aplikim në hyrjen e Atmosferës së Marsit). Arianiti tregoi një sukses të jashtëzakonshëm duke mbrojtur temën e doktoraturës me një vlerësim  shumë të lartë.

Lënda të cilën e trajton Arianiti në studimet e kësaj fushe shkencore, e ka shtuar dhe një zbulim të ri në shkencën e aeronautikës, posaçërisht në fushën e zbulimit në hyrjen e Atmosferës së Marsit.

Arianiti punësohet në Shtutgard, duke dashur të kultivojë eksperiencën e tij në këtë lëmi shkencore, që është kërkesë e domosdoshme në këtë vend dhe në çdo mes tjetër shoqëror.

Arianiti  i takon moshës ende të re, është një djalosh i thjeshtë por me mendime të shëndosha, pikëpamje të formuara, me aftësi  dhe ide  të guximshme, që është cilësi dhe karakteristikë te njerëzit e rrallë. Edhe më herët dhe gjatë studimeve, por edhe tani  në këtë periudhë kohe, kur  Arianiti e merr titullin shkencor në Gjermani, ai nuk largohet  edhe nga aktivitetet e ndryshme  atdhetare. Ndjek me kureshtje lëvizjet  dhe frymëmarrjen e diasporës si edhe  fatin e njerëzve të vet në atdhe.

Diaspora shqiptare e shpërndarë në perëndim dhe gjetiu, ka plot të rinj, që sot kanë avancuar në lëmi të ndryshme, shkencore, për të cilët ka nevojë, jo vetëm rrethi ku jetojnë e veprojnë, por edhe atdheu i tyre.

Biografi

Arianit Preçi,  është i lindur në vitin 1976 në Prishtinë, nga babai Lekë dhe nëna Marie, me prejardhje nga fshati Doblibare (Balldrin), nga komuna e Gjakovës.

Babai i Arianitit, Leka, punoi një kohë të gjatë si arsimtar i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Obiliq, dhe pas një kohe,  në marrëveshje me Ministrinë e Arsimit në mes Kosovës  dhe  Gjermanisë, vendoset në Albstadt  të Stutgartit, për t`i mësuar fëmijët e diasporës shqiptare në mësim plotësues. Arianiti dhe pjesa tjetër e familjes i bashkohen atij më vonë.