Integrimi

Migrantët, rezolutë parlamentit kundër dëbimit të bashkëqytetarëve

Një delegacion i organizatave të migrantëve i ka dorëzuar rezolutën Kryetarit të Parlamentit Zviceran

 

 

Organizatat e migrantëve i kanë dorëzuar sot një rezolutë kryetarit të Parlamentit të Zvicrës,  Stéphane Rossini. Përmes kësaj rezolute ata kërkojnë ndalimin e dëbimeve të njerëzve, të cilët janë rritur në Zvicër, apo të cilët këtu kanë qendrën e tyre të jetesës. Parlamentaret/ët mbështesin kërkesën, thuhet në një komunikatë për shtyp të ardhur nga iniciuesit e këtij aksioni.

“Me rastin e debatit të nesërm mbi zbatimin e iniciativës dëbuese në Parlamentin e Zvicrës, një numër i madh i organizatave të migrantëve i kanë dorëzuar kryetarit të parlamentit Stéphane Rossini një rezolutë kundër dëbimit të njerëzve që janë rritur në Zvicër. Kjo rezolutë është aprovuar nga Kongresi i parë i migranteve e migrantëve dhe njerëzve me sfond migracioni, të mbajtur më 7 shkurt 2015 në Bernë.

Rreth 250 pjesëmarrës dhe mbi 50 organizata u deklaruan për një politikë solidarizuese migracioni.

Në aksionin e dorëzimit ka marrë pjesë edhe Osman OSmani, aktivist i njohur politik shqiptarozviceran dhe përgjegjës për migracion në sindikatën Unia të Zvicrës.

Të merret në konsideratë përqendrimi jetësor

„Atdheu është aty, ku është rritur njeriu“, thuhet në rezolutë. Për këtë arsye, njerëzit që fokus të tyre jetësor e kanë Zvicrëën, nuk guxojnë të dëbohen, kërkojnë organizatat pjesëmarrëse, ndër to sindikata Unia, Second@s plus, Federata e Kolonisë së Lirë Italiane (FCLI), Fabbrica di Zurigo dhe Marea Granate. Nuk është në përputhje me të drejtat themelore të njeriut dëbimi i dikujt në një vend, përderisa ata kanë familjet e tyre dhe kontaktet sociale në Zvicër, thuhet më tutje në komunikatë, gjegjësisht në rezolutën e dorëzuar parlamentit.

Lëvizje e gjerë e migrantëve

Sot aktivistët, krahas rezolutës, kryetarit të parlamentit i dorëzuan edhe kërkesat tjera të Kongresit të migrantëve si dhe manifestin e Lëvizjes. Në manifest, ata Zvicrën e konsiderojnë „vend të formësuar nga migracioni“ dhe kërkojnë të drejta të njëjta për mirgantet/ët. Ky aksion u mbështet nga shumë parlamentarë zviceranë, të cilët shoqëruan dorëzimin e dokumentacionit”, thuhet në fund të komunikatës së dërguar nga organizatat që përfaqësojnë migrantët në Zvicër.