Bota
Çfarë përmban Pakti Global i OKB-sё pёr Migracionin?
Ka dy vjet që OKB me organet e saj, po punon për Paktin e Migracionit
150 vende e pranuan zyrtarisht Paktin Global të Migracionit. OKB e di dhe e thekson sa herë që është e nevojshme se migracioni është një fenomen që ka shoqëruar njerëzimin gjatë gjithë ekzistencës së tij. Kështu ka qenë më parë, kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Dhe parashikimet tregojnë se për shkaqe të ndryshme që janë duke u studiuar, migracioni do të jetë në rritje. Parashikimet demografike, ndryshimi i natyrës së punës, teknologjitë e reja, pasojat e ndryshimit të klimës do ta kthejnë realitetin e mobilitetit njerëzor në sfidë, nëse nuk menaxhohet në mënyrë kooperative, raporton “DW”.
Prandaj, është më mirë që të menaxhohet dhe të korren përfitime prej tij, se sa të lihet i parregullt dhe të gjithë të humbasin në lojë. Dhe menaxhimi duhet bërë në kooperim, sepse për vetë natyrën e tij migracioni është një problem që nuk mund të trajtohet i vetëm. 150 shtete që marrin pjesë në Konferencën që mbahet në Marakesh, shprehën të hënën (10.12), përkrahjen e tyre për Paktin, që në ditën e parë të konferencës, përcjell albinfo.ch.
Sepse ata e dinë për çfarë bëhet fjalë. Ka dy vjet që OKB me organet e saj, po punon për Paktin e Migracionit. Puna filloi me Deklaratën e Nju Jorkut, e cila u kthye në rezolutë nga Asambleja e Përgjithshme. Konsultimet, ku morën pjesë të gjitha vendet me përjashtim të SHBA, zgjatën një vit e gjysmë. Gjatë kësaj kohe konsultimesh secili vend pasqyroi problemet e migracionit, si i sheh. Negociatat përfundimtare filluan në qershor të këtij viti. Në korrik u përgatit teksti përfundimtar dhe u vendos që ky tekst të pranohet zyrtarisht në një konferencë të përbashkët, kjo është ajo e Marakeshit që po zhvillon aktualisht punimet. Para ardhjes së dhjetorit disa vende dolën nga procesi, duke përdorur kryesisht argumente që nuk kanë lidhje me punën e përbashkët për dy vjet rresht. “Pakti për migracion të rregullt dhe të sigurt nuk është një dokument i detyrueshëm ligjor. Ai ofron një konstrukt të përbashkët, në të cilin vendet kanalizojnë iniciativat e tyre për çështjet e migracionit. Nga kjo përfitojnë të gjithë, vendet anëtare, migrantët, vendet pritëse si dhe vendet e origjinës së migracionit”, shpjegoi dy javë më parë Louise Arbour, e ngarkuara speciale e OKB për migracionin, në një konferencë shtypi në Nju Jork (27.11).
Ajo thotë se është e rëndësishme të dihet që pakti nuk prek sovranitetin e asnjë shteti. Përkundrazi, shtetet kanë të drejtë të kontrollojnë territorin, kufijtë, të marrë vendimin se cili nga joqytetarët ka të drejtë të hyjë, të qëndrojë, për sa kohë dhe në çfarë kushtesh.
“Rruga më e mirë që të vësh në jetë politikën kombëtare të migracionit, është të asistosh dhe bashkëpunosh me vendin fqinj dhe jo të bllokosh bashkëpunimin apo të sabotozh atë, duke vënë në garë interesat që synojnë politikat kombëtare”, thotë Arbour, e cila po ashtu e shpjegoi Paktin në një konferencë shtypi në Gjenevë (28.11).
Dokumenti përmbledh ide të përgjithshme për migracionin, si për shembull për mbledhjen e të dhënave për imobilitetin e njerëzve. “Efikasiteti i njohurive kualitative çon në kredibilitetin e të gjitha studimeve që bëhen në këtë fushë, për të mos i lënë vend interpretimeve pa bazë reale, që helmojnë diskutimin dhe politikat. Pra mbledhje të dhënash dhe vendosje e 23 objektivave për imobilitetin, për zbutjen e shkaqeve të zhvendosjes së detyruar të njerëzve, që kanë të bëjnë me axhendën e zhvillimit të qëndrueshëm, parandalimin e konflikteve, axhendën e mbrojtjes nga ndryshimi i klimës, të gjithë faktorë që nxisin lëvizjet e parregullta”, tha Arbour. “Po ashtu ka të bëjë me njerëzit që ndodhen tranzit diku, shoqëruar me probleme humanitare”.
Të gjitha problemet me të cilat merret Pakti i Migracionit kanë të bëjnë me njerëzit që kanë migruar. Shpesh kur flitet për migracionin, flitet për njerëzit në lëvizje. “Kur themi që kemi 258 milionë migrantë sot në botë, flasim për njerëz që kanë jetuar më shumë se 1 vit në një vend që nuk është vendi i lindjes, apo i nënshtetësisë. Kur flasim për migracionin, ne flasim për njerëzit që janë “stocks of migrations”, siç i quajnë ekspertët, migrantë që janë sot gjendje, jo për migrantë që supozohet të jenë në “flow”, në rrjedhë, në lëvizje”, shpjegon Arbour. Ekzistojnë këtu një seri problemesh si standardet e punës, kostot e dërgimit të parave në vendin e origjinës, etj.
Pakti Global i migracionit, propozon disa iniciativa për të mbledhur dhe treguar përfitimet që vijnë nga migracioni i menaxhuar mirë, si dhe iniciativa për të treguar disfavoret nga migracioni i parregullt, i cili vë në rrezik jetë njerëzish, vë qeveritë në situata ku të mos dinë kush gjendet në territorin e tyre. Po ashtu edhe për një çështje që kanë qenë të involvuar shumë vendet evropiane, për kthimin dhe riintegrimin e azileve të refuzuar, ose që për arsye të ndryshme nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në vend dhe duhen kthyer në vendin e origjinës.
“Pakti Global i Migracionit të rregullt nuk është fundi i rrugës, por fillimi i një procesi, i cili nëse implementohet mirë, pavarësisht cila pjesë e saj shihet relevant nga një vend i caktuar, do të na çojë në menaxhimin e mobilitetit njerëzor,” thotë Arbour.
E-Diaspora
-
Kurti, me studentët shqiptarë të St.Gallenit, debaton për të ardhmen e Kosovës Debatin me Kurtin, mbi temën "Investimi në të ardhmen e Kosovës" e ka udhëhequr profesori i...
-
Së shpejti do të publikohet fjalori më i madh i gjuhës shqipe
-
Kurti në Cyrih prezanton Kosovën si vend të përshtatshëm për të investuar
-
Kurti niset drejt Zvicrës për takim me mërgatën
-
Kroaci: Përurohet shtatorja e “Nënë Terezës” në Osijek
Jeta në Austri
-
Çfarë duhet të dini për jetesën në një apartament të përbashkët në Austri Të jetosh në një banesë të përbashkët – ose një Wohngemeinschaft (WG) – është e zakonshme...
-
Tregu i parë i Krishtlindjeve në Vjenë i vitit 2024, do të hapet më 7 nëntor
-
Austri: Turizmi goditet nga përmbytjet, por vera shënon rekord të ri
-
Mbrëmje e madhe e boksit në Austri
-
Kërcënimet me bombë, hetime të pavarura në Austri dhe Zvicër