Maqedonia
Shkarkohen dy ministra shqiptarë në Maqedoninë e Veriut
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut i ka shkarkuar të premten në mesnatë dy ministra të Qeverisë teknike nga radhët e Aleancës për Shiptarët (ASH) pasi kishin mbështetur propozimin e kësaj partie që në zgjedhjet e majit t’i bashkoheshin bllokut opozitar shqiptar – Lidhja Evropiane për Ndryshim, përcjell albinfo.ch.
Shkarkimi i ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dhe i ministrit të Administratës dhe Shoqërisë Informatike, Azir Aliu, ka rezultuar me tensione e polemika të shumta mes partive në pushtet dhe opozitë.
Në arsyetimin e kërkesës për shkarkimin e tyre, kryeministri teknik, Talat Xhaferi ka thënë se “nuk ka vërejtje për punën dhe profesionalizmin e ministrave Mexhiti dhe Aliu, por pas bashkimit të tyre me Arben Taravarin, duhet të largohen, pasi në Qeveri nuk mund të jenë dy subjekte opozitare”.
Qeveria teknike, që ka mandat 100 ditë për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, e ka në përbërjen e saj edhe opozitën maqedonase të udhëhequr nga VMRO DPMNE-ja.
Ministri i shkarkuar, Fatmir Mexhiti akuzoi partitë në pushtet se “shkarkimi i tij është iniciuar për interesa politike” dhe se pas kësaj, sipas tij, qëndron partia Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).
Shkarkimi i ministrave vjen dhjetë ditë pas formimit të Qeverisë teknike, më 28 janar.
Në vend të tyre, të hënën, më 12 shkurt, pritet të emërohen Ilir Demiri si ministër i Shëndetësisë dhe Naim Bajrami si ministër i Administratës dhe Shoqërisë Informatike.
Seanca ishte thirrur nga kryeministri Talat Xhaferi, pasi një komisioni partiak i Aleancës për Shqiptarët (ASH), që është pjesë e Qeverisë teknike, propozoi shkarkimin e dy ministrave të saj.
Vendimi është marrë pasi dy ministrat dolën publikisht në mbështetje të kryetarit të ASH-së, Arben Taravari për të kaluar në opozitë.
Por, kjo kishte nxitur reagim te një pjesë e partisë që udhëhiqet nga ish-kryetari i saj, Ziadin Sela, kryetar aktual i Kuvendit të kësaj partie.
Ai për të shtunën, më 10 shkurt, ka thirrur Kuvendin për të konstatuar përgjegjësinë, por edhe fillimin e procedurës për shkarkim të Taravarit nga partia.
Por, Taravari ka thënë se Sela nuk e ka mbështetjen e kuvendarëve, pasi shumë prej tyre i kanë dhënë mbështetje qëndrimit të tij për të bërë koalicion me opozitën.
Përçarja në ASH është reflektuar edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Seanca ka nisur me tre orë vonesë pasi partitë në pushtet nuk arrinin të siguronin numrin e nevojshëm të deputetëve për nisjen e saj, që u dëshmua edhe me votimin, i cili rezultoi me shumicë të thjeshtë prej 62 deputetësh.
E-Diaspora
-
Nis shpërndarja e librave shqip në 15 shtete të diasporës Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se ka nisur shpërndarja falas e teksteve të gjuhës... -
Nga Zvicra me vepra për vendlindjen: Arben Lahu vazhdon aksionin vullnetar në Gollak -
Program falas në gjuhën shqipe për fëmijët shqiptarë në Cyrih -
Donacion për spitalet në Maqedoninë e Veriut, nga mërgata shqiptare e Cyrihut -
Dua Lipa përzgjedh librin “Free” të Lea Ypit për klubin e saj të leximit
Jeta në Austri
-
Austria ndryshon rregullat e përfitimeve familjare për refugjatët ukrainas Qeveria austriake i ka dërguar parlamentit një rregullore të re mbi ndihmat familjare për personat e... -
Vjenë
Studentët nga Kosova shkëlqejnë në kampin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike në Vjenë -
ÖBB rrit çmimet e biletave për shkak të kostove të larta të energjisë -
Gjykata austriake shpall të paligjshme tarifat e check-in dhe të imbarkimit në Ryanair -
20,000 persona kanë nënshkruar peticion për të hequr karrocat e kuajve nga Vjena













