Kosova
Arkitekti gjerman: Prishtina duhet të rregullohet, tani është një kaos
Prishtina është kryqyteti i Kosovës, që për shumë ariktektë është qytet me infrastrukturën më të dobët, pa plan urbanistik, përcjell albinfo.ch.
Arkitekti gjerman, Jan Liesegang, Prishtinën e përshkruan si vend kaotik, por shumë i gjallë.
Ai ndodhet në Kosovë për të realizuar një projekt për rikthimin e hapësirës industriale të fabrikës së tullave në Prishtinë në një qendër alternative kulturore.
Ky objekt, që për shumëkënd mund të duket thjesht përplot me rrënoja, në syrin e Liesegangut është ideal për takime të artistëve, diskutime, koncerte e të tjera.

“Vërtet, fabrika e tullave mund të jetë një inkubator për aktivitete të ndryshme, qoftë për lagjen që e rrethon, apo për tërë qytetin [Prishtinën], por edhe për koncerte të mëdha”, shprehet Liesegang.
Intervenimet që po kryhen në tulltoren e qytetit nga ekipi i drejtuar nga Liesegang po bëhen në kuadër të aktivitetit kulturor “Manifesta” – një bienale evropiane nomade që këtë vit zhvillohet në Kosovë.
Ajo i kushtohet artit në hapësirat publike, por shërben edhe si urë komunikimi mes artistëve.
“Manifesta 14 Prishtina” synon, në fakt, t’i mbështesë qytetarët e Kosovës në rikthimin e hapësirave publike.

Kosova mund ta bëjë këtë kapërcim, thotë Jan Liesegang. Ai është njëri nga themeluesit e Raumlabor-it, një kolektiv arkitektësh eksperimentalë, me bazë në Berlin të Gjermanisë. Puna e tyre mund të përshkruhet si një kryqëzim i arkitekturës, planifikimit urban, artit dhe ndërhyrjeve në objekte ekzistuese.
Liesegang thotë se Prishtina është një vend tejet kaotik, në të cilin ndërtimet e reja nuk janë miqësore me ambientin.
“Aktualisht, kur shoh ndërtimet e objekteve nëpër qytet, mendoj se po shkohet krejtësisht në drejtim të gabuar. Është katastrofë. Po vazhdon ndërtimi i objekteve me xham, e brenda pak vitesh ne nuk do të kemi resurse energjetike të përballueshme… dhe këto objekte do të jenë të zbrazura, të ftohta apo tepër të nxehta”, thotë Liesegang.
Ai jeton në Berlin dhe thotë se atje mundohet ta minimizojë përdorimin e automjeteve, që janë ndër prodhuesit kryesorë të ndotjes së ajrit.
Për dallim nga Berlini, në Prishtinë, thotë ai, e sheh të kundërtën.
“Unë jetoj në një rreth, ku mundohemi të heqim dorë nga përdorimi i makinës. Këtu gjithkush dëshiron të vozisë veturën më të madhe të mundshme. Më duhet të them se këtu krejtësisht po shkohet në drejtim të gabuar. Por, më duhet po ashtu të them se të gjithë ne kemi vepruar më herët kështu”, thotë Liesegang.
Në Prishtinë, por edhe në vende të tjera të botës, Liesegang bën apel që të ndryshojnë politikat e zhvillimit të qyteteve.
“Është një nevojë urgjente që të ndryshojmë sa më parë, më së largu brenda pesë vjetëve të ardhshëm. Ndryshe, toka do të mbijetojë, por për ne, njerëzit, do të jetë tepër nxehtë këtu”, thotë ai.
“Manifesta 14 Prishtina” zyrtarisht do të hapet më 22 korrik. Deri atëherë pritet të përfundojnë edhe punimet që Liesegang po i udhëheq në hapësirën industriale të fabrikës së tullave në Prishtinë.
Aty do të zhvillohet edhe një shkollë verore, në të cilën do të diskutohet për riciklimin, ekonominë qarkore dhe tema të tjera, që kanë për qëllim zhvillimin urban, duke mbrojtur ambientin.
Liesegang uron që hapësira në të cilën po kryen punimet, të vazhdojë të jetë në shërbim të artistëve dhe qytetarëve të Prishtinës edhe pas “Manifestës”.
Përgjatë 100 ditëve sa zgjat “Manifesta”, organizatorët kanë thënë se presin pjesëmarrjen e rreth 100 mijë vizitorëve nga jashtë.
E-Diaspora
-
Mbi 61 mijë aplikime të aprovuara për votuesit jashtë Kosovës KQZ: Procesi i regjistrimit për votuesit në diasporë vazhdon deri më 17 maj 2026, me mijëra... -
Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër do të bëjë bashkë odat ekonomike të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut -
Kur një zviceran ngrihet në mbrojtje të shqiptarëve: Mesazhi i fortë i Ueli Leuenbergerit -
Zvicër
Forbes: Arben Ademi, sipërmarrësi shqiptar nga Zvicra në industrinë e luksit -
Gjenevë
Superkupa Kosovë–Diasporë organizohet për herë të parë në Gjenevë
Jeta në Austri
-
Nis sonte Eurovision 2026 në Vjenë 15 artistë garojnë në gjysmëfinalen e parë, ndërsa festivali zhvillohet nën masa të rrepta sigurie dhe... -
Çka pritet nga Eurovision 2026: Favoritët dhe gjysmëfinalet -
Me 15-16 maj 2026 në Prishtinë do të mbahet edicioni i 10-të i Konferencës Ekonomike i organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare -
Pas sistemit të ri monitorues të targave, rregulla të ashpra për shoferët në Austri -
Linz: Burri dyshohet se vrau gruan dhe vajzën e tij, e më pas veten













