E-Diaspora

Ekspozitë e dëshmive të pronësisë në Kosovë

Ekspozita "Prapa numrave, fatet", e organizuar nga DDC (DEZA) paraqet dëshmitë konkrete të refugjatëve të cilët u detyruan të braktisin pronën e tyre gjatë luftës në Kosovë

Më 23 qershor 2014, në Bernë u hap ekspozita “Prapa numrave- fatet”, e cila është organizuar nga DDC (DEZA), ndërsa ceremonia e hapjes u zhvillua në hapësirat e këtij institucioni shtetëror të Zcicrës.

Hapjen e Ekspozitës e bënë Ambasadori zviceran z.Kurt Kunz, njëherësh Drejtori Gjeneral i DDC-së, ndërsa në mënyrë të veçantë ishte i ftuar Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, z. Naim Malaj.

“Ne kemi pasur qëllim që me një ekpozitë të tillë si dhe me një botim të një libri në tri gjuhë, të paraqesim gjendjen reale të kërkesave të të zhvendosurve nga shtëpitë dhe pronat e tyre për t’u kthyer po në shtëpitë dhe pronat e tyre. Kthimin e tyre ligjet e Kosovës ua mundësojnë dhe ne e kemi ndihmuar Agjencinë Kosovare të Pronave (AKP) që të realizojë kërkesat e mijëra njerëzeve që janë detyruar të largohen pa dëshirën e tyre nga pronat” – u shpreh mes tjerash Ambasadori Kunz. Ai foli edhe për planet në vijmë të Zvicrës për të vazhduar ndihmën siç është vepruar deri tash në Kosovë, duke mos paragjykuar asnjë përfundim në procesin e kërkesave që trajtohen nga AKP.

Ndërsa në fjalën e vet Ambasadori Malaj, falenderoi Zvicrën për ndihmën e vazhdueshme për shtetin e Kosovës dhe në këtë rast DDC, për punën shumë të mirë me hapjen edhe të kësaj ekspozite ku shprehet një gjendje faktike në Kosovë për çështjen e pronave, njëri ndër problemet më të mprehta në Kosovë. Natyrisht, tha Ambasadori Malaj, se një pasojë e tillë kaq e rëndë dhe e vështirë në Kosovën e pasluftës, është shkaktuar nga regjimet e mëhershme sunduese në Kosovë e veçanërisht nga regjimi i Millosheviçit.

Ju e dini rrugën e Kosovës gjatë shekullit të 20, kur ndodhën edhe shumë shpronësime, transfere arbitrare të pronave dhe pronarve të tyre, zhvendosjet e detyruara të shqiptarëve duke ju nënshtruar vazhdimisht presionit dhe diskriminimit gjatë periudhës së ish Jugosllavisë. Ndërsa gjatë luftës të viteve 1998-1999, popullsia e Kosovës përjetoi eksodin e dhunshëm dhe ju e kuptoni drejt kompleksitetin e kërkesave aktuale për kthimin e pronave pronarëve të tyre në Kosovë. Ne shprehim edhe njëherë mirënjohjen tonë për përfshirjen e Zvicrës në këtë fushë, dhe të DDC-së në favor të AKP-së për të siguruar mbështetje të fuqishme për zgjidhjen e një problemi të rëndësishëm në Kosovë, ndihmë dhe mbështjetje e cila padyshim do të zgjerojë më tej marrëdhëniet brenda komuniteteve.”, theksoi në fund Ambasadori Malaj.

Agjencia Kosovare e Pronës deri tani ka pranuar 42.759 kërkesa të njohjes së pronës, nga të cilat 90% kanë të bëjnë me toka bujqësore. Nga AKP është lëshuar një vendim për 39.570 raste. Zvicra, deri në fund të vitit 2014, do të mbështesë financiarisht AKP-në, me, deri në 9.3 milionë franga zvicerane.   

Ekspozita “Prapa numrave, fatet”, e organizuar nga DDC dhe e cila do të hapet edhe në disa qendra të tjera të Zvicrës si në Gjenevë, Cyrih, Bienne, Universitetin e Bernës etj., paraqet dëshmitë konkrete të refugjatëve të cilët u detyruan të braktisin pronën e tyre gjatë luftës në Kosovë. Ekspozita sjellë këto dëshmi përmes panove të mëdha me tekst dhe fotografi si dhe përmes audiodëshmive autentike.

http://doc.rero.ch/record/208822/files/11-The_fates_behind_the_numbers.pdf