Maqedonia
Presidentja e parë grua e Maqedonisë së Veriut: Ballkani së pari, pastaj Brukseli
Për herë të parë që nga pavarësimi në vitet ‘90, Maqedonia e Veriut zgjodhi një grua për presidente të shtetit, përcjell albinfo.ch.
Profesoresha universitare, Gordana Silanovska-Davkova, e cila mbështetet nga partia e djathtë opozitare, VMRO-DPMNE, e fitoi balotazhin presidencial më 8 maj, kundër kandidatit të Lidhjes Social-Demokrate, Stevo Pendarovski, deri më tash president.
Në fjalimin e parë para opinionit, pas fitores, Silanovska-Davkova tha se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike apo partiake.
“Nga ky moment do të sillem si presidente e të gjithë qytetarëve, të gjitha grupeve etnike, të gjithë anëtarëve partiakë, atyre që nuk janë në parti… sepse presidentja nuk mund ta bashkojë popullin dhe të kërkojë unitet nëse mban vija partiake”, tha ajo.
Fqinjëve u bëri thirrje që ta mbështesin, siç tha, ballkanizimin, ta ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të jenë politikanë të vërtetë.
“Duhet të fillojmë ta kuptojmë njëri-tjetrin, ta ndihmojmë njëri-tjetrin, të mos kërkojmë veto, por të kërkojmë mbështetje. Rrugët e mia së pari çojnë në Ballkan, dhe, natyrisht, as Brukseli nuk është jashtë”, tha Silanovska-Davkova.
Çfarë “Maqedonie krenare” premton?
Gjatë fushatës parazgjedhore, Silanovska-Davkova u paraqit si profesoreshë dhe si përfaqësuese e pavarur në Kuvend.
Në programin e saj “Maqedonia është sërish krenare”, shkruan se Marrëveshja e Prespës, që ndryshoi emrin e Maqedonisë në Maqedoni të Veriut, “është çështje e hapur”, dhe se në fjalimet e saj para publikut nuk do ta përdorë fjalën “e veriut” në emrin e shtetit.
Ajo nuk e mbështet ndryshimin e Kushtetutës, por në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë së voni, tha se nëse Kuvendi i miraton amendamentet kushtetuese – të cilat do të mundësonin që bullgarët dhe pesë pakicat e tjera etnike të bëheshin pjesë e Kushtetutës maqedonase – ajo do t’i respektonte ato.
Ndryshimet e tilla në Preambulën e Kushtetutës janë kusht për Maqedoninë e Veriut që t’i vazhdojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Brenda një afati prej dhjetë ditësh, Silanovska-Davkova, si presidente, do t’ia ndajë mandatin për formimin e Qeverisë së re kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicën në Kuvend.
Silanovska-Davkova hyri në rrethin e dytë zgjedhor si favorite, pasi në rrethin e parë më 24 prill – kur garuan gjithsej shtatë kandidatë – fitoi dyfish më shumë vota se kandidati i përkrahur nga Lidhja Social-Demokrate, Stevo Pendarovski.
Në balotazh, Silanovska-Davkova fitoi 363.085 vota dhe Pendarovski 180.499 vota.
Ky ishte një rezultat krejt i kundërt në krahasim me duelin e tyre të parë zgjedhor në vitin 2019, kur fitoi Pendarovski.
Mandati aktual i Pendarovskit skadon më 12 maj. Deri atëherë, Kuvendi duhet ta mbajë seancën për inaugurimin e presidentes së re.
Në këtë rast, seancën ceremoniale për inaugurimin e presidentes së re do ta mbajnë deputetët nga përbërja e deritashme e Kuvendit.
Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski, tha se ky institucion do të mundohet t’i respektojë të gjitha afatet, në mënyrë që më 12 maj vendi ta ketë presidenten e re./ REL
Të tjera nga Maqedonia
E-Diaspora
-
Pianisti kujton në sheshin e Mynihut fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë Ai kishte veshur një bluzë me fotografinë e Leutrim Ahmetit, fëmijës shtatëvjeçar të vrarë gjatë luftës... -
Komuniteti Mysliman Shqiptar në Zvicër uron muajin e Ramazanit -
Rame Lahaj dhe Fondacioni Rame Lahaj, zëri botëror në shërbim të një misioni kombëtar -
Magazina albinfo.ch pranë lexuesit – edhe mbi re, me Chair Airlines -
Londër
Diaspora dhe institucionet britanike mbështesin Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë me manuale klinike
Jeta në Austri
-
I papunë në pushime, AMS me gjoba të ashpra Vitin e kaluar pati 162,391 sanksione nga AMS. Përfitimet e papunësisë dhe ndihma emergjente u anuluan... -
Vjenë
Ministrja Spiropali e ftuar nderi në mbrëmjen tradicionale të Operës në Vjenë -
75,000 euro të marra nga kasaforta në Vjenë, vjedhja e shpikur -
Raporti i Eurostat: Çmimet e shtëpive në BE janë rritur me 53% që nga viti 2010 -
Austri: Këto cigare po bëhen më të shtrenjta












