Shkurt.ch

Rritet dallimi në mes të pagave

Gjatë vitit 2012 paga më e lartë në Zvicër ka qenë 135 herë më e lartë se sa më e ulëta, ndërsa në vitin 2011 ajo ka qenë 120:1

Diferenca në lartësinë e pagave, e llogaritur në 41 ndërmarrjet më të mëdha të Zvicrës, të kuotuara në bursë, gjatë vitit të kaluar ka vazhduar të rritet.

Siç e tregon një studim i sindikatës Unia, gjatë vitit 2012 paga më e lartë në Zvicër ka qenë 135 herë më e lartë se sa më e ulëta. Dhe kjo paraqet rritje të jazit në mes të dy niveleve krahasuar me vitin paraprak, kur ai ishte “vetëm” 1:120.

Arsyeja për këtë rritje dallimi qëndron në faktin se pagat e top menaxherëve kanë vazhduar të rriten ndërkohë që pagat më të ulëta kanë mbetur ato që kanë qenë.

Me prezantimin e këtij studimi, sindikata Unia e ka filluar fushatën për iniciativën 1:12 që ajo bashkë me subjekte tjera të spektrit të majtë e ka filluar me qëllim zvogëlimin e diferencës në mes të pagave.