Lajme

Mos shkoni në luftërat pa adresë

Profesori i teologjisë, Xhabir Hamiti, iu bën thirrje kosovarëve që mos të shkojnë në luftërat pa adresë. Ai thotë personat që kanë baltosur figurën e Gjegj Kastriotit nuk ia duan të mirën kombit shqiptar dhe se janë të ndikuar nga qarqe të caktuara antikombëtare

Problemet sociale kanë ndikuar që grupet ekstremiste të gjejnë streh edhe në rajonin e Ballkanit, ndërsa rreziku është permanente që në këto grupe të rekrutojnë edhe djem të rinj në Kosovës.

Kështu konsideron profesori i çështjeve teologjike, Xhabir Hamiti, i cili iu bën thirrje kosovarëve që mos të shkojnë në luftërat pa adresë. “Bijtë dhe bijat tona nuk duhet të mashtrohen e joshur për t`u flijuar për një kauzë të pa adresë’, deklaroi Hamiti në një intervistë dhënë për “Albinfo.Ch”.

Feja islame, sipas tij, është e konceptuar si fe e paqes, dhe nuk njeh ekstremizëm.

Hamiti në këtë intervistë flet edhe për problemet tjera me të cilat ballafaqohet Kosova dhe rajoni, sidomos pas përhapjes së ekstremizmit në rajon.

Albinfo.ch:  Z. Hamiti. Ekstremizmi fetar në Kosovë dhe në Ballkan po theksohet gjithnjë e më shumë. Pse po ndodhë kjo?

Hamiti: Feja e cila buron nga koncepti i shëndosh i besimit në Zot, nuk njeh as ekstremizëm e as radikalizëm. Ekstremizmi, gjegjësisht forma e verbër e interpretimit fetar si dhe veprimet vulgare e të pamatura, janë hapa luftues të drejtpërdrejtë kundër Zotit dhe fesë në përgjithësi.

Në Kosovë dhe në Ballkan ekstremizmi fetar shtyhet dhe nxitet nga qarqe të huaja, luhet përmes grupeve të caktuara vendore, kurse viktimë e tyre bien kryesisht qytetarët dhe besimtarët e rëndomtë, të cilët nuk janë në dijeni ose nuk kanë aftësi që të bëjnë dallimin mes parimeve të mirëfillta fetare dhe atyre të devijuara. Një arsye tjetër është po ashtu edhe gjendja e brishtë politike, sociale dhe ekonomike, e cila po mbizotëron në këtë rajon gati më shumë se dy dekada, e që ua ka hapë derën shumë qarqeve që në emër humanizmit ose të bashkëpunimit vëllazëror ose bilateral, pa ua ditur mirëfilltë adresën dhe synimet e tyre finale të operojnë lirshëm në vendin tonë dhe në Ballkan në përgjithësi.

Albinfo.ch: Shqiptarët tradicionalisht kanë kultivuar një islami të moderuar, madje kanë qenë shembull i bashkëjetesës fetare në gjithë botën. Kohëve të fundit ka filluar të thyhet një realitet 500 vjeçar. Madje njerëz të ndryshëm po i përdhosin edhe figurat kombëtare. Cili është mendimi i juaj për këtë?

Hamiti: Ajo që mund të them për këtë është se, nuk do të ketë paqe në mesin tonë, nëse mungon respekti ndaj besimit dhe bindjes shpirtërore të tjetrit, ashtu siç edhe ka ekzistuar ndërshqiptar shekuj me radhë. Asnjëri nga ne nuk duhet të fyej, cenoj apo rrezikoj tjetrin duke keqpërdorur fenë.
Shqiptarët kanë qenë dhe janë pjesë e besimeve të ndryshme, të cilët pavarësisht përkatësive të tyre fetare, gjithmonë udhëtuan dhe luftuan së bashku në ruajtjen identitetit të tyre kombëtar dhe atdhetar. Çdo njëri nga ne duhet t`a ketë në mendje se pa komb e pa shtet stabil as feja nuk mund të jetohet e aq më pak të jetësohet, ashtu siç duhet dhe siç i ka hije. Prandaj provokimet si këto të fundit, duke fyer e baltosur figurat e konsensusit kombëtar shqiptar, janë veprime të njerëzve që kanë rënë viktimë e nxitjes dhe urrejtjes së armiqve të bashkëjetesës ndërfetare shqiptare si dhe gërryesve të së ardhmes së tyre. Qytetarët duhet të kenë kujdes që të mos bien pre e intrigave dhe shtisëve të huaj, të cilët përmes elementit të quajtur “fe” dëshirojnë destabilizimin dhe mbylljen e rrugës për një të ardhme tonë prosperuese dhe të qëndrueshme.
Ndryshe edhe Zoti na këshillon që të kemi kujdes nga fitnet-përçarjet, e keqja e të cilave kur ndodhin, nuk i kursejnë as fëmijët e as më  të mirët e shoqërisë.

Albinfo.ch: Shumë djem të rinj kanë shkuar në luftën e Sirisë, madje edhe nga Rajoni i Drenicës që ka qenë shumë lojal ndaj fesë. Disa janë vrarë në luftime. A ia vlen të vdiset në një luftë që nuk i dihet kuptimi dhe si e komenton këtë?

Hamiti: Është kompetencë individuale e çdo njërit që të vendos për veprimet dhe fatin e tij. Ne nuk kemi mundësi që të përzihemi në vendimet dhe qëndrimet individuale të njerëzve, mirëpo se a ia vlen që të shkohet e të luftohet në një vend ku nuk dihet se ku shkohet dhe për çka luftohet, sidomos tani së fundi, unë nuk mund të them më shumë se sa atë që sot e thonë të gjitha instancat më të larta fetare islame dhe kredibile në botë, të cilat vazhdimisht veprimet e grupeve që po thirren se janë duke i bërë në emër të fesë, po gjykohen jo islame, jo etike si dhe në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet dhe udhëzimet e tij.

Gjithë ajo që është zhvilluar dhe po zhvillohet atje deri më sot është një rrëshqitje nga përpjekja për të rrëzuar regjimin e Esadit në një luftë sektare dhe fraksionale, fundi i të cilës është vështirë për t`u parashikuar.

Bijtë dhe bijat tona nuk duhet të mashtrohen e joshur për t`u flijuar për një kauzë të pa adresë.

Albinfo.ch: Kush është fajtor për rritjen e ekstremizmit në Kosovë. Qeveria, Klerikët fetarë, apo mediet?

Hamiti: Të gjithë ngapak. Qeveria e ka fajin e saj për faktin se nuk e ka kryer punën e vet në rregullimin e pozitës së re juridike të BIK-së gjer më sot, sepse siç dihet kjo Bashkësi ende nuk është shkëputur de-juro nga statusi i vjetër i kohës së mbretërisë jugosllave për t`u zëvendësuar me riformulimin e një statusi të ri në kuadër të institucioneve të reja të vendit.

Ndërsa prijësit fetar gati të të gjitha konfesioneve tona, gjatë predikimeve të tyre kanë pasur deklarata të pamatura dhe jo të drejtpeshuara, duke keqpërdorur masën dhe fjalën e  lirë publike në dëm të të tjerëve. Një pjesë e tyre gjatë këtyre viteve të fundit, fatkeqësisht, nuk ka qenë e orientuar në kohë dhe hapësirë. Por. edhe mediat e kanë një pjesë të fajit, sepse iu kanë dhënë, dhe po u japin hapësirë shumë individëve të cilët veten po e konsiderojnë shpëtues të fesë në Kosovë dhe më gjerë, duke mos qenë fare të vetëdijshme për dëmin afatgjatë që shkaktohet nga predikimet e tyre të pakontrolluara  dhe të pa gdhendura.

Albinfo.ch: Si duhet të dilet nga kjo gjendje, që shqiptarët t’i kthehen normalitetit dhe feja të mbetet ashtu siç ka qenë tash e 500 vjet?

Hamiti: Vetëdijesimi dhe edukimi i qytetarëve për respektin permanent qytetar dhe fetarë, që ata duhet të kanë ndaj njëri tjetrit. Kjo është rruga e vetme e shpëtimit të popullit tonë nga pykat ndarëse në emër të fesë, të cilat përgatiten në kuzhinat e ndryshme në rajon. Për këtë duhet një bashkëpunim i sinqertë dhe korrekt mes institucioneve të  komuniteteve fetare dhe atyre shtetërore.

BIK-së duhet të riorganizohet sa më parë që është e mundur administrativisht, pastaj të bëhen hapa urgjent në avancimin e institucioneve të saj arsimore dhe edukative, të organizohen seminare vetëdijesuese me punonjësit e saj dhe të ketë unifikim të qëndrimit të saj fetar zyrtar në gjithë vendin dhe jo siç ka ndodhur deri më tani që përgjegjësin e saj t`a marrin individ apo grupe të cilat kanë shkaktuar huti në mesin e besimtarëve tanë dhe qytetarëve në përgjithësi.

Edhe komunitetet tjera tona fetare në vend, duhet t`i kontribuojnë kësaj frymës tolerante, duke i ikur elementeve përçarëse dhe ndarëse, të cilat mund të nxisin provokime dhe tensione të panevojshme.