Kosova
Gërvalla: Kërcënimi për bllokimin e pikave kufitare, dëshmi e synimeve hegjemoniste të Serbisë
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se kërcënimet për mbylljen e pikave kufitare nga serbët për ditën e sotme janë dëshmi e shtuar për synimet hegjemoniste dhe veprimet destabilizuese të Serbisë.
Kryetari i së ashtuquajturës “Shoqatë e qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës për Kosovë”, Rasha Rojeviq, ka njoftuar se sot do të fillojë bllokada shumëditore e pikave kufitare drejt Kosovës – Merdar, Jarinje dhe Bërnjak. Lëvizja është paralajmëruar pas aksioneve të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e strukturave paralele në veri, veprim që u kritikua nga ndërkombëtarët.
Në konferencë për shtyp pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan, në Prishtinë, Gërvalla ka thënë se e shohin Serbinë si rrezikun real për stabilitetin rajonal.
“Diskutuam sigurinë dhe stabilitetin në rajon, në kohën kur rajoni po përballet me sfida të mëdha të sigurisë, veçanërisht nga ndikimi destabilizues dhe kërcënues i Serbisë ndaj Kosovës. Roli i Turqisë dhe i NATO-s është i rëndësishëm për garantimin e paqes dhe stabilitetit në gjithë rajonin tonë. Kosova mbetet e përkushtuar në partneritetin me NATO-n si garanci për mbrojtjen e paqes në rajon. Në këtë kontekst, e shohim Serbinë si rrezik real për stabilitetin rajonal. Kërcënimet për bllokimin e pikave kufitare janë dëshmi e shtuar e synimeve hegjemoniste, por edhe e veprimeve provokuese dhe destabilizuese të Serbisë që shkojnë përtej kërcënimeve verbale”, ka deklaruar Gërvalla.
Ministrja ka potencuar se sovraniteti i Kosovës është i padiskutueshëm, ndërsa janë të vendosur “që së bashku me partnerët ta ruajë paqen dhe sigurinë përtej Kosovës”.
Gërvalla ka folur edhe për marrëdhëniet me Turqinë dhe rëndësinë e investimeve ekonomike turke për Kosovën.
“Turqia është partnere e rëndësishme për vendin tonë. Marrëdhëniet midis Kosovës dhe Turqisë janë të bazuara në miqësi të gjatë dhe bashkëpunim të ngushtë. Në aspektin ekonomik, bashkëpunimi mes të dyja vendeve është i një rëndësie të veçantë. Investimet turke përgjatë viteve kanë luajtur rol kyç në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Marrëdhëniet tona ekonomike janë të forta dhe të ndërsjella dhe do të vazhdojmë të punojmë për thellimin e tyre. Dua të theksoj rëndësinë e komunitetit shqiptar në Turqi dhe komunitetit turk në Kosovë, të cilët ndërtojnë çdo ditë ura të rëndësishme mes dy vendeve tona. Komuniteti shqiptar në numër të madh luan rol kyç në lidhjen mes dy vendeve dhe kanë krijuar histori të gjatë dhe të suksesshme integrimi si komponent i rëndësishëm i shoqërisë turke”, ka shtuar ajo.
E ministri turk Fidan ka njoftuar për një marrëveshje të sigurisë që kanë nënshkruar me Kosovën, por nuk ka dhënë detaje të tjera.
“Qëllimi ynë është të sjellim vizion strategjik gjithëpërfshirës në marrëdhëniet tona. Sigurinë, politikën dhe ekonominë i konsiderojmë shtyllat kryesore të bashkëpunimit tonë. Dialogu politik mes nesh është në nivel të shkëlqyer. Nënshkrimi i marrëveshjes së sigurisë mes Kosovës dhe Turqisë do të jetë i pari i këtij bashkëpunimi. Me këtë marrëveshje do ta ndihmojmë Kosovën në të gjitha fushat e sigurisë. S’ka gjë më normale për ne sesa ta mbështesim Kosovën. Kjo është e gjitha çka mund të them”, ka thënë ai në konferencë.
Fidan ka theksuar se Turqia është e gatshme të marrë përgjegjësi në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit nëse ka kërkesë nga palët.
E-Diaspora
-
Edhe në Vjenë protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së Tubimi është paralajmëruar për të dielën, më 20 shtator, në Heldenplatz, duke nisur nga ora 14:00.... -
Gjeneva miraton rezolutën “Shqipëria nuk është në shitje” -
Dënohet me 15 vjet burg studenti që sulmoi me thikë fëmijët në Cyrih -
Parlamenti debaton Ligjin e Përfshirjes mbi nismën e drejtuar nga Islam Alijaj -
Ekstradohet nga Franca në Kosovë një person i dënuar me 4 vjet burgim për armëmbajtje pa leje
Jeta në Austri
-
Edhe në Vjenë protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së Tubimi është paralajmëruar për të dielën, më 20 shtator, në Heldenplatz, duke nisur nga ora 14:00.... -
Zbulohen mbi 18 kilogramë drogë: Arrestohen një shqiptar dhe një austriak -
Austri
Shqiptari dënohet me gjashtë vjet burg në Austri për nëntë vjedhje -
Një person nga Salzburgu fiton 111,5 milionë euro në EuroMillions -
Austri: Rregulli i ri i pensioneve duhet të sjellë më shumë para për të gjithë në të ardhmen











