Lajme

Mbi 50 shqiptarë humbën betejën nga koronavirusi në SHBA

Ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, Floreta Luli Faber, ka treguar se se janë mbi 50 shqiptarë që kanë humbur jetën nga koronavirusi në këtë vend, disa prej tyre ndërsa ishin vizitorë te të afërmit.

Në një mesazh prekës në Facebook, Faber shkruan se përveç dhimbjes së madhe, në shumë raste ata nuk kanë mundur as t’u thonë lamtumirën e fundit të dashurve të zemrës.

Por, disa prej tyre e kishin lënë amanet që trupat e tyre të ktheheshin në Shqipëri. Pas shumë peripecish, trupat e katër shqiptarëve janë kthyer dhe do të prehen në atdhe.

POSTIMI:

Pavarësisht se Covid-19 ka filluar të humbasë fuqinë vepruese për këtë sezon, për disa anëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, të cilët Amerikën e kanë parë gjithmonë si tokën e lirisë dhe të ëndrrave, kujtimet e kësaj periudhe do të jenë të dhimbshme.

Është mbi 50 numri total i bashkëkombasve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Mali i zi dhe Maqedonia e Veriut që kanë humbur betejën me virusin, duke kaluar edhe numrin total të vdekjeve në Shqipëri. Me këtë rast, i shprehim ngushëllimet e thella dhe të sinqerta të gjithë familjarëve dhe miqve të tyre.

Përveç dhimbjes së madhe, në shumë raste ata nuk kanë mundur as t’i thonë lamtumirën e fundit të dashurve të zemrës.

Ndërmjet tyre, Agron Vraja (51), anëtar i Këshillit Bashkiak në Lezhë dhe Doktor Raif Krasniqi (77) kanë humbur jetën teksa ishin vizitorë në Nju Jork tek familjarët e tyre. Përveçse u larguan nga kjo jetë dhe askush nga të afërmit nuk mundi t’i qëndronte afër në momentet e vështira të sëmundjes, për shumë arsye, ata nuk mund të varroseshin në Nju Jork. Bashkë me to, edhe dy qytetarë shqiptaro-amerikanë, Ponari (47) dhe Vuktilaj (53) kishin lënë amanet – trupat e tyre duhet të ktheheshin në Shqipëri.

Disa ditë pas ngjarjes, Ambasada u njoftua se kthimi në Shqipëri i personave që kanë humbur jetën gjatë periudhës së pandemisë nuk po kryhej dot. Deri sa të hapeshin fluturimet normale me Europën kthimet ishin mision i pamundur.

Procedurat e kthimit të shtetasve, normalisht ndiqen nga familjarët, por këto nuk janë kohë të zakonshme. Ambasada Shqiptare në Uashington DC u angazhua menjëherë për të shfrytëzuar çdo hapësirë të mundshme. Ajo kontaktoi me një sërë institucionesh dhe koordinoi njëkohësisht me familjarët, qeverinë shqiptare, Ambasadën Italiane në Uashington DC, Konsullatën italiane në Nju Jork, drejtuesit e kompanisë Alitalia në Romë dhe në SHBA, drejtuesit e Air Albania, shtëpitë funerale në SHBA, Itali dhe Shqipëri, dhe me disa institucione të ndërmjetme që përgatisin dokumentacionin dhe lëshojnë lejet respektive me qëllim transferimin e trupave drejt Shqipërisë.

Pjesa më e madhe e qytetarëve me origjinë shqiptare që humbën jetën me Covid-19 do të prehen në tokën amerikane, që u bë për ta atdheu i dytë. Ndërsa sot, më 8 maj, trupat e Doktor Raifit, Gjekës, Agronit dhe Hamdiut kanë arritur në vendlindje dhe u varrosën në tokën shqiptare. Amaneti u krye!

Unë munda të dërgoj një kurorë me lule në Lezhë, pranë varrit të Agronit. Do doja që këtë kurorë të mund ta çoja tek secili prej shqiptarëve që e humbën betejën me jetën këtë pranverë.

I përjetshëm kujtimi i tyre!