Kosova
Cilat masa kufizuese do të zbatohen në ditën e zgjedhjeve në Kosovë?
Komisionerët dhe vëzhguesit e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit në Kosovë do të duhet të jenë të vaksinuar apo të kenë dëshminë se janë negativë në coronavirus apo se e kanë kaluar sëmundjen. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka kërkuar partive politike që të zbatojnë këtë masë.
Por, ky rregull nuk do të vlejë edhe për votuesit, konfirmojnë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Qytetarëve do t’iu kërkohet të mbajnë maska mbrojtëse dhe distancë fizike.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se ky institucion u ka dërguar partive politike një shkresë, përmes së cilës ka kërkuar nga ato që të dërgojnë në qendrat e votimit vetëm komisionerë që janë të vaksinuar apo që posedojnë dëshminë e testeve për COVID-19.
“Përmes kësaj shkrese, subjektet politike janë informuar se masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës janë të detyrueshme edhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, prandaj kemi kërkuar nga subjektet politike që të inkurajojnë të gjithë të nominuarit e tyre, qoftë si staf zgjedhor apo si vëzhgues, që të respektojnë këto masa. Nga anëtarët e këshillave të vendvotimeve dhe nga vëzhguesit do të kërkohet që të dëshmojnë se kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës”, tha Elezi.
Në mbledhjet e radhës të KQZ-së, sipas Elezit, do të merret vendimi, përmes së cilit do të caktohen personat përgjegjës të cilët kanë për detyrë të kërkojnë dëshmitë e vaksinimit dhe testin e COVID-19 nga ana anëtarëve të këshillave të vendvotimit dhe vëzhguesve.
Nga votuesit KQZ-ja kërkon zbatimin e masave, siç është mbajtja e maskës, distanca fizike prej dy metrash gjatë kohës kur janë duke hyrë apo brenda vendvotimit.
“Votuesit duhet ta mbajnë maskën gjatë gjithë kohës, përveç kur duhet të identifikohen nga ana e anëtari i këshillit të vendvotimit”, tha Elezi.
Ndërkohë zyra për informim e Ministrisë së Shëndetësisë ka bërë të ditur se në ditën e zgjedhjeve do të zbatohen masat e përgjithshme dhe të veçanta kundër COVID-19, sipas Udhëzuesit të Përgjithshëm.
Aty thuhet se qytetarët duhet të kujdesen për bartje të maskës mbrojtëse, ruajtje të distancës fizike dhe shmangie të grumbullimeve të cilat bien ndesh me masat në fuqi për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.
Epidemiologu, Isuf Dedushaj ka edhe disa këshilla për qytetarët që do të marrin pjesë në procesin e votimit më 17 tetor.
“Duhet të marrin mjete dezinfektuese me vete, alkool 70 për qind ose ndonjë dezinfektues tjetër që është me bazë të alkoolit, gjithsesi të mbajnë maskat dhe distancën. Para se të hyjnë në vendvotim të dezinfektojnë duart, të votojnë dhe kur të dalin të dezinfektojnë prapë duart”, tha epidemiologu Dedushaj.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se do të vendosë dezinfektues në hyrje të secilit vendvotim.
Në Kosovë, situata epidemiologjike është përmirësuar pas një përkeqësimi që filloi në muajin gusht. Autoritetet ndërmorrën masa të reja kufizuese duke shpejtuar edhe fushatën e vaksinimit kundër COVID-19.
Për personat që janë të infektuar me COVID-19, KQZ-ja do të caktojë ekipe mobile, të cilat do të shkojnë në adresë të tyre për t’iu mundësuar pjesëmarrjen në procesin zgjedhor.
KQZ-ja kishte vepruar njëjtë edhe në zgjedhjet parlamentare të cilat janë mbajtur në shkurt të këtij viti.
Pandemia çrregulloi mbajtjen e zgjedhjeve në shumë vende
Pandemia e COVID-19 u shpall në mars të vitit 2020. Për shkak të situatës epidemiologjike, atë vit dhjetëra vende shtynë mbajtjen e zgjedhjeve. Por, të tjera megjithatë vazhduan me mbajtjen e tyre pavarësisht se përhapja e koronavirusit kishte marrë hov dhe deri në fund të atij viti nuk kishte as vaksinë kundër COVID-19.
Sipas një raporti të Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë, me seli në SHBA, vendet që mbajtjen zgjedhjet ndërmorrën masa të ndryshme për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në ditën e zgjedhjeve, por kryesoret ishin: mbajtja e distancës fizike, matja e temperaturës në hyrje të qendrave të votimit dhe mbajtja e maskës.
Në disa vende u zgjat koha e votimit për t’iu mundësuar autoriteteve që të dezinfektojnë hapësirat në qendrat e votimit.
Shumë vende shtuan numrin e qendrave të votimit për të mos lejuar grumbullimin e qytetarëve.
Sipas këtij raporti të publikuar në shtator të vitit të kaluar, ndër shqetësimet më të mëdha për mbajtjen e zgjedhjeve në pandemi është pjesëmarrja më e ulët e votuesve.
“Nëse zyrtarët nuk komunikojnë me qytetarët në lidhje me kufizimet shumë mund të mos shkojnë në votime nga frika se do të kontraktojnë virusin”, thuhej në raport. /rel
E-Diaspora
-
Ansambli “Arbëresha” festoi 22 vjetorin e themelimit Më 7 shkurt 2026, Ansambli “Arbëresha” kremtoi 22-vjetorin e themelimit me një mbrëmje të gjallë kulturore,... -
Policia bastis një klub shqiptar për shkak të lojërave ilegale të fatit -
Rumani
Sopranoja Besa Llugiqi debuton në Operën Shtetërore të Bukureshtit -
Itali
Tragjedi në Itali, fqinji rrëfen si u gjetën të pajetë katër anëtarët e familjes shqiptare -
Kompania shqiptare mbulon Forumin në Davos me mbi 100 vetura luksoze
Jeta në Austri
-
Raporti i Eurostat: Çmimet e shtëpive në BE janë rritur me 53% që nga viti 2010 Botimi i Eurostat-it “Strehimi në Evropë – Botimi 2025” tregon ndryshime të mëdha në kostot e... -
Austri: Këto cigare po bëhen më të shtrenjta -
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale -
Vjena planifikon shtëpi të mbyllura në grup për shkelësit e përsëritur nën moshën 14 vjeç











