Futboll
Kosova, në vazon e katërt në shortin e kualifikimeve për Botëror
Më i rëndësishëm se shorti i së premtes për plejofin e Ligës së Kombeve, për Kosovën dhe për të gjitha përfaqësueset evropiane është shorti i kualifikimeve për Kupën e Botës 2026 në futboll.
Shorti i kualifikimeve evropiane hedhet më 13 dhjetor, nga ora 12:00, në Zurich të Zvicrës.
Është me shumë rëndësi ndarja e përfaqësueseve nëpër vazo. Kualifikimi në Botëror varet shumë nga ndarja në vazo, përkatësisht nga përfaqësueset me të cilat Kosova do të përballet në grupin kualifikues.
Dhe, me shumë mundësi Kosova do të jetë vetëm në vazon e katërt.
Në kualifikimet për Kampionatin Botëror 2022, Kosova ishte në vazon e pestë. Tani është në vazon e katërt, por sërish kualifikimi në ngjarjen globale do të jetë shumë i vështirë.
Të paktën në letër Kosova do t’i ketë tri përfaqësuese më të forta në grup. Nëse bie në grup me katër përfaqësuese, në letër do të llogaritet përfaqësuesja me më së paku gjasa për kualifikim në Botërorin që mbahet në Kanada, Meksikë e SHBA.
Kualifikimet evropiane për Botëror nisin në mars të vitit të ardhshëm. Pasi Kosova në mars pritet t’i luajë ndeshjet e plejofit të Ligës së Kombeve, kualifikimet e Botërorit pritet t’i fillojë në qershor apo shtator, varësisht nëse do të bjerë në grup me katër apo pesë përfaqësuese. Do të formohen 12 grupe në kualifikime, gjashtë me katër e gjashtë të tjera me pesë përfaqësuese.
Fituesit e grupeve kualifikohen në Botëror, ndërsa përfaqësueset e vendeve të dyta do të luajnë në plejof. Kualifikimet përfundojnë në nëntor të vitit 2025.
Procedura e shortit të kualifikimeve është goxha e komplikuar, për shkak edhe të gërshetimit me Ligën e Kombeve.
Në vazon e parë për short janë tetë përfaqësueset çerekfinaliste të Ligës së Kombeve dhe katër përfaqësueset e tjera më të ranguara në FIFA. Vazoja e parë përbëhet nga Spanja, Portugalia, Gjermania, Franca, Italia,. Holanda, Danimarka, Kroacia, Anglia, Belgjika, Zvicra e Austria.
Vazot e tjera përcaktohen në bazë të ranglistës së FIFA-s për muajin nëntor. Ranglista e FIFA-s publikohet më 28 nëntor. Kështu që ndarja e përfaqësueseve nëpër vazo nuk është ende zyrtare. Por agjencia e njohur e lajmeve, AP, ka publikuar një shkrim të gjatë për vazot e shortit të kualifikimeve.
Kosova aktualisht është e 101-ta në renditjen e FIFA-s. Dhe në short, sipas AP-së, do të jetë vetëm në vazon e katërt së bashku me Bullgarinë, Luksemburgun, Bjellorusinë, Armeninë, Kazakistanin, Azerbajxhanin, Estoninë, Qipron, Ishujt Faroe, Letoninë dhe Lituaninë.
Botërori do të zhvillohet me plot 48 përfaqësuese. Prej tyre 16 do të jenë nga Evropa.
Sërish në kualifikime nuk do të jetë Rusia. Ndërkohë Kosova nuk mund të jetë në një grup kualifikues me Serbinë e Bosnjë-Hercegovinën.
Në kualifikimet e kaluara për Botëror, Kosova ishte vetëm e fundit në grup me Spanjën, Suedinë, Greqinë e Gjeorgjinë. Tani synon pozitë dukshëm më të lartë. Por shumë do të varet nga shorti i 13 dhjetorit.
Vazot (jozyrtare) e shortit për kualifikimet evropiane për Botërorin 2026
Vazo 1: Spanja, Portugalia, Gjermania, Franca, Italia, Holanda, Danimarka, Kroacia, Anglia, Belgjika, Zvicra, Austria
Vazo 2: Ukraina, Turqia, Suedia, Uellsi, Hungaria, Serbia, Polonia, Greqia, Rumania, Sllovakia, Çekia, Norvegjia
Vazo 3: Skocia, Sllovenia, Irlanda, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Gjeorgjia, Finlanda, Islanda, Irlanda e Veriut, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Izraeli
Vazo 4: Bullgaria, Luksemburgu, Bjellorusia, Kosova, Armenia, Kazakistani, Azerbajxhani, Estonia, Qipro, Ishujt Faroe, Letonia, Lituania
Vazo 5: Moldavia, Malta, Andorra, Gjibraltari, Lihtenshtajni, San Marino.
E-Diaspora
-
Gjermani
Kosova me ligj të ri për shtetësinë, lehtësohen procedurat për diasporën në Gjermani Nga 22 maji kanë hyrë në fuqi rregulla të reja për regjistrimin, ri-fitimin dhe natyralizimin e... -
Vjosa Osmani të dielën në Zvicër, takon mërgatën shqiptare -
Në Vjenë promovohet libri i Zef Mazit për diplomacinë e Kosovës gjatë viteve 1991–1999 -
Baleti Kombëtar i Kosovës shkëlqen në Kolumbi me “Carmina Burana” -
Nju-Jork
Tragjedi në Manhattan: 56-vjeçarja shqiptare humb jetën pasi ra në një pusetë elektrike
Jeta në Austri
-
Ulje e TVSH-së në Austri: Blerje disa cent më lirë Të enjten u vendos ulja e TVSH-së. Qeveria flet për lehtësim - por klientët do të... -
Piktori shqiptar Haxhi Fejzullahu hap ekspozitën “Dheu nuk njeh kufi” në Austri -
Mijëra njerëz protestojnë në Vjenë kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision -
Shqipëria sonte në skenën e Eurovisionit, Alis performon me këngën “Nan” -
Nis sonte Eurovision 2026 në Vjenë














