Lajme
Abazoviç paralajmëron sanksione shtesë kundër Rusisë
Mali i Zi është i gatshëm t’i zgjerojë sanksionet kundër Rusisë për të mbështetur deri në fund politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, tha të shtunën zëvendëskryeministri dhe mandatari për qeverinë e re të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, në një bisedë telefonike me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Sipas një deklarate të qeverisë së Malit të Zi, zoti Abazoviç dhe zoti Escobar shkëmbyen mendime për ngjarjet aktuale në Ukrainë dhe vlerësuan si thelbësore që vendet e Ballkanit Perëndimor të tregojnë vendosmëri në mbrojtjen e vlerave të qytetërimit dhe të qëndrojnë deri në fund së bashku me aleatët e tyre në BE dhe NATO.
“Mali i Zi është i gatshëm të zgjerojë gamën e sanksioneve për të ndjekur deri në fund politikën e jashtme të BE-së. Ne do të monitorojmë situatën me oligarkët rusë dhe do të marrim të gjitha masat në përputhje me ligjin nëse ata vijnë në Mal të Zi. Për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë e përgjithshme të vendit, ne po kryejmë aktivitete që synojnë luftimin e ndikimeve në Mal të Zi, të cilat më parë rezultuan me dëbimin e një diplomati rus nga Ministria e Jashtme”, tha zv/kryeministri Abazoviç sipas njoftimit.
Ai po ashtu ka thënë se Mali i Zi do të dërgojë ndihmë shtesë humanitare dhe financiare, por edhe ndihmë ushtarake, sapo të përfundojnë proceset e brendshme në vend.
Një ditë më parë Ministria e Jashtme e Malit të Zi njoftoi se kishte shpallur person të padëshiruar një diplomat të Ambasadës së Federatës Ruse në Podgoricë.
Personi në fjalë është Viktor Antipin, oficer i zbulimit dhe punonjës i Shërbimit Informativ rus.
Antipin, sipas njoftimit të Agjencisë së Sigurimit të Malit të Zi, u takua me përfaqësuesit politikë të Frontit Demokratik, e njohur si parti proruse.
“Arsyeja e marrjes së këtij vendimi është vlerësimi i organeve përkatëse të sigurisë në Mal të Zi për aktivitetet e diplomatit rus, të cilat janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Malit të Zi.
Mali i Zi vitet e fundit ishte në shënjestrën politike të Serbisë dhe Rusisë, të cilët bënë përpjekje për një grusht shteti në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 për ta parandaluar këtë vend ballkanik të anëtarësohet në NATO.
Gjykimi për grusht shteti në Mal të Zi u cilësua si “gjykimi i shekullit” për shkak të përfshirjes së agjencisë ruse të sigurimit shtetëror në komplotin e dyshuar./VOA
Të ngjashme
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku nesër takim me mërgatën shqiptare në Zvicër Tubimi me bashkatdhetarët do të mbahet të shtunën në Winterthur, në kuadër të aktiviteteve të partive... -
Gjermani
Kosova me ligj të ri për shtetësinë, lehtësohen procedurat për diasporën në Gjermani -
Vjosa Osmani të dielën në Zvicër, takon mërgatën shqiptare -
Në Vjenë promovohet libri i Zef Mazit për diplomacinë e Kosovës gjatë viteve 1991–1999 -
Baleti Kombëtar i Kosovës shkëlqen në Kolumbi me “Carmina Burana”
Jeta në Austri
-
Ka rrezikuar me zjarrvënie jetën e 8 personave: 15 vjet burg për kosovarin Ai ka hedhur 13 litra benzinë dhe i ka vënë zjarrin në një depo ku ishin... -
Ulje e TVSH-së në Austri: Blerje disa cent më lirë -
Piktori shqiptar Haxhi Fejzullahu hap ekspozitën “Dheu nuk njeh kufi” në Austri -
Mijëra njerëz protestojnë në Vjenë kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision -
Shqipëria sonte në skenën e Eurovisionit, Alis performon me këngën “Nan”












