Lajme
Këshilltarët për karrierë sfidojnë papunësinë në Kosovë
Në kuadër të projektit „Rritja e punësimit për të rinj“ organizata HELVETAS mundësoi, për herë të parë në Kosovë, trajnimin e 19 këshilltarëve të karrierës. Lidhur me nevojën dhe ecurinë e trajnimit flasin vetë akterët e këtij trajnimi, Valbona Rraci, Visar Ademi dhe Mejreme Millaku – Ajvazi.
Valbona Rraci, eksperte për për punësim në projektin „Rritja e punësimit për të rinj“ entuziazmon këshilltarët e karrierë gjatë trajnimit, duke i pozicionuar ata si shtylla të rëndësishme për zbutjen e papunësisë në Kosovë dhe orientimin e të rinjve për rrugën e tyre të karrierës. Zonja Rraci potencon se shkaku i papunësisë në Kosovë është, kryesisht, mungesa e profileve adekuate e punëkërkuesve, sipas kërkesës reale të tregut të punës, pa dallim moshe a gjinie. Më tej ajo shton se projekti EYE – „Rritja e punësimit për të rinj“ do të jetë bartëse e drejtpërdrejtë e shumë aktiviteteve që do të lehtësojnë punësimin e të rinjve, në vazhdimësi, në periudhën 2013 -2016, porse një vend të veçantë i lë trajnimit të këshilltarëve të karrierës, të cilët vijnë nga rrjeti i institucioneve të ndryshme arsimore, punëdhënëse dhe këshilldhënëse, nga Universiteti i Prishtinës, kolegjet universitare private, shkollat profesionale, si dhe nga shtatë qendrat e punësimit në Kosovë.
Anëtarët e këtij rrjeti, këshilltarë të karrierës, për dy javë rresht u pajisen me njohuri të rëndësishme për kompetencat themelore të profesionit të këshilltarit të karrierës. „Pas këtij trajnimi, të gjithë këta këshilltarë, që njëkohësisht janë edhe zyrtarë në institucione përkatëse të Kosovës, do të fitojnë shkathtësi profesionale për ofrimin e shërbimeve të këshillimit dhe orientimit në karrierë nga institucionet që ata i përfaqësojnë“, vlerëson zonja Rraci gjatë një interviste me shkas për albinfo.ch.
Ç’është e vërteta, shkollat publike kanë më pak kapacitete dhe stimulime për të ofruar shërbime të orientimit dhe këshillimit në karrierë, prandaj Qeveria e Kosovës, nën koordinimin e MASHT-it (Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë) është e përkushtuar që të zhvillojë Strategjinë për Zhvillimin e Orientimit dhe Këshillimit në Karrierë në Kosovë (SZhOKK) dhe Planin e Veprimit (PV) 2014-2016. Aktualisht strategjia është në fazën e fundit të përgatitjes. Qëllimi kryesor i kësaj strategjie është: zhvillimi i sistemit për këshillim dhe orientim në karrierë në sektorin e arsimit dhe punësimit, duke synuar sigurimin e qëndrueshmërisë afatgjatë të saj. Strategjia parasheh pajisjen e nxënësve me „shkathtësi bazike për menaxhim të karrierës“ që do t’iu ndihmojnë atyre ta menaxhojnë kalimin prej shkollës në punë, duke krijuar një bazë të fuqishme për zhvillim dhe planifikim të karrierës në të ardhmen.
Në pajtim me strategjinë dhe planin e veprimit, lënda „Arsimi për karrierë“ do të bëhet obligative dhe do të fillojë të zbatohet në shkollat e përzgjedhura, ndërsa 85% e mësimdhënësve është planifikuar të trajnohen gjatë tërë vitit 2014.
Nga ana tjetër Visar Ademi, trajner i certifikuar ndërkombëtarisht që punon në kuadër të organizatës „Karriera ime“ nga Maqedonia, thotë se „pozicioni i këshilltarit të karrierës është ura lidhëse ndërmjet ofertës dhe kërkesës për vendin e punës. Në trajnim ne mundohemi që t’ia rrisim kapacitetin një këshilltari të karrierës, që ta orientojë drejt punëkërkuesin, që të mos bëjë gabime në përzgjedhje të karrierës, pastaj, normalisht, tregu dhe fuqia absorbuese përcakton se në çfarë industrie Kosova do rritet, cilin e ka avantazhin komparativ dhe konkurrues në krahasim me vendet e rajonit, por, gjithsesi, këshilltari luan rol të madh në këtë proces.
Për rezultatet e këtij trajnimi, por edhe të trajnimeve të tjera, flet vetë pjesëmarrësja e trajnimit, zonja Mejreme Millaku – Ajvazi e cilapunon në kolegjin universitar AAB (Arena e Arsimit Bashkëkohor) si zyrtare e karrierës që nga viti 2010. „Që nga viti 2010 kemi një bashkëpunim më të theksuar me disa kompani ku studentët tanë bëjnë punën praktike që është parapërgatitja për një punë të rregullt të studentëve. Tani nga ky trajnim dhjetëditor besoj që të marrim njohuri shtesë për këshilltarët për karrierë, por edhe nga një certifikatë përkatëse, si dëshmi e njohurive të fituara“.
Ndërkaq për një bashkëpunim ndërajonal zonja Rraci vlerëson se Kosova është në një fazë shumë të hershme në këtë fushë. Ajo preferon bashkëpunimin me vendet afër Kosovës, të cilat kanë kushte të përafërta të tregut të punës. Bashkëpunimi me Shqipërinë do të ishte me interes të veçantë, duke pasur parasysh gjuhën e njëjtë të komunikimit, por edhe përvojën e tyre në arsimin e ulët dhe të mesëm, ku ata kanë zhvilluar edhe kurikula dhe kanë bërë edhe manuale.
Mirëpo, duke pasur parasysh praktikat ndërkombëtare, është i mirëseardhur edhe një bashkëpunim ndërkombëtar, pse jo. Këshilli i Bashkimit Evropian ka aprovuar konventën e cila promovon të mësuarit gjatë gjithë jetës e që Kosova, si një pretendente serioze për në Bashkësinë Evropiane, patjetër, duhet të jetë pjesë e këtij udhëzimi.
Xhevdet Kallaba
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Një urë mes rrënjëve dhe integrimit, një shtëpi e përbashkët e besimit dhe kulturës Nga hapja solemne e Xhamisë Shqiptare në Tafers – Friburg... -
Melisa Leka, shkëlqen në serialin ndërkombëtar “Dark Side of the Ring” -
Libri i Mira Kazhanit promovohet në Gjermani -
Fjolla dhe Ardiana prezantojnë “Vajzë”, një urë mes Kosovës dhe Zvicrës -
USA
Kur ëndrrat nuk njohin kufij, rrugëtimi akademik i Albulena Ukës
Jeta në Austri
-
Vjenë
Hapen tregjet e Krishtlindjeve në Vjenë Tregjet e Krishtlindjeve në Schönbrunn, Floridsdorf dhe Favoriten janë hapur tashmë. Sot, hapet edhe tregu i Krishtlindjeve... -
Rita Ora gati ta ndezë atmosferën në hapjen e sezonit dimëror në Austri -
Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë -
Austri: Debatohet zgjatja e limitit prej 200 eurosh për orët shtesë pa taksa -
Çmimet e shtëpive familjare në Austri rriten me 2.2% në fillim të vitit 2025









