Kosova
Berlini e Brukseli: Serbia të hetojë sulmin në Kosovë
Raportohet se fokusi i takimit ishte kryesisht krijimi i një atmosfere pajtuese në rajon dhe përmirësimi i performancës ekonomike të Ballkanit Perëndimor, perspektiva europiane, si dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve, përcjell albinfo.ch.
Theksohet se sulmi në veri të Kosovës nga një grup i armatosur serb më 24 shtator u bë objekt i diskutimeve në samit, prej nga u kërkua hetimi dhe zbardhja e plotë e kësaj ngjarjeje, si dhe ulja në tyrezën e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Baerbock: Sulm tinëzar nga një bandë terroriste
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, kërkoi hetim nga Serbia për sulmin e ndodhur në veri të Kosovës më 24 shtator, ku mbeti i vrarë efektivi i policisë kosovare, Afrim Bunjaku. Në konferencën për shtyp pas samitit të Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit në Tiranë, Baerbock u shpreh se provokimet e palës serbe përmes rritjes së prezencës së trupave në kufi me Kosovën e kanë tensionuar edhe më tepër situatën: “Kjo ndodh pas një sulmi tinëzar ndaj policisë kosovare nga një bandë terroriste e armatosur gjer në dhëmbë. Presim që Serbia të çojë përpara hetimin për sulmin e 24 shtatorit dhe ngjarjes së majit ndaj ushtarëve të KFOR-it”, u shpreh kryediplomatja gjermane. Baerbock shtoi më tej se NATO ka rritur praninë e KFOR-it, duke rritur kështu edhe vigjilencën, megjithatë sipas saj, “çelësi i zgjidhjes së konfliktit është në Beograd dhe në Prishtinë”.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili nga Tirana kërkoi që Serbia dhe Kosova t’i rikthehen dialogut, ndërsa autorët e sulmit të dalin përpara drejtësisë.
“Të rikthehet dialogu dhe në këtë punë të jepen rezultate, duke vënë në zbatim marrëveshjet e mëparshme, përfshirë edhe atë në Ohër. Autorët duhet të sillen para drejtësisë, autoritetet serbe të bashkëpunojnë me BE-në për këtë çështje”, tha Varhelyi.
Në rolin e mikpritësit të Ministerialit dhe si bashkëdrejtues i konferencës për shtyp, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, ripërsëriti të njëjtin qëndrim ndaj sulmit në Kosovë: “Serbia të nisë një hetim serioz, për grupin terrorist kriminal të përfshirë në sulmin e armatosur në veri të Kosovës, si dhe lidhjet e këtij grupi me trafikantët e armëve dhe individëve apo subjekteve të tjera në Serbi”, u shpreh Hasani.
Daçiç “bojkoton” fotografinë familjare
Përpara nisjes së takimit me dyer të mbyllura, ministrat e jashtëm realizuan fotografinë zyrtare, një traditë në të tilla ngjarje. Megjithatë në të mungoi ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, i cili ndonëse mori pjesë në takim, nuk u rreshtua përkrah homogëve të tij. Ky distancim erdhi pasi shefja e diplomacisë gjermane, Analena Baerbock, kërkoi që fotografia të realizohej përpara flamujve të shteteve pjesëmarrëse në ministerial, mes të cilëve ishte edhe ai i Kosovës.
E pyetur gjatë konferencës për shtyp, ministrja gjermane nuk pranoi që ta komentonte, sikundër edhe ministri Hasani. “Nuk do doja të flisja për qëndrimet e kolegëve, por vetëm për atë që unë bëra. Unë respektoj protokollin e formatit të Procesit të Berlinit, prandaj i ftova të gjithë të pranishmit të më bashkoheshin që foton e familjes ta bënim pranë flamujve tanë respektiv”, u shpreh Hasani.
Shpresë për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor
“Takime të tilla ngjajnë pak teknike, por e thënë me pak fjalë janë për të ardhmen e këtij rajoni dhe të ardhmen e gjeneratës së re, që e shikon paqen dhe sigurinë të garantuar brenda BE-së”, u shpreh ministrja e Jashtme e Gjermanise, Annalena Baerbock, për takimin e parë të“Procesit të Berlinit” që zhvillohet për hërë të parë në Ballkanin Perëndimor. “Duhet të përshpejtojmë ritmin e anëtarësimeve në BE. Ajo që ndodhi në Kiev na e bëri më të qartë që anëtarësimi i rajonit në BE është i domosdoshëm në aspektin gjeopolitik”, shtoi më tej Baerbock.
Po ashtu Komisioneri për Zgjerimin tha, se Ballkani Perëndimor është përparësi kyçe. “Ne kemi sjellë planin e investimeve ekonomike, kemi mobilizuar një të tretën e PPB-së në të gjithë rajonin. Ky plan do të ketë për synim edhe përshpejtimin e integrimit ekonomik, duke krijuar mundësi që “Ballkani Perëndimor të integrohet në tregun e BE-së ende pa u bërë anëtar”, u shpreh komisioneri për zgjerimin nga Ministeriali i “Procesit të Berlinit”.
Procesi i Berlinit është një nismë diplomatike, e inicuar nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel në gusht 2014 për t’i dhënë impulse të reja dhe përshpejtuar ritmet e hyrjes së BP në BE.
Lufta e Rusisë në Ukrainë e ka shndërruar në një prioritet gjeostrategjik të BE-së përshpejtimin e ritmeve të procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor./DW
E-Diaspora
-
KQZ i aprovon mbi 7000 pako me fletëvotime nga diaspora, i refuzon mbi 2500 tjera Bëhet e ditur se më shumë se 9 mijë e 800 pako të supozuara me fletëvotime... -
Brooklyn: Shqiptari nga Kosova humb jetën duke u përpjekur të ndalojë një grabitës -
Berlin
Shpresim Sadiku fiton titullin “Doktor Shkence” në TU Berlin -
KQZ nis vlerësimin e rreth 13 mijë votave të diasporës -
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit
Jeta në Austri
-
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”, në kuadër të festës së 28... -
A do të punonit në Austri për 2200 euro? -
Vjena ul emetimet e CO₂ me gati 6% brenda një viti -
Vjenë
Hapen tregjet e Krishtlindjeve në Vjenë -
Rita Ora gati ta ndezë atmosferën në hapjen e sezonit dimëror në Austri










