Lajme
SHBA-ja thotë se është e shqetësuar nga ligji i propozuar për agjentë të huaj në Mal të Zi
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se janë thellësisht të shqetësuara për pasojat e mundshme që ligji i propozuar për agjentët e huaj mund t’i shkaktojë demokracisë, të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, përfshirë lirisë së shprehjes dhe bashkimit në Malin e Zi, vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
I pyetur nga Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë për të komentuar rreth njoftimit nga koalicioni “Për të ardhmen e Malit të Zi” se do të propozojë miratimin e një ligji për agjentët e huaj, Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se ai do të mund t’i kufizonte aktivitetet e shoqërisë civile.
“Një ligj i tillë mund ta kufizojë hapësirën për veprime civile, mund t’i stigmatizojë organizatat e shoqërisë civile që angazhohen për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Malit të Zi, dhe mund të pengojë punën kritike të mediave të pavarura, të cilat raportojnë duke u bazuar në fakte. Këto elemente janë jashtëzakonisht të rëndësishme për të gjitha institucionet dhe sistemet demokratike”.
Koalicioni “Për të ardhmen e Malit të Zi” tha më 9 tetor se e konsideronte të nevojshëm propozimin urgjent të një ligji për agjentët e ndikimit të huaj në Malin e Zi.
Një ligj i tillë, sipas këtij koalicioni, do të rregullonte “funksionimin e agjencive të huaja që, nën petkun e organizatave joqeveritare, përpiqen të ndikojnë në politikën e brendshme dhe atë të jashtme”.
Koalicioni përbëhet nga partitë proruse të ish-Frontit Demokratik – nga Demokracia e Re Serbe e Andrija Mandiqit dhe nga Partia Popullore Demokratike e Millan Knezheviqit.
Mandiq është kryetar i Parlamentit të Malit të Zi.
Ambasada e SHBA-së në Podgoricë ka thënë për REL-in se nuk i ka parë hollësitë e propozimit të koalicionit “Për të ardhmen e Malit të Zi” për ligjin për agjentët e huaj, dhe se nuk mund të komentojë për ngjashmëritë e supozuara të tij me Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj në SHBA, i njohur si FARA, të cilit i është referuar koalicioni.
FARA është në përputhje me obligimet ndërkombëtare të SHBA-së për të drejtat e njeriut dhe respekton të drejtën për bashkim dhe lirinë e shprehjes. FARA nuk përpiqet të kufizojë aktivitetet e organizatave të shoqërisë civile apo të mediave, ka thënë Ambasada.
Kërkesa e një pjese të shumicës parlamentare në Mal të Zi për miratimin e një ligji për agjentët e huaj u cilësua nga organizatat joqeveritare dhe nga opozita si kërcënim serioz për demokracinë dhe për integrimin evropian të Podgoricës.
Për këtë iniciativë, partitë e ish-Frontit Demokratik nuk morën mbështetjen e partive të tjera me të cilat ato janë në pushtet, Demokratët dhe Lëvizjen Evropa Tani të kryeministrit Millojko Spajiq.
Një ligj i tillë ekziston në Rusi dhe në Gjeorgji, dhe versione të ngjashme ka edhe në vende të tjera, si Bjellorusia dhe Sllovakia.
Për shkak të këtij ligji, procesi i integrimit evropian të Gjeorgjisë praktikisht është pezulluar./ Radio Evropa e Lirë
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Fjolla dhe Ardiana prezantojnë “Vajzë”, një urë mes Kosovës dhe Zvicrës “Vajzë”: Moda si urë mes kulturave... -
USA
Kur ëndrrat nuk njohin kufij, rrugëtimi akademik i Albulena Ukës -
Në Stokholm, Lea Ypi sjell rrëfimin e ri mbi lirinë dhe identitetin shqiptar -
Në Berlin u prezantua romani “ë” i autores Jehona Kicaj -
Marigona nis postdoktoraturën si Fulbright Visiting Scholar në Los Angeles
Jeta në Austri
-
Rita Ora gati ta ndezë atmosferën në hapjen e sezonit dimëror në Austri Rita Ora gati për skenën e madhe në Alpet austriake... -
Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë -
Austri: Debatohet zgjatja e limitit prej 200 eurosh për orët shtesë pa taksa -
Çmimet e shtëpive familjare në Austri rriten me 2.2% në fillim të vitit 2025 -
Kërkesat për azil në Austri bien me 32% në vitin 2025









